1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papa viziton memorialin e Holokaustit në Jeruzalem

Angjelina Verbica (kna, dpa)26 Maj 2014

Në ditën e fundit të vizitës së tij në Lindjen e Mesme Papa Françesku viziton memorialin e Holokaustit Yad Vashem në Jeruzalem. Ai e cilëson Shoan "tragjedi të pamasë".

https://p.dw.com/p/1C70a
Papa në Yad Vashem 26.05.2014
Fotografi: Reuters

Gjatë vizitës në memorialin e holokaustit Yad Vashem në Jerusalem Papa Françesku u lut për viktimat e Shoas. Në një fjalim të shkurtër ai e quajti Holokaustin "një tragjedi të pamasë". "Ndoshta as Perëndia nuk mund ta ketë imagjinuar që të bihet kaq poshtë, në një humnerë të tillë", tha kreu i kishës katolike. "Kurrë më Zot, kurrë më", thirri ai.

Nderim i viktimave të Holokaustit

Françesku foli për horrorin, që kanë krijuar njerëzit, të cilët e ndjenin veten përgjegjës për të vendosur se cila është e mira dhe e keqja. Prandaj për shpëtimin e njeriut është e nevojshme falja nga Zoti. "Na jep urtësinë, që të turpërohemi për atë, që kemi qenë në gjendje të bëjmë ne si njerëz", përfundoi Papa.

Më parë ai kishte biseduar shkurt me disa të mbijetuar të Holokaustit. Papa shoqërohej nga presidenti izraelit Shimon Peres, kryeministri Benjamin Netanjahu dhe nga ish-kryerabini Israel Meir Lau, i cili e ka mbijetuar si fëmijë holokaustin. Në sallën e përkujtimit Papa ndezi dritën e përjetshme.

Edhe një ditë më parë Papa kishte porositur të kihet kujdes nga rilindja e antisemitizmit. "I lutem Zotit, që kurrë më, të mos ndodhë një krim i tillë", tha Papa. Antisemitizmi nuk duhet të ketë më vend në shoqëritë moderne, "pavarësisht se në çfarë forme shprehet ai".

Dialogu me feve të botës

Para vizitës në Yad Vashem Papa bëri një ndalësë në Murin e Vajtimit, në vendin më të shenjtë të judaizmit. Sipas zakonit hebre, ai vendosi në një të çarë në mur një letër me lutje, në të cilën kishte shkruar me dorë lutjen Ati Ynë.

Papa Françesku tajon Myftiunn e Jeruzalemit
Papa Françesku tajon Myftiunn e JeruzalemitFotografi: Getty Images

Në Malin e Tempullit ai u takua me Myftiun e madh të Jeruzalemit, Mohammed Hussein. Në takim Papa tha se detyrë e përbashkët e të krishterëve dhe myslimanëve është realizimi "i paqes dhe i drejtësisë". Ai paralajmëroi përsëri nga rreziku i keqpërdorimit të fesë: "Le të mësojmë të kuptojmë vuajtjen e tjetrit! Askush të mos e përdorë emrin e Perëndisë si justifikim për dhunë!" Mali i Tempullit me Kupolën e Shkëmbit dhe xhaminë Al-Aksa është vendi i tretë i shenjtë i fesë islame, pas Mekës dhe Medinës.

Pastaj Françesku vendosi në varrezat kombëtare një kurorë në varrin e Theodor Herzl (1860-1904). Për herë të parë një papë nderon pionierët e shtetit modern të Izraelit. Në 1896 Herzl botoi veprën "Shteti hebre", që konsiderohet si vepra kryesore e sionizmit politik.

Ndryshe nga ç'ishte parashikuar në program Papa bëri një vizitë në memorialin kombëtar për viktimat e terrorizmit. Pas bisedimeve me Peres dhe Netanjahu Papa do të takohet përsëri me Patriarkun ekomunik të Konstantinopojës, Bartolomeu I.

Papa Françesku dhe Patriarku Bartolomeu; Afrimi i dy kishave pas 1000 vjetësh
Papa Françesku dhe Patriarku ortodoks Bartolomeu; Afrimi i dy kishave pas 1000 vjetëshFotografi: Reuters

Në takimin e tyre parë të dielën (25.05.2014) ata nënshkruan një deklaratë, që bën thirrje për afrimin e kishës katolike romane dhe kishës ortodokse. Françesku dhe Bartolomeu patën një lutje të përbashkët në kishën e varrit të Krishtit në Qytetin e Vjetër të Jeruzalemit. Agjencitë e lajmeve e vlerësuan këtë një ngjarje historike për krishterimin, sepse katolikët dhe ortodoksët nuk kanë qenë kurrë kaq pranë në doktrinë që prej skizmës së madhe të vitit 1054, kur u bë ndarja kanonike dhe liturgjike mes kishave të Lindjes dhe Perëndimit.

Qëllimi i vizitës së Papës në tokën e shenjtë është shënimi i 50 vjetorit të takimit historik në Jeruzalem të Papa Pali të VI dhe patriarkut të atëhershëm të Konstandinopojës Atinagora.