1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Palestina nuk duhet të duket si "djathë zvicerian" - Presidenti i palestinezëve Abaz takon presidentin e SHBA-ve Xhorxh W. Bush

Rolf Mayer25 Prill 2008

Askush nuk beson se deri tani ka pasur ndonjë përparim në zgjidhjen e konfliktit bazë izraelito-palestinez dhe specialistët janë më shumë se skeptikë se ndërmjetësimi i Bush-it mund të ketë sukses.

https://p.dw.com/p/DobX
për paqe mes izraelitëve dhe palestinezëve
Specialistët janë më shumë se skeptikë dhe i vlerësojnë të pakta shanset për sukses të Bush-it për paqe mes izraelitëve dhe palestinezëve

Në nëntor të vitit të kaluar Xhorxh Bush në përfundim të konferencës për Lindjen e Afërme të organizuar prej tij në Annapolis pranë Uashingtonit kishte vendosur një objektiv ambicioz: paqe mes izraelitëve dhe palestinezëve deri në fund të mandatit të tij, pra deri në janar të vitit 2009. Pesë muaj pas konferencës në Annapolis negociatat kanë mbetur sërisht në vend. Konflikti kryesor është politika e ngulimeve që ndiqet nga Izraeli.

Gjatë takimit me presidentin e palestinezëve Mahmud Abaz në Shtëpinë e Bardhë, Bush u shpreh megjithatë optimist: objektivi ende mund të arrihet tha ai duke shtuar se shteti palestinez mund të "përcaktohet" deri në fillim të vitit të ardhshëm:

"Ky shtet është shumë i rëndësishëm për qeverinë time. Ai duhet të jetë i aftë të egzistojë dhe nuk duhet të duket si djathë zvicerian, ai duhet të sjellë shpresë..."

Abaz ishte ulur pranë presidentit Bush dhe miratonte miqësisht me kokë , e falenderoi presidentin Bush për mbështetjen e dhënë dhe tërhoqi vëmendjen me kujdes se për të gjitha palët ngadalë koha po skadon. Duhet shpejtuar nëse dëshirohet të arrihet objektivi i presidentit Bush. Pikërisht këtë duket se ka ndërmend Xhorxh Bush - ai do të nxitojë. Në maj Bush do të bëjë vizitën e tij të dytë në rajon brenda këtij viti. Zyrtarisht ai do të shkojë atje për të marrë pjesë në festimet për 60-vjetorin e krijimit të shtetit të Izraelit. Jozyrtarisht pritet që ai të përpiqet të shtyjë kryeministrin izraelit Ehud Olmert të ndalojë zgjerimin e planifikuar të ngulimeve hebreje në Jordanin Perëndimor. Specialistët si Aaron David Miller, për kohë të gjatë negociator i SHBA për Lindjen e Afërme, janë më shumë se skeptikë dhe i vlerësojnë të pakta shanset për sukses të Bush-it.

"Nuk mendoj se Olmert ka aq pushtet sa duhet për t'u dhënë fund vetë ngulimeve. Dhe administrata Bush nuk është aq e fortë sa duhet për t'a detyruar Olmertin."

Abaz u përpoq të ndryshonte pikërisht këtë me vizitën në Shtëpinë e Bardhë. Në një fjalim në institutin Arabo-amerikan ai foli për diferenca të mëdha mes palestinezëve dhe izraelitëve dhe më pas i kërkoi ministres amerikane të punëve të jashtme Kondoliza Rajs të angazhohej për një ndërhyrje më energjike të Uashingtonit në çështjen e ngulimeve hebreje.

Por megjithë premtimet e presidentit Bush se shteti palestinez nuk duhet t'i ngjajë një djathi zvicerian, pra palestina nuk duhet të jetë e çarë nga ngulimet izraelite, skeptikët nuk përfshihet nga optimizmi i presidentit Bush. Ata janë më shumë dakort me ish presidentin amerikan dhe mbajtësin e çmimit Nobel Xhimi Karter i cili në fund të udhëtimit të tij në Lindjen e Afërme konstatoi me kthjelltësi:

"Askush nuk beson se ka patur ndonjë përparim në zgjidhjen e konfliktit bazë izraelito-palestinez. Kjo është dekurajuese. Të gjithë shpresojnë paqen, është negociuar shumë por deri tani asgjë nuk është arritur."