1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Paqyra e shtypit gjerman 27.06.2005

S.H26 Qershor 2005

Gazetat e sotme gjermane fokusohen tek vdekja e dy ushtarëve gjermanë në Afganistan.

https://p.dw.com/p/Aruw
Kancelari gjerman Schröder gjatë një vizite të trupave ushtarake në Afganistan
Kancelari gjerman Schröder gjatë një vizite të trupave ushtarake në AfganistanFotografi: AP

Gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung komenton:

"Kjo ngjarje tragjike na kujton edhe njëherë se sa të rrezikshme janë misione të tilla: Edhe ata ushtarë që nuk shkojnë me armatozë në Hindukush, por me detyrën për të siguruar paqen, për ta mbështetur qeverinë dhe për të ndihmuar në rindërtimin e vendit, rrezikojnë çdo ditë jetën e tyre. Opinioni publik ka kohë që pyet nëse misione të tilla ndihmojnë me të vërtetë për ta stabilizuar situatën politike dhe kushtet e jetesës së popullsisë. Në qarqet ushtarake flitet se do të duhen të pakten edhe 10 vjet, përpara se Afganistani të mos ketë më nevojë për praninë e trupave të huaja. Shtrohet pyetja nëse Perëndimi do të ketë aq shumë durim."

Ndërkohë gazeta Die Welt nga Berlini shkruan:

"Vdiqën në Afganistan! Misioni për sigurimin e paqes është në të vërtetë një mision i rrezikshëm ushtarak. As rregulloret më të forta nuk sigurojnë dot jetën e ushtarëve. Ushtarët gjermanë në Afganistan nuk janë të mbrojtur nga rreziqet, ndonëse ata vetë nuk përfshihen në misione të armatosura. Sigurisht që tani duhet të hetohet mirë se cilat ishin shkaqet për vrasjen e dy ushtarëve gjermanë. Ndoshta një aksident gjatë transportimit të municionit, por ndoshta edhe një sulm i parapregatitur. Sidoqoftë gjendja e sigurisë dhe paqes në Afganistan nuk është përmirësuar ende. Talibanët janë kthyer tani në mjeshtër të luftës së guerrilasve."


Edhe gazeta Südkurier nga Konstanz mendon:

"Si ushtarët vetë, ashtu edhe oficerët apo të afërmit e dinë rrezikun e misionit të tyre. Por tani për tani nuk dihet nëse vdekja e dy ushtarëve gjermanë ishte një aksident apo jo. Të dyja mund të ndodhin gjatë një misioni kaq të rrezikshëm. Ndoshta të afërmit nuk do t´i dëgjojnë me kënaqësi këto fjalë, por qeveria gjermane llogariti edhe me humbjen e ushtarëve, kur vendosi të dërgojë Bundesverin për të stabilizuar gjendjen në Afganistan. Ndonëse çdo i vdekur dhe i plagosur është një humbje e thellë, tani nuk duhet të bëjmë gabimin fatal dhe ta vëmë në pyetje dobinë e këtij misioni. Trupa ushtarake gjermane ka arritur shumë suksese gjatë misionit në Afganistan. Gjermanët mbahen atje si njerëz të dashur. Por ata kanë nevojë për mbrojtje. Fundja, trupat gjermane do të rrinë ende për vite të tëra në këtë vend."

Edhe gazeta Kieler Nachrichten komenton:

"Përpara pak javësh ministri i mbrojtjes u shpreh se në të ardhmen edhe ushtarët gjermanë do të rrezikojnë jetën e tyre gjatë misioneve gjermane në botë. Socialdemokrati Struck morri si përgjigje një heshtje të thellë. Tani që vdiqën dy ushtarë gjermanë në Afganistan, vendi po hesht sërish. Heshtja është një sinjal për pasigurinë e popullsisë: Bundesveri gjerman është kthyer në një ushtri luftarake, pa u zhvilluar më parë asnjë debat publik mbi këtë çështje. Shumica e gjermanëve duan paqe. Por gjermanët janë të zhgënjyer që vendi i tyre kaq i fuqishëm nuk është në gjendje ta paguajë këtë paqe. Opinioni publik në Gjermani është i pavendosur nësë ushtria gjermane duhet të marrë përsipër përgjegjësi ushtarake apo jo.


Dhe së fundi një koment nga gazeta Ostthüringer Zeitung mbi takimin e sotëm mes kancelarit gjerman Gerhard Schröder dhe presidentit amerikan Xhorxh Bush në Uashington:

"Ndoshta Bush mezi po pret që Angela Merkel t´i fitojë zgjedhjet në Gjermani, por kjo nuk do të thotë se çështjet politike ndërkombëtare duhet të presin deri në shtator. Sigurisht që qeveria amerikane e di gjithashtu se në Gjermani ende nuk është shpallur data kur do të zhvillohen këto zgjedhje, apo se si do të dalin rezultatet e tyre. Bush nuk ka alternativë tjetër, përveç se ta mirëpresë kancelarin Schröder dhe të bashkëpunojë me të."