1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përleshje mes shqiptarëve dhe serbëve në pjesën veriore të Mitrovicës

Bekim Shehu / Prishtinë 5 Gusht 2008

Si pasojë e përleshjes ka pasur disa persona të lënduar, ndër ta edhe një polic ndërkombëtar. Po ashtu janë dëmtuar disa vetura dhe disa lokale afariste.

https://p.dw.com/p/Eql6
Përleshje me të plagosur dhe dëme materiale
Përleshje me të plagosur dhe dëme materialeFotografi: AP

Një grup serbësh dhe një grup shqiptarësh janë përleshur gjatë natës së shkuar (04.08) në qytetin e Mitrovicës në pjesën veriore të saj, njoftojnë zyrtarë të policisë. Shkak i kësaj përleshje, ka qenë kur një grup serbësh kanë rrahur një të ri shqiptar në lagjen e boshnjakëve, që gjendet po ashtu në pjesën veriore të Mitrovicës. Më vonë, një grup shqiptarësh dhe një grup serbësh, kanë filluar të gjuajnë më gurë njëri-tjetrin dhe për pasojë, ka disa persona të lenduar nga të dyja komunitetet.

Zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti, thotë për Deutsche Welle-n, se nga hetimet e para të policisë, konstatohet se incidenti ka motive të pastra ndëretnike. "Pas rrahjes së një të riu shqiptar nga një grup serbësh në lagjën e Boshnjakëve, janë mbledhur dy grupe të tjera një shqiptare dhe një serbe afër urës kryesore mbi Lumin Ibër dhe kanë filluar të gjuajnë me gurë njëri-tjetrin. Policia e UNMIK-ut së bashku me SHPK-së kanë intervenuar për të qetësuar gjendjen dhe gjatë aksionit një polic ndërkombëtar është lënduar", thotë zëdhënësi Hoti.

Gjendja e sigurisë në qytetin e Mitrovicës pas përleshjes së mbrëmshme ndërmjet dy grupeve shqiptare dhe serbe sot thuhet të jetë e qetë, mirëpo tensionet vazhdojnë të jenë të larta. Forca të shtuara të policisë dhe trupa të KFOR-it, janë dislokuar në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër që ndan qytetin në dy pjesë dhe po mbajnë gjendjen nën kontroll. Tash për tash, sipas policisë nuk ka ndonjë person të arrestuar edhe pse autorët e incidentit janë të njohur për policinë.