1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pajisja me karta identiteti do të përmirësojë pozitën e qytetarëve gjatë aplikimit për vizë

15 Prill 2009

Mungesën e besueshmërisë ndaj dokumentave shqiptare të identitetit përbën një nga problemet kryesore në procesin e marrjes së vizave.

https://p.dw.com/p/HXng
Visum Schengener StaatenFotografi: picture-alliance/chromorange

Zbatimi i Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave konsiderohet nga BE një test për Shqipërinë. Suksesi i saj shtron rrugën për hapin pasues, të shumëpritur: heqjen e regjimit të vizave dhe realizimin e ëndrrës së qytetarëve të Shqipërisë për lëvizjen e lirë.


Një studim i Lëvizjes Europiane Shqiptare, (LESH) një organizatë jofitimprurëse me seli në Tiranë, analizon ecurinë e kësaj marrëveshjeje, që nga hyrja e saj në fuqi në Janar 2008. Studimi e vlerëson pozitive këtë ecuri, por konstaton edhe disa mangësi që u krijojnë probleme kategorive të qytetarëve që përfitojnë nga Marrëveshja e Lehtësimit të Vizave.


Ditmir Bushati, Drejtor Ekzekutiv i kësaj organizate vendos në krye të tyrë mungesën e besueshmërisë, që ambasadat e vendeve të BE në Tiranë kanë ndaj dokumentave të identitetit të aplikantëve për vizë dhe dyshimit të tyrë për falsifikimin e tyre. Në kushte të tilla, ambasadat lypset të kërkojnë dokumenta shtesë.


“Njëra ambasadë mund të kërkojë certifikatë familjare, një tjetër thjesht certifikatë personale. Një ambasaë e kërkon të përkthyer dhe të noterizuar, një tjetër thjesht të fotokopjuar. Krijohet përshtypja se kur qytetarët e Shqipërisë aplikojnë për një vizë Schengen (Shengen) procedurat në një ambasadë x janë të ndryshme nga procedurat në një ambasadë y dhe kjo krijon vështirësi” thotë Ditmir Bushati.


Por për Denis Gilën, këshilltar në Komisionin Parlamentar të Integrimit Europian mungesa e një standardi në dokumentacionin dhe procedurat e kërkuara për të marrë një vizë Schengen është normale. Secili vend anëtar i BE gëzon të drejtën e përcaktimit vetë të procedurave dhe të dokumentacionit. “Kjo është një çështje e vendeve anëtare të BE. Politika e jashtme, ku futet edhe Marrëveshja e Lehtësimit të Vizave, nuk është një çështje e BE por e secilit vend anëtar,” thotë Denis Gila.


Mungesa e besueshmërisë ndaj dokumentave të identitetit, që zotërojnë tani për tani shumica e shqiptarëve, ka sjellë edhe një përqindje të lartë të refuzimit të vizave edhe për ata që përfitojnë nga marrëveshja në fjalë. “Shkalla e refuzimit të vizave për shtetasit shqiptarë nuk duhet të jetë më e lartëse 3% që Shqipëria të shkojë drejt heqjes së regjimit të vizave. Për fat të keq Shqipëria e ka mbi 20%, shifër që është më e larta në rajon” thotë Ditmir Bushati.


Fillimi në janar të këtij viti i procesit të pajisjes së qytetarëve të Shqipërisë me karta identiteti dhe pasaporta biometrike të standardeve ndërkombëtare do të krijojë bazën e duhur, që zyrat konsullore të ambasadave të BE në Tiranë të mos kërkojnë më dokumentacion shtesë. Të dhënat nga studimi i Lëvizjes Europiane Shqiptare flasin se ritmet e këtij procesi në Shqipëri janë të ngadalshme në krahasim më Maqedoninë dhe Serbinë. Kjo renditje vlen edhe për ecurinë e zbatimit të Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave.


“Në grupin e parë renditet Maqedonia, si më përpara në këtë process, në të dytin Serbia dhe Mali i Zi dhe në të fundit Shqipëria dhe Bosnja,” paraqet Ditmir Bushati të dhënat e studimit të Lëvizjes Europiane Shqiptare.


Por kjo renditje mund të ndryshojë dhe Shqipëria të dalë nga grupi i vendeve të fundit në rajon lidhur me ecurinë e Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave.


“Brenda 6 mujorit të parë të këtij viti pritet që Komisioni Europian të hartojë raportin e dytë për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Në qershor pritet një vendim përfundimtar, se cilat nga vendet e Ballkanit perëndimor do të kalojnë në procesin e liberalizimit. Për ato që do të kalojnë, Komisioni Europian do t'i propozojë Këshillit Europian të amendojë rregulloren Schengen për t'i kaluar ato nga lista e zezë në listën e bardhë. Më pas ky Këshill vendos me shumicë votash për vendet që do të kalojnë në procesin e liberalizimit dhe vendet që do të mbeten tek procesi i lehtësimit të vizave.”


Qershori do të jetë muaji përcaktues për këtë proces edhe për një arsye tjetër. Më 28 qershor në Shqipëri zhvillohen zgjedhjet parlamentare të radhës. Vlerësimi i tyre si zgjedhje te lira, të ndershme dhe konform standardeve ndërkombetare do të jete një plus i madh për Shqipërinë për të kaluar në grupin e vendeve që meritojnë liberalizimin e vizave.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Elert Ajazaj