1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pak shance pune në Kosovë - Reportazh nga Gjilani

12 Qershor 2009

Në Gjilan, njëra ndër shtatë qendrat rajonale të Kosovës, ekonomia e shkatërruar nga lufta dhe privatizimi i ndërmarrjeve, kanë ndikuar në rritjen e papunësisë në mbi 50 për qind.

https://p.dw.com/p/I7wA
Të papunë në Kosovë.
Papunësia mbi 50 për qind në Gjilan.Fotografi: AP

Dita që zgjodhëm për të vizituar komunën e Gjilanit, ishte e vranët e me shi. Por, kjo nuk na pengoi të ecim tutje për të parë nga afër, si jetohet atje. Rrugët janë të lagura. Natyra e zymtë. Një zymtësi, jo fort larg fytyrave të njerëzve, të cilët megjithëse dhanë shumë për një Kosovë ndryshe, fryti iu qëndron larg duarve.

Në dalje të Prishtinës në fshatin Mramur, Muharrem dhe Esat Gashin i gjejmë në punëtorinë e tyre. Ata sjellin brengat e rreth 2000 banorëve të fshatit të tyre, brenga, paksa të pazakonshme për një fshat, i cili nuk është më larg se 7 kilometra vijë ajrore nga kryeqyteti. „Jetohet, deri diku…Probleme me tatimin, me rrymën të cilat nuk të lënë të ecesh përpara. Veç sa për ekzistencë…,“ - thotë Muhameti. „Sikur të kisha rrymë non-stop, edhe dy punëtorë do t´i punësoja. Por, tash as jam për vete as për të tjerët. Më herët kishim vetëm nga 2 orë rrymë në ditë. E tash, ndodh t´më mbetet kerri n´lift me nga tri orë, vetëm për dhjetë minuta punë," shton vëllai Esati, të cilin në ambientin ku jeton e pengon papastërtia, moszgjidhja e çështjes së kanalizimit, si dhe mungesa e qasjes në rrjetet televizive vendore. "Se, jemi shumë prapa sa i përket këtyre çështjeve. Është mëkat! Fëmija im sot kqyr veç programe gjermane, se s´ka ku tjetër? S´kam as unë!“

Drejt Gjilanit, komunë në juglindje të Kosovës, na çon një rrugë e rrethuar me peisazhe të mrekullueshme. Stacioni ynë i parë është fshati Pasjak në periferi të qytetit, tek një grumbull burrash që po shtrojnë kalldrëm. Burra të pa punë prej moshës 20 deri në 40 vjeç, të cilët dëshmojnë vazhdimësinë e peripecive të brezit të tyre, dëshmitarë të dhimbjeve e sakrificave të mëdha. Nexhat Mehmeti 40 vjeçar, baba i katër femijeve, para luftës punonte si komercialist në therrtore. “Tash po rrimë n´shpi! Nuk e di as qysh po rrnojmë. Për bukë s´ka vdek kurrkush, ama ekzistojmë, me shumë vështirësi,”-thotë Nexhati. “Unë punoj…Kurrgja hiç, valla! Për momentin me njëfarë bageri punoj me një kojshi dhe një nip. Kur ka punë, punoj, kur s´ka, rri qeshtu. E ndihmë prej kërkujt s´kemi,”- shton Njazi Ibrahimi 39 vjeçar, i papune dhe baba i katër fëmijëve.

Këtu dallon vetëm fati i Ali Behlulit, 67 vjeç, i cili për 25 vjet ka punuar në Braunschwajg të Gjermanisë dhe tashmë merr pensionin prej 500 eurosh. Dhe prandaj, dëshirat e tij janë më ndryshe se të bashkëfshatarëve të tij! “Shkolla na u ka vjetru, e kisha dashtë me na mbaru një shkollë, këtu n´Pasjak," -shprehet Aliu. Me na maru t´re qysh po i mbarojnë gjithkah, se dhe neve na takon. Me pas edhe ambulancën ish konë mirë, n´paqin mundsi…Edhe parkun me na rregullu qaty kah lujnë fëmijët."

Kryesuesi i Kuvendit të Klinës, Bujar Nevzati, sjell arsyet e kësaj papunësie, shkalla e së cilës nuk dallon nga ajo e komunave të tjera në Kosovë. „Pas marrjes së autonomisë së Kosovës nga qeveria e Serbisë është shkatërruar ekonomia dhe në Fabrikën e Tekstilit, të Duhanit e të Baterive ku kanë punuar rreth 20 mijë punëtorë, pas luftës punojnë vetëm 20 për qind ne Fabrikën e Radiatoreve, ngaqë janë privatizuar. Mirëpo, qytetarët e Gjilanit me privatizim nuk kanë gjetur ndonjë zgjidhje të problemit të papunësisë, sepse ndërmarrjet kanë mbetur të mbyllura, gërmadha apo kanë fillu me punu me një kapacitet dhjetë per qind në krahasim me kohën para viteve 90-të“.

E gjilanasit kërkojnë të paktën një të ardhme për pasardhësit e vet! „Me na u hap puna për djem, se po e shihni edhe vet, djemtë e ri po bredhin poshtë e lart. Unë nuk them se nuk ka punu qeveria veç, ama sa duhet jo!”-thotë Aliu. „Motër, unë i kam 40 vjet. Por, ka ma t´ri se unë. Bile ata le t´mbërrinë diçka. Le t´iu mundësohet punësimi. Neve na shkoi jeta kështu, herë mbi udhë e herë nën udhë, e kapërcyem diqysh. Veç, djali jem të mbërrijë një ditë ma t´mirë, djali i këtij e i tjetrit…Për ata të ketë shpresë se kanë me pas diçka,“- thotë Njaziu.

Dhe, sikur kjo të mos mjaftonte, banorët e Pasjakut gjenden para një sfide tjetër: procesit të decentralizimit. Të 850 banorët e këtij fshati e kundërshtuan me një peticion bashkangjitjen me komunën e Novo Bërdës, e cila është larg rreth 30 kileomtra nga Pasjkau, për dallim nga komuna e Gjilanit prej të cilës i ndajnë vetëm tri kilometra.

Autor : Ajete Beqiraj

Redaktoi : Aida Cama