1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NPD Verbot

16 Nëntor 2011

Seria e vrasjeve nga ekstremistë të djathtë është bërë shkak që qeveria gjermane të synojë sërish ndalimin e partisë NPD, të klasifikuar si ekstremiste e djathtë. Por të ndalosh një parti në Gjermani është e vështirë.

https://p.dw.com/p/13BWH
Flamuj me logon e NPD-së.
Cënon ndalimi i NPD-së mbrojtjen e demokracisë në Gjermani?Fotografi: picture-alliance/dpa

Në Gjermani partitë konsiderohen si shprehje e demokracisë së gjallë. Për këtë arsye themeluesit e Republikës Federale pas Luftës së Dytë Botërore i kanë vendosur nën një mbrojtje të veçantë të gjitha partitë, pavarësisht se cilit drejtim u përkasin. Partitë duhet të bëjnë të mundur shprehjen e vullnetit të bashkuar të zgjedhësve. Për këtë arsye ligji themeltar gjerman mbron çdo parti, përsa kohë ajo respekton rendin themelor demokratik liberal, kushtetutën, mungesën e dhunës dhe të drejtat e njeriut. Kështu qeveria federale gjermane nuk ka të drejtë të urdhërojë pa arsye ndalimin e një partie. Çdo formë arbitrariteti është e ndaluar në Gjermani. Një qeveri ose një pakicë në parlament duhet të bëjë kërkesë pranë Gjykatës Kushtetuese për ndalimin e një partie.

Ndalimet e partive kanë qenë të rralla

Procedura të tilla kanë pasur sukses deri tani vetëm dy herë në historinë e Republikës Federale. Në vitin 1952 u ndalua "Partia e Socialiste e Rajhut" (SRP) dhe në vitin 1956 "Partia Komuniste e Gjermanisë" (KPD). Në partinë SRP ishin mbledhur atëherë shumë ekstremistë të djathtë. Disa anëtarë të kësaj partie kishin arritur madje të hynin në parlamentin federal (Bundestag). Një shenjë e keqe: sërish në një parlament gjerman merrnin pjesë ekstremistë të djathtë.

Partia Komuniste (KPD) kishte kontakte të ngushta me regjimet në Moskë dhe Berlinin Lindor. Në epokën e Luftës së Ftohtë, KPD shihej si një kërcënim për demokracinë, kështu mendonte asokohe qeveria federale nën kancelarin Adenauer. Në përgjithësi shumica mbizotëruese e politikanëve të përgjegjshëm në republikën e re federale, pas fashizmit dhe ndarjes së Gjermanisë, nuk donin të kishin më të bënin me ekstremistë.

Por edhe asokohe nuk qe e lehtë të arrihej ndalimi për partitë SRP dhe KPD. Megjithatë u arrit. Pra, përse sot nuk qenka e mundur të ndalohet me vendosmëri një parti, e cila si në rastin e NPD-së përfaqëson ideale ekstremiste të djathta?

Vendosmëri në vitet '50

Vitet '50 ishin koha pas luftës dhe asokohe nga pikëpamja juridike nuk ishin aq të ndjeshëm sa sot, thonë njëzëri historianët e skenës së djathtë. Kështu qeveria Adenauer ushtroi madje presion nga Gjykatës Kushtetuese në rastin e ndalimit të KPD. Edhe informantorët e fshehtë të infiltruar nga organet shtetore nuk ishin atëherë problem për procedurat e nisura të ndalimit. Asnjë gjykatës nuk pa në këtë rrethanë një ushtrim të palejuar influence nga organet përgjegjëse të qeverisë. Pas procesesh relativisht të shkurtra, gjykatësit në Gjykatën Kushtetuese pranuan kërkesën e qeverisë dhe shqiptuan ndalimet e partive.

Gjykata Kushtetuese nuk e pranoi kërkesën për ndalimin e NPD-së në 2003.
Gjykata Kushtetuese nuk e pranoi kërkesën për ndalimin e NPD-së në 2003.Fotografi: AP

Dështimi në vitin 2003

Krejt ndryshe ndodhi në vitin 2003. Një numër i konsiderueshëm veprash penale me sfond ekstremist të djathtë, bënë që politika të reagonte qartë. Partia Nacionaldemokratike e Gjermanisë (NPD), e themeluar në vitin 1964, pra tetë vjet pas ndalimit të fundit ndaj një parte në Gjermani, u konsiderua si terren favorizues për aktet penale. NPD pas themelimit kishte marrë vërtet pjesë në shtatë parlamente landesh dhe pas bashkimit të Gjermanisë në vitet 1990 kishte shënuar edhe disa suksese elektorale në Lindje të Gjermanisë, por në vitin 2003 shihej ende si një parti e vogël pa rëndësi, me vetëm 6000 anëtarë. Për krahasim: partitë e mëdha qeverisëse gjermane CDU (Unioni Kristiandemokrat) dhe SPD (Partia Socialdemokrate), kanë përkatësisht rreth 500.000 anëtarë.

Në 2003 mendimi i përbashkët ishte: NPD duhej të ndalohej. U hap me nxitim procedura e ndalimit. Por këtë herë kërkesa dështoi në Gjykatën Kushtetuese. Gjykatësit kushtetues konstatuan se autoriteti për mbrojtjen e kushtetutës kishte informatorë nga radhët e NPD-së. Nga 200 anëtarët me funksione drejtuese në NPD, 30 ishin informatorë të paguar nga autoriteti për mbrojtjen e kushtetutës. Pra ekzistonte dyshimi se partia drejtohej nga jashtë dhe pikërisht nga ato forca që kishin një interes për ndalimin e saj. Kështu edhe marrjet e ardhshme në pyetje për mbledhjen e provave mund të ishin të manipuluara nga qeveria.

Ndalimet e partive nuk duhet të jenë të manipuluara

Përcaktimet ligjore të viteve 1950 prej kohësh nuk ishin më determinante. Deri në vitin 2003 ato ishin zhvilluar më tej, dhe vlente një mbrojtje më e fortë e demokracisë me një ndarje më të rreptë të pushteteve.

Jo më kot: gjykatësit kushtetues i referoheshin abuzimit të mundshëm në dëm të të gjitha partive që mund të ishin të padëshiruara dhe bënë të qartë se "nuk është e lejuar, që partitë qeverisëse të mbajnë larg konkurrencën partiake përmes ndalimeve".

Përballë këtij parimi themelor demokratik, gjykatësve kushtetues nuk u mbeti zgjidhje tjetër. Një shumicë gjykatësish në Gjykatën Kushtetutese e refuzoi kërkesën për ndalimin e NPD-së. Një katastrofë për parlamentin federal gjerman, i cili kishte paraqitur kërkesën për ndalimin e partisë ekstremiste të djathtë.

Simpatizantë dhe anëtarë të NPD-së gjatë një mitingu.
NPD përfiton nga ligjet për mbrojtjen e partive në Gjermani.Fotografi: AP

Disfatë me pasoja

Sidoqoftë disa prej gjykatësve kushtetues ishin të mendimit se duhej hetuar me çdo kusht për rrezikshmërinë që paraqiste NPD-ja. Por një hetim i tillë nuk u bë. Në vitin 2009 ministri i Brendshëm i Bavarisë Joachim Hermann (CSU) ndërmori edhe një përpjekje për ndalimin e NPD-së. Ish ministri i Brendshëm Wolfgang Schäuble, ishte kundër. Frika ndaj një dështimi të ri në Gjykatën Kushtetuese, që do të forconte pozicionin e NPD-së, ishte shumë e madhe. Kjo duhej shmangur. Kështu, nuk u bë asgjë.

Argumente të mundshme për një ndalim

Meqenëse kërkesat për ndalimin e një partie në ligjet gjermane janë të formuluara shumë rreptë, mbeten pak mundësi për ndalimin e NPD-së. Duhet provuar se kjo parti ka urdhëruar, ka mbështetur, apo është bërë shkas për vrasjet e kohëve të fundit të qytetarëve gjermanë me sfond migracioni. Por ekspertët shohin shumë pak shkanse për gjetjen e provave rreth një lidhje të tillë.

Vetëm parrullat armiqësore ndaj të huajve të NPD-së, nuk mjaftojnë juridikisht. Ato mund të interpretohen edhe si shprehje e lirë e mendimit, edhe pse shumicës së gjermanëve kjo mund t'u dhembë. Kjo shprehje e lirë mendimi mbrohet nga Kushtetuta, përsa kohë nuk përmban elemente fyerje. Mbetet vetëm sjellja agresive, kriminale. Edhe kjo duhet dëshmuar. Sjellja e gabuar e anëtarëve të veçantë të partisë nuk mjafton për ndalimin e gjithë partisë.

"Politika i ka duart e lidhura juridikisht", kështu e përshkruajnë specialistët e së drejtës kushtetuese situatën në Gjermani. Përpjekja për tharjen e burimeve financiare të NPD-së shihet si një akt dëshpërimi. Partia ekstremiste e djathtë ka marrë madje para nga shteti për të gjitha votat që qytetarët kanë dhënë në zgjedhjet për parlamentet e landeve, parlamentin federal. Gjithashtu ajo merr edhe një mbështetje financiare, e cila u takon partive në bazë të numrit të anëtarëve të tyre. Në këtë mënyrë së fundi NPD arriti të merrte rreth 1 milion euro. Por kjo mbështetje shtetërore u takon në Gjermani të gjitha partive të zgjedhura në parlamente.

Pra një ndalim i NPD-së duhet përgatitur në mënyrë shumë të detajuar. Në çdo rast, më saktë se herën e fundit. Ministrat dhe senatorët nga Berlini, Bremeni, Rheinland Pfalz, Sachsen-Anhalt dhe Schleswig Holstein do të paraqesin të hënën e ardhshme (21.11.2011) në Berlin një dosje me material ngarkues për NPD-në.

Autor: Wolfgang Dick /E. Xhani

Redaktoi: Mimoza Kelmendi