1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pa rrymë dhe mbështetje sociale - Shpërngulje të serbëve në brezin kufitar Serbi-Kosovë

29 Maj 2010

Shtatë fshatra në brezin kufitar mes Serbisë dhe Kosovës janë boshatisur dhjetë vitet e fundit. Tani duket se radhën e ka edhe fshati Rastelicë, i cili kohët e fundit ka mbetur pa energji elektrike.

https://p.dw.com/p/Ncf1
Fshati Rastelicë në jug të Serbisë.
Fshati Rastelicë në jug të Serbisë.Fotografi: DW

Në fshatin malor Rastelicë, i cili gjendet në brezin kufitar mes Serbisë dhe Kosovës, sërish është ndërprerë furnizimi me energji elektrike. Korporata Energjetike e Serbisë e ka ndërprerë furnizimin me rrymë për të gjithë banorët e fshatit, për shkak se nuk i kanë paguar faturat e tyre. Banorët e fshatit thonë se borxhet më të mëdha janë krijuar në kohën e luftës së Kosovës në vitin 1999, sepse asokohe në këto hapësira ishin të instaluara forcat ushtarake të Serbisë dhe Malit të Zi.

Zëvendëskryetari i bashkisë së Kurshumlisë, Dejan Milosevic.
Zëvendëskryetari i bashkisë së Kurshumlisë, Dejan Milosevic.Fotografi: DW

Banorët nuk kanë pasur para për të paguar shpenzimet e bëra, ndërkohë që gjatë dhjetë viteve të kaluara borxhi është rritur në përmasa drastike. Banorët e fshatit thonë, se me errësirën e parë detyrohen të shkojnë në shtrat, sepse nuk mund të bëjnë asgjë tjetër. Për shkak të shkëputjes nga bota, në male, vetëm 500 metra larg kufirit administrativ mes Serbisë dhe Kosovës dhe 20 kilometra larg nga Kurshumlia, së bashku me errësirën bie edhe frika.

„Kur bie terri shkojmë brenda dhe menjëherë futemi në shtrat - si para 100 vitesh. S'ka radio, s'ka televizor, frigoriferi nuk punon. Kush do të vinte të jetonte me dëshirë në këtë egërsirë dhe në këto kushte, pa energji elektrike? Kjo është rrënqethëse, është pikëlluese", thotë një banor i fshatit.

„Kam tetë fëmijë të cilët i kam rritur këtu. Na shkatërruan krejt me ndërprerjen e energjisë elektrike. Kështu nuk shkon", thotë një baba i tetë fëmijëve.

Por Rastelica nuk është fshati i vetëm që ka mbetur pa energji elektrike. Në komunën e Kurshumlisë thonë se pa rrymë kanë mbetur edhe fshatra të tjera në zonën kufitare mes Serbisë dhe Kosovës.

Zëvendëskryetari i bashkisë së Kurshumlisë, Dejan Millosheviq e quan një hap të pamatur vendimin e Korporatës Energjetike të Serbisë, për shkëputjen e furnizimin me energji elektrike. Millosheviqi pohon se në këtë mënyrë rrezikohet shpërngulja e plotë e banorëve të Rastelicës nga ky fshat.

Pamje nga fshati Rastelicë.
Fotografi: DW

"Nuk mund ta lejojmë një gjë të tillë, njerëzit duhet të mbeten dhe të jetojnë në këtë fshat. Ka dhe familje si ajo e Millomir Erakoviqit me tetë fëmijë dhe banorë të tjerë të rinj, të cilët kanë vendosur që të jetojnë në këtë fshat. Ne duhet t'u ndihmojmë atyre që të mbeten atje dhe të jetojnë në fshatin e tyre“, pohon Millosheviq.

Ndonëse banorët e Rastelicës jetojnë në kushte shumë të vështira, deri tani nuk janë shpërngulur. Ata me duar e punojnë tokën nëpër male dhe në kushte çnjerëzore, vetëm për të ushqyer familjen. Rrugën për në këtë fshat mund ta kalosh vetëm në këmbë, sepse rrugë të mirëfilltë nuk ka. Banorët pohojnë se tani kur kanë mbetur pa energji elektrike, nuk u ka mbetur asgjë tjetër, vetëm t'i vënë shulin shtëpive dhe të shpërngulen.

„Me lot në sy do ta lëshojmë fshatin, por jemi të detyruar ta bëjmë këtë. Këtu nuk kemi kurfarë kushtesh për jetë“, pohon babai i tetë fëmijëve, Millomir Erakoviq.

Në bashkinë e Kurshumlisë thonë se nga qeveria serbe do të kërkojnë që fshatarëve në brezin kufitar urgjentisht t'u kthehet energjia elektrike dhe që të ndërtohet rruga për në këto fshatra.

Në dhjetë vitet e fundit, për shkak të mungesës së sigurisë dhe përkujdesjes së shtetit, shtatë fshatra të komunës së Kurshumlisë, të cilat gjenden në brezin kufitar me Kosovës, janë boshatisur tërësisht.

Autor: Ljiljana Danilovic / Bahri Cani

Redaktoi: Eliana Xhani