1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Paketa e kursimeve korr kritika të ashpra - Bundestagu debaton

9 Qershor 2010

Koalicioni qeveritar gjerman ka mbrojtur në bundestag paketën e kursimit kundër kritikave të ashpra të opozitës, se planet e qeverisë janë antisociale dhe se ato prekin shtresat më të ndjeshme të popullsisë.

https://p.dw.com/p/NmIf
Wolfgang Schäuble, mbron paketën e kursimeveFotografi: AP

Kritika nuk erdhën vetëm nga opozita, edhe në radhët e Unionit janë shtuar zërat kundër paketës së kursimeve të qeverisë gjermane. Politikanët e Unionit bëjnë fjalë për pabarazi të kursit të kursimeve- Paketa nuk prek shtresën e të pasurve gjermanë.

Përkundër këtyre zërave, ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble është shprehur në bundestag se piketat janë vendosur dhe nuk do të vihen më në diskutim, por ka vend edhe për korrigjime në paketë.

Ndërkohë në koalicion është ndezur debati edhe mbi tatimin më të lartë të shtresës që fiton më shumë. Presidenti i Bundestagut Norbert Lammert tha se do të dëshironte që në këtë paketë të kontribuojnë edhe ata që fitojnë më shumë. Ngjashëm u shpreh edhe kryetari i Këshillit Ekonomik të Unionit Kristiandemokrat, Kurt Lauk. Në këtë pikë duhet bërë ndryshime, tha ai për kanalin e parë televiziv gjerman ARD.

Opozita akuzon qeverinë për rrezikim të paqes sociale

Shefja e të gjelbërve Claudia Roth akuzoi qeverinë se po rrezikon paqen sociale në vend. Paketa e diskutueshme e kursimeve e koalicionit qeveritar i përbërë nga Unioni dhe FDP-ja do të jetë për herë të parë edhe temë në parlament. Me kërkesë të Partisë Socialdemokrate dhe të Partisë së Gjelbër në Bundestag debatohet para së gjithash për shkurtimet në mbështetjen për të papunët dhe prindërit. Qeveria federale gjermane planifikon që deri në vitin 2014 të kursejë rreth 80 miliardë euro. Shkurtime janë paraparë ndër të tjera edhe në shërbimet publike dhe në ushtri. I prekur nga shkurtimet nuk mbetet as sektori i ekonomisë. Opozita dhe sindikatat kanë paralajmëruar rezistencë masive. Sipas tyre paketa e kursimeve është e padrejtë.

Claudia Roth Bundesvorsitzende Neujahrsklausur
Claudia RothFotografi: AP

AG/E. Ahmeti/L. Arapi

Redaktoi: M. Cika-Kelmendi