1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pamje nga një shtet dhjetëvjeçar

Nemanja Rujevic21 Maj 2016

Mali i Zi kremton të shtunën dhjetëvjetorin e ndarjes nga Serbia. Nëse vërtet ka diçka për të festuar, varet nga ata që pyet.

https://p.dw.com/p/1Is7l
Fotografi: DW/A. Bogavac

Princi i vjetër

Vetëm dhjetë vjet pavarësi? Në rrugët e Podgoricës nuk duhet ta thuash me zë të lartë këtë. Aty festohet bashkë me pavarësinë përvjetori i 1000-të i vdekjes së princ Vladimirit që sundonte në territorin e sotëm të Malit të Zi. Një shtet mijëvjeçar pra, thotë elita aktuale në pushtet që gëzon privilegjin e interpretimit dhe të organizimit të të gjithë jubileut, pavarësisht se si shkruante dikush në internet princ Vladimiri nuk e dinte se ekzistonte ndonjë Mali i Zi. Edhe pavarësia e sotme nuk erdhi pa polemika - saktësisht dhjetë vjet më parë diferencave e votave pro në referendumin për ndarjen nga Serbia ishte aq e vogël saqë, shumëkush u shpreh për një mashtrim. Shteti i vogël, mes Adriatikut dhe maleve, është i dyti më i ri i njohur ndërkombëtarisht. Vetëm Sudani i Jugut u bë anëtar i OKB-së më vonë.

Princi i ri

Politikanët e Ballkanit janë të njohur për kokëfortësinë për të mos lëvizur nga pushteti. Por edhe në këtë garë të fortë Milo Gjukanoviçi është konkurrent i padiskutueshëm: në Evropë atij mund t'ia kalojë e shumta presidenti bjellorus Lukashenko. Gjukanoviçi është që nga vitit 1991 ose kryeministër ose presidenti i vendit - ok për dy periudha të shkurtra ai ka qenë vërtetë jashtë pushtetit, por këto pushime i ka bërë me dëshirën e tij. Njeriu i fortë i Malit të Zi ka ecur gjithmonë me hapin e kohës duke pasur çdo funksion të mundëshëm sikurse e kërkonte sistemi: zyrtari i ri komunist, shok i autokratit nacionalist Slobodan Milosheviçit, ideolog i ndarjes së vendit të tij prej Serbisë dhe në fund partner i Perëndimit, i cili do ta çojë vendin e tij në Bashkimin Evropian dhe në në NATO. Kritikët e tij e akuzojnë Gjukanoviçin se e qeveris Malin e Zi si pronën e tij private. Njeriut dy metra të gjatë nuk i bën përshtypje kjo. Dhe ajo që duhet t'i frikësojë vërtet kundërshtarët e tij është se ai është vetëm 54 vjeç.

Montenegro Parlament Premierminister Milo Djukanovic
Fotografi: picture-alliance/dpa/B. Pejovic

Korrupsioni dhe opozita e dobët

Me një pagë mesatare prej 480 eurosh dhe një nivel papunësie prej 15 për qind, gjendja e 620,000 banorëve të Malit të Zi është pak më e mirë se e atyre të Serbisë. Jo pak i konsiderojnë këto shifra zyrtare si të zbukuruara. Interesante është të dish se si është gjendja e malazezëve që janë anëtarë të Partisë Demokratike të Socialistëve. Sepse nepotizmi, shteti partiak dhe korrupsioni janë disa nga kritikat që kryeministri i injoron - sikurse dhe akuzat e Prokurorisë italiane, e cila e quajti atë personalisht si padron të kontrabandës së cigareve në vitet nëntëdhjetë.

Opozita kritikon se shkaku më i rëndësishëm pse Gjukanoviçi është prej kaq kohësh në pushtet, është se vendet e punës në administratën publike shpërndahen kundrejt votave të pasuesve besnikë. Në një bisedë të regjistruar mes një bashkëpunëtori të afërt të Gjukanoviçit me një pasues të tij në lidhje me një vend pune në sektorin publik u ra dakord për këtë zgjidhje "një vend punë - katër vota".

Thuhet se për të përçarë opozitën Gjykanoviçi ose krijon vetë parti të tjera ose i blen ato. Përpjekjet për krijimin e një fronti kundër tij - versioni aktual mban emrin Fronti Demokratik - kanë dështuar kryesisht se partitë pro perëndimore dhe pro serbe nuk merren dot vesh me njëra-tjetrën.

Montenegro illegales Bauen Dobra Voda
Fotografi: DW/ Sasa Bojic

Anëtarësia në NATO

Vjeshtën e kaluar në Podgoricë u mblodhën për të protestuar rreth 10.000 demonstrues. Demonstrata drejtohej kundër korrupsionit, por me shfaqjen e ikonografisë nacionaliste serbe nga ana e partive opozitare pro serbe, numri filloi të pakësohej. Serbët që përbëjnë 28% të banorëve të vendi, thuhet se janë më tepër kundër anëtarësimit në NATO sesa kundër korrupsionit. Por anëtarësimi në NATO është gjë e mbaruar. Të enjten u nënshkrua në Bruksel protokolli i anëtarësimit. Gjykanoviçi ka kohë që i ka kthyer shpinën aleatit tradicional Rusisë dhe ndryshe nga Serbia merr pjesë në sanksionet e BE-së kundër Rusisë.

Bregdeti dhe veriu

A lidhet me anëtarësimin në NATO fakti që vitet e fundit nga bregdeti malazez po largohen pronarët rusë të pasurive të patundshme? Thuhet se rusët janë pronarë të rreth 70.000 pasurive të patundshme në Mal të Zi dhe kështu edhe klientët më të mëdhej të sektorit të turizmit që përbën një të katërtën e prodhimit të brendshëm bruto.

E ndërsa bregedeti është i mbushur me anijet e oligarkëve dhe me kazino, para njërës prej së cilave janë xhiruar edhe disa skena me Xhejms Bondin (Daniel Craig) në filmin "Casino Royal", veriu i vendit, ku banojnë kryesisht serbë dhe myslimanë është i varfër dhe një ndër çdo tre vetë është i papunë. Shumë prej banorëve përpiqen të largohen drejt bregdetit, Podgoricës apo të kërkojnë azil në Gjermani. Por Mali i Zi konsiderohet si vend i sigurt.

Edhe autostrada që synon ta bëjë edhe veriun e vendit tërheqës për turistët, sepse luginat e lumenjve Tara dhe Moraça janë të bukura, po ndërtohet prej kinezëve dhe prej kësaj nuk përfiton ekonomia vendase. Sepse kinezët investojnë në Ballkan sipas këtij modeli: kredinë e jep një bankë kineze, tenderin e fiton një firmë kineze, e cila sjell me vete punëtorë kinezë që sjellin me vete edhe ushqimin e tyre nga Kina.

Montenegro Proteste in Podgorica
Fotografi: DW/N. Rujević

Profesion i rrezikshëm

Përveç korrupsionit një pikë e përsëritur kritike në raportet e BE-së është gjendja e mediave. Dymbëdhjetë vjet më parë u vra kryeredaktori i gazetës së përditshme proserbe "Dan", Dushko Jovanoviç . Prej asaj dite kjo gazetë boton çdo ditë në faqen e parë të saj fotografinë e tij me pyetjen: Kush e vrau Dushkon? Në dekadën e fundit ka pasur dhjetëra sulme ndaj gazetarëve kritikë dhe fajtorët vazhdon të konsiderohen në dosjet e policisë si "persona të panjohur". Një herë që dorasit ishin të njohur: kryetari i bashkisë së Podgoricës, mik i kryeministrit, i cili rrahu së bashku me të birin dy gazetarë në qendër të qytetit, u dënua sigurisht - me 400 euro gjobë.

Rromuzet

Jugosllavia socialiste nuk ekziston më, por stereotipet rreth popujve të tij, vazhdojnë të mbijetojnë pa vështirësi. Kështu edhe sot tregohen histori ku thuhet me qesëndi se sllovenët janë kopracë, boshnjakët nuk janë dhe aq të zgjuar dhe malazezët janë dembelë. Pra, çfarë e bën një kamerier malazez kur një turist i mirësjellshëm i kërkon një birrë? Kamerieri thotë: "Ja ku e ke fuçinë, shko merre birrën dhe më sill dhe mua një!"