1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përvoja të drejtësisë dhe politikës në luftën kundër ekstremizmit të djathtë

Sabine Ripperger26 Mars 2007

Lajmet mbi aktet penale dhe ato të dhunës me sfond ekstremizmin e djathtë, ka kohë që janë bërë pjesë e përditshmërisë në Gjermani.

https://p.dw.com/p/Aqx5
Ekstremistë të djathtë demonstrojnë në Berlin
Ekstremistë të djathtë demonstrojnë në BerlinFotografi: AP

Konfrontimi me ekstremizmin e djathtë është bërë një detyrë e vazhdueshme e policisë, autoritetit për mbrojtjen e kushtetutës dhe drejtësisë. Gjithnjë e më të vetëdijshëm ekstremistët e djathtë shkelin ligjin. Ky fakt ngre pyetjen nëse në luftën kundër ekstremizmit të djathtë janë të nevojshme më shumë mjete juridike ose mjete të reja për të mundësuar punën e autoriteteve përkatëse shtetërore.

Krahas thirrjes për më shumë angazhim qytetar kundër ekstremizmit të djathtë në konferencën e organizuar nga fondacioni Friedrich Ebert pak ditë më parë u diskutua në rradhë të parë se çfarë mund të bëjnë institucione të tilla shtetërore si policia, drejtësia, Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës dhe politika në luftimin e ekstremizmit të djathtë deri në një ndalim të mundshëm të partisë.

Shqetësim të madh shkakton shtimi i dhunës me sfond ekstremizmin e djathtë p.sh. në Berlin. Atje ministria e brendshme ka regjistruar një rritje prej 23% të akteve të dhunës së ekstremizmit të djathtë në krahasim me vitin 2005 ose rreth 2000 raste.

Ndjekja e akteve penale është megjithatë vetëm një nga mundësitë e kundërpërgjigjes së shtetit. Autoriteti për mbrojtjen e kushtetutës në Berlin vëzhgon prej dy vjetësh një rreth prej gati 200 personash të cilët kanë orientim ekstremist të djathtë, të organizuar në shoqata apo grupe aksioni autonome.

Partia ekstremiste e djathtë NPD muajt e shkuar është kthyer në aktorin qëndror të ekstremizmit të djathtë në Berlin. Dega e saj në Berlin ka arritur të etablohet si partner bisedimesh me të gjithë spektrin e ekstremit të djathtë, shprehet senatori për rendin në Berlin, Körting.

NPD përfiton në këtë kuadër nga një tendencë zhvillimi në të gjithë Gjermaninë e cila çoi edhe në shtimin e numrit të anëtarëve dhe forcimin e strukturave të kësaj partie. Körting flet për rreth 220 persona. Partia e ekstremit të djathtë ka një orientim armiqësor ndaj kushtetutës. Kjo nuk mund të kundërshtohet nga askush shprehet senatori i Berlinit për rendin:

"Një kërkesë e re për ndalimin e kësaj partie duhet të marrë pikënisje pikërisht në këtë fakt. Me nxjerrjen e partisë jashtë ligjit arrihet së paku që njerëz të cilët mund t'i drejtohen kësaj partie të mos kenë më dukjen e ligjshmërisë dhe të qënit në përputhje me kushtetutën. Kështu unë jam për vënien në jetë demokracinë e vërtetë që lejon kushtetuta jonë, pra edhe shpalljen e ndalimeve. Nëse nuk ndalohet një parti si NDP kush mund të ndalohet në të ardhmen në bazë të nenit 21 të kushtetutës?"

Körting ka kritikuar më tej se antisemitizmi dhe armiqësia ndaj të huajve e NDP-së bashkëfinancohet aktualisht me paratë e qytetarëve që derdhin kontribute në buxhetin e shtetit. Kjo sipas senatorit Körting nuk është vetëm një keqinterpretim i privilegjeve të një partie por një skandal i vërtetë:

"Bashkëqytetarët hebrenj që paguajnë tatime, sipërmarrësit turq në Berlin që paguajnë taksa bashkëfinancojnë fushatën zgjedhore kundër hebrenjve dhe të huajve. Ky është një pervertim i parimit të barazisë dhe privilegjit të partive."

Sebastian Edathy, kryetar i komisionit për rendin në parlamentin gjerman përkrahu mendimin e senatorit të Berlinit por bëri një kufizim:

"Duke u bazuar në përvojën me procedurën e parë për ndalimin e kësaj partie më duhet të them se një procedurë e dytë duhet të ndërmerret vetëm nëse egziston një siguri e mjaftueshme për sukses. Në këtë rast suksesi do të ishte ndalimi i NPD-së dhe kjo do të ishte një goditje e rëndë dhe plot kuptim kundër ekstremizmit të djathtë pasi NDP luan një rol qëndror në infrastrukturën ekstremiste të djathtë në Gjermani."

Hartwig Möller, drejtues i departamentit për mbrojtjen e kushtetutës nga ministria e rendit e landit të Rinit Verior dhe Vestfalisë, ishte skeptik sa i takon ndalimit të partisë. Ai foli për një demokraci të emancipuar në Gjermaninë e ditëve të sotme. Në këtë rast ngrihet pyetja nëse ndalimi i një partie në këtë stad mund të jetë vërtet një instrument efikas. Sipas tij konfrontimi politik është rruga më e mirë. E rëndësishme është tani, tha Möller, se si mund të zhvillohet kompetenca demokratike jo vetëm përmes shkollave por edhe në komuna.

Shefja e autoritetit për mbrojtjen e kushtetutës në Berlin Claudia Schmid tha se politika e tolerancës zero e landit të Berlinit ka treguar ndërkohë rezultatet e para:

"Në rradhët e ekstremizmit të djathtë Berlini ka fituar reputacionin e një vendi të parehatshëm, shumë të vështirë."

Represioni dhe parandalimi janë për Claudia Schmid dy anë të një medaljeje. Shumë e rëndësishme është për Schmid edhe puna e sqaruese për opinionin nga autoriteti që ajo drejton. Këtu bën pjesë p.sh. shpërndarja e broshurave informuese mbi simbolet dhe shenjat dalluese të ekstremizmit të djathtë në rradhë të parë tek fëmijët dhe të rinjtë, e broshurave mbi naziskinët apo atyre mbi temën e antisemitizmit.