1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Paqyra e shtypit ndërkombëtar

Martin Muno3 Qershor 2006

Shtypi ndërkombëtar u fokusua gjatë javës së kaluar tek kampionati Botëror i Futbollit, i cili fillon së shpejti në Gjermani dhe tek vizita e Papës Benedikt XVI në Poloni.

https://p.dw.com/p/Arpd

Gazeta TAGES-ANZEIGER nga Zyrihu shkruan mbi Papën Benedikti XVI:

"Vizita e tij në Poloni ishte një homazh për pararadhësin e tij, Gjon Pali II. Vizita në Ausshvic, ish kampin gjerman të përqëndrimit, ka një domethënie të madhe, sepse Papa vjen vetë nga Gjermania."

Gazeta franceze LE MONDE shkruan:

"Fjalimi i Papës la disa mbresa të çuditshme. Benedikti XVI bëri përgjegjës për atë që ndodhi në Ausshvic vetëm një "tufë me kriminelë", duke krijuar kështu përshtypjen se e liroi popullin gjerman nga përgjegjësia e tij. Por këtë nuk mund ta pranojë asnjë historian."

Ndërkohë gazeta italiane CORRIERE DELLA SIERRA komenton:

"Papa gjerman ndoqi shembullin e paraardhësit të tij, i cili e vizitoi kampin gjerman të përqëndrimit në vitin 1979. Fjalët e tij ishin të qarta dhe ai pyeti me të drejtë përse "heshti Zoti": Ku ishte Ai gjatë atyre ditëve? Përse heshti?"

Gazeta britanike DAILY TELEGRAPH shkruan:

"Vizita e Papës Benedikti XVI në Ausshvic është kurorëzimi i një procesi të gjatë pajtues mes atdheut të tij Gjermani dhe vendit lindor fqinj. Në vitin 1979, Villi Brand, kancelari i vendit që e filloi luftën e tmerrshme, u përul përpara lapidarit që nderon heronjtë e getos së Varshavës. Tani Papa, i cili ka qënë më parë antar i grupit të të rinjve të Hitlerit dhe për pak kohë madje dhe ushtar i trupave të nazistëve, lutet në vendin më të hidhur të Holokaustit për paqe. Ky ishte një moment historik me një domethënie të thellë."

Ndryshojmë temë. Imazhi i vendit ku do të zhvillohet Kampionati Botëror i Futbollit rrezikohet nga problemi i prostitucionit të detyruar dhe dhunës ndaj të huajve.

Gazeta austriake KURIER shkruan:

"Gjermania 2006 rrezikon të pësojë humbje të imazhit të saj për shkak të të djathëve që gjuajnë, shkelin e madje mbajnë armë zjarri. Të rinjtë gjermanë dhe parullat e tyre naziste janë kthyer gjatë kohëve të fundit në një problem të vërtetë për Gjermaninë. Por problemi më i rëndë nuk është debati që po zhvillohet në Gjermani mbi dhunën e djathtë, por ngjarjet e rënda që ndodhin aty rregullisht."

Gazeta britanike TIMES shkruan:

"Modë, elegancë dhe lehtësi - mirësevini në Gjermaninë e re. Kampionati Botëror i Futbollit i ofron lokomotivës së ekonomisë evropiane një shans unik për t´i varrosur klishetë e vjetra dhe për ta prezantuar vendin si një Gjermani dinamike, spontane dhe të qeshur. Organizatorët shpresojnë që turistët ta pëlqejnë Gjermaninë dhe gjermanët. Por kjo do të jetë e vështirë. Gjermania është përpjekur 60 vite me rradhë që ta kapërcëjë periudhën 12 vjeçare të dalldisë dhe vazhdon ta luftojë këtë imazh edhe sot e kësaj dite."

Gazeta daneze INFORMATION fokusohet tek prostitucioni i detyruar që pritet zhvillimit të Kampionatit Botëror:

"Kampionati Botëror i Futbollit do të zgjojë interesin e opinionit publik ndërkombëtar edhe me rreth 40.000 prostitutat evropiano lindore që do të jenë në Gjermani. Ato do të përqëndrohen në qytetet ku do të zhvillohen ndeshjet, për të plotësuar kështu edhe dëshirat e tifozëve që janë të uritur për seks. Dihet që prostitucioni është pjesë e ngjarjeve të mëdha sportive. Por reagimet e institucioneve gjermane, dëshmojnë se Evropa ka të bëjë me një problem të thellë morali. Këtu jo vetëm që i mbyllin sytë të gjithë përpara këtij biznesi me seksin, por vënë madje edhe banesa në dispozicion për vajzat evropiano lindore."

Dhe së fundi në gazetën franceze REPUBLIQUE DU CENTRE lexojmë:

"Përse festojmë një herë në vit ditën e grave, kur të gjithë mesa duket mezi presin që të bëhen pjesë e kësaj klisheje të pistë? Çdo tifoz është një derr i vërtetë? Përse nuk ofrohen pra bileta të kombinuara, si për shembull "Stadium-Bordel"? Sigurisht që prostitucioni në Gjermani është legal, por është e pafajshme që një ngjarje sportive të kthehet në një fushatë reklamash për biznesin me seksin."