1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

211009 US Iran-Strategie

22 Tetor 2009

Rreth 2000 ushtarë amerikanë dhe izraelitë po marrin pjesë që nga dita e mërkurë (21.10.) në stërvitjen më të madhe të mbrojtjes antiraketore të zhvilluar deri tani.

https://p.dw.com/p/KCia
Përgatitje për konfrontim me Iranin
Përgatitje për konfrontim me IraninFotografi: AP Graphics

Stërvitja e përbashkët amerikano-izraelite do të zgjasë dy javë. Stërvitja e cila mban emrin e koduar 'Juniper Cobra 10' ka për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit të forcave të armatosura amerikane dhe izraelite në fushën e mbrojtjes kundërajrore, njoftoi ushtria izraelite në një komunikatë me shkrim për shtyp. Ajo nuk ka lidhje me zhvillimet aktuale në politikën e jashtme.

Raketë "Patriot" e lëshuar gjatë manovrave amerikano - izraelite më 2001.
Raketë "Patriot" e lëshuar gjatë manovrave amerikano - izraelite më 2001.Fotografi: AP

Ndër të tjera gjatë sërvitjes dyjavore do të testohet përdorimi i kombinuar i raketave kundërajrore izraelite të tipit Arrow 2 me sistemin amerikan të mbrojtjes kundërajrore 'Patriot', si dhe sistemin AEGIS të marinës amerikane për mbrojtjen nga raketat balistike. 17 anije luftarake amerikane ndodhen aktualisht në ujërat izraelite. Gazetat izraelite e vlerësojnë nga ana e tyre këtë stërvitje të përbashkët si një sinjal të qartë për Teheranin se në rast të ndonjë konfrontimi ushtarak me Iranin, Izraeli do të mbrohet nga ndonjë sulm i mundshëm me raketa.

Aktualisht qeveria izraelite është duke përcjellur me vëmendje zhvillimet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të parë se a do të vijë der tek ashpërsimi i sanksioneve kundër Iranit. Kështu analizon profesori Efraim Inbar nga Qendra për Studime Strategjike në Universitetin Bar llan në Tel Aviv. "Besoj se izraelitët po përgatiten për një aksion ushtarak. Vendimi nuk është marrë deri tani dhe ne po presim të shohim se si do të veprojë bashkësia ndërkombëtare dhe se a do të mjaftojnë vetëm sanksionet. Tek pastaj Izraeli do të duhet të konfrontohet me këtë çështje të vështirë dhe të vendosë se a do të sulmojë infrastrukturën bërthamore të Iranit".

Ushtar izraelit
Ushtar izraelitFotografi: AP

Sipas të dhënave të gazetës së përditshme „Ha'aretz“ stërvitjet e përbashkëta amerikano-izraelite flasin për një skenar tjetër, për një sulm raketor iranian ndaj Izraelit. Njëkohësisht do të testohet edhe shkalla e përgatitjes të së ashtuquajturës 'komanda për mbrojtjen e atdheut' e forcave të armatosura izraelite. Kjo do t'i shërbejë përmirësimit të mbrojtjes së popullatës civile. Në rast të një sulmi ushtarak izraelit kundër impianteve bërthamore iraniane, udhëheqja ushtarake e gardave revolucionare në Teheran ka kërcënuar Tel Avivin se do të përdor në shenjë hakmarrje raketat me rreze të mesme veprimi. Forcat e armatosura amerikane dhe izraelite zhvillojnë që prej vitit 2001 rregullisht stërvitje të përbashkëta ushtarake.

Autor : Clemens Vernekotte / Esat Ahmeti

Redaktoi : Aida Cama