1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papa viziton Izraelin

12 Maj 2009

Pas Jordanisë Papa Benedikt i XVI vizitoi Izraelin. Në vendin e shenjtë Papa vizitoi Memorialin e Holokaustit duke u shprehur qartë kundër harresës dhe përgënjeshtrimit. Ai u prononcua edhe për gjendjen e palestinezëve.

https://p.dw.com/p/HoIf
Papa në takim me Meir Laun, shef i Jad Vashemit dhe kryerabinin e Tel Avivit, Reuven Rivlin.
Papa takon Meir Laun, shef i Jad Vashemit dhe kryerabinin e Tel Avivit, Reuven Rivlin.Fotografi: AP

Gjatë vizitës së të hënës (11.5.) në fjalën e tij të mbajtur në Memorialin e Holokaustit Jad Vashem në Jeruzalem, Papa Benedikt i XVI kujtoi vuajtjen e popullit hebre gjatë sundimit të nazizmit: "Kam ardhur, të qëndroj në heshtje përpara këtij monumenti, që u ngrit për të nderuar miliona hebrej, të cilët u vranë gjatë tragjedisë së tmerrshme të Shoasë. Ata humbën jetën e tyre, por ata nuk do të humbasin kurrë emrat e tyre: ato janë të pashuar në zemrat e të afërme të tyre të dashur, të të mbijetuarve të bashkëdënuar me ta. Emrat e tyre janë të gdhendur në kujtesën e të gjithë atyre, që janë të vendosur të mos lejojnë më kurrë akte të tilla tmerri, që çnderojnë njerëzimin."

Papa në Jad Vashem.
Papa Benedikt i XVI kujtoi vuajtjen e popullit hebre gjatë sundimit të nazizmit. Papa në Jad Vashem.Fotografi: AP

Papa Benedikt i XVI theksoi si Peshkop i Romës dhe si pasues i Apostullit Pjetër, e po ashtu si edhe paraardhësit e tij, që "kisha është e detyruar të lutet dhe të punojë pa u lodhur, në mënyrë që urrejtja asnjëherë të mos sundojë zemrat e njerëzve."

"Ndërsa ne qëndrojmë në heshtje këtu, thirrja e viktimave vazhdon të jehojë në zemrat tona. Kjo është thirrja kundër çdo akti padrejtësie dhe dhune. Është një akuzë e vazhdueshme kundër derdhjes së gjakut të pafajshëm. (..) "Të dashur miq, unë i jam thellësisht mirënjohës Zotit dhe Juve për mundësinë që të qëndroj këtu në heshtje. Heshtje për të kujtuar, heshtje për t' u lutur, heshtje për të shpresuar."


Papa takon presidentin izraelit Shimon Peres.
Kam ardhur të lutem për "një dhuratë të çmuar: paqen dhe unitetin në Lindjen e Mesme". Papa takon presidentin izraelit Shimon Peres.Fotografi: AP

Në Vendin e Shenjtë, Papa Benedikt i XVI i bëri thirrje Izraelit të mbrojë të drejtat e të gjithë banorëve të vendit. "Interesi i vërtetë i një kombi garantohet gjithmonë përmes drejtësisë për të gjithë," tha kreu i kishës katolike të hënën gjatë vizitës së kortezisë tek Presidenti i Izraelit, Shimon Peres. Duke lënë të nënkuptojë gjendjen e palestinezëve, Papa theksoi rëndësinë e dhënies së mundësive të arsimit, të hapësirës së banimit dhe punës, për ngritjen e një shoqërie të bazuar tek paqja dhe liria. «Unë dëgjoj thirrjen për paqe, siguri dhe për një jetë pa frikë nga kërcënimet dhe dhuna e marrë", tha Papa. Kam ardhur të lutem për "një dhuratë të çmuar: paqen dhe unitetin në Lindjen e Mesme".

Autor: Vilma Filaj Ballvora

Redaktoi: Aida Cama