1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Moska bllokon - Lavrov nuk pranon grup kontakti për Ukrainën

exh (dpa, afp, rtr)6 Mars 2014

Bisedimet e ministrave të jashtëm të BE për konfliktin Rusi-Ukrainë ishin të vështira dhe dështuan. Përfaqësuesit evropianë mbetën shumë të zhgënjyer.

https://p.dw.com/p/1BKzJ
Takimi i ministrave të jashtëm të BE-së në Paris për krizën në Ukrainë.
Fotografi: Reuters

Përpjekjet për zbutjen e krizës së Krimesë pësuan një dështim. Ministrat e jashtëm vendeve perëndimore dhe Rusisë nuk arritën të bien dakord të mërkurën (5.3.) në Paris për krijimin e një grupi kontakti për zgjidhjen e krizës. "Ne ende nuk kemi rënë dakord për një format të përbashkët për bisedimet mbi zgjidhje afatmesme dhe afatgjata", tha ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier, pas konsultimeve të cilat zgjatën gjithë ditën në kryeqytetin francez.

Steinmeier ishte megjithatë i mendimit se një grupi të tillë kontakti i duhet dhënë sa më shpejt një shans. Rreth kushteve për këtë do të negociohet ditët e ardhshme. "Kemi ditë të vështira përpara", tha Steinmeier. Por ekziston një interes i përgjithshëm që situata në Ukrainë të mos përshkallëzojë.

Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier
Steinmeier beson në zgjidhjen paqësore të konfliktit Rusi-Ukrainë, por nuk përjashton sanksionetFotografi: picture-alliance/dpa

Në Paris duhej të ngrihej një grup ndërkombëtar kontakti me synimin e sjelljes në tryezën e bisedimeve të Kievit dhe Moskës.

Lavrov thotë të paktën dy herë "Njet"

Ministri i Jashtëm amerikan John Kerry dhe homologu i tij rus Sergej Lavrov u takuan në Paris për bisedimet e para direkte që prej fillimit të krizës së Krimesë. Një takim i planifikuar në raund të gjerë me ministrat e jashtëm edhe të Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe Ukrainës, nuk u mbajt pasi Lavrov sipas të dhënave të SHBA-së, refuzoi të merrte pjesë. Megjithatë Kerry pas bisedimeve me Lavrovin u shpreh i bindur për nxjerrjen e Ukrainës nga kriza me rrugë paqësore.

Po kështu dështuan edhe përpjekjet disa orë të gjata të ministrave të vendeve perëndimore për të bindur Lavrovin të merrte pjesë në bisedime direkte me ministrin e Jashtëm të qeverisë së përkohshme ukrainase Andrej Deshtshjyzj. Moska nuk e njeh qeverinë e re të përkohshme në Kiev.

Sanksionet kundër Moskës të kërkuara në radhë të parë nga SHBA, nuk gjetën konsensusin e gjithë ministrave të jashtëm. Uashingtoni e kërcënon Rusinë me masa ndëshkuese pasi sipas këndvështrimit amerikan ditën e kaluara ushtarët rusë kanë vënë nën kontroll Krimenë. Janë planifikuar sanksione ndaj zyrtarëve të lartë dhe sipërmarrjeve ruse, informon "Washington Post".

Steinmeier kërkon nga Moska prova

Ndërsa Presidenti rus Vladimit Putin pretendon se mijëra persona me uniforma që kanë gyrë në Krime nuk i përkasin ushtrisë ruse. Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov theksoi në Paris se Moska nuk ka asnjë komandë mbi grupet proruse në Krime. Steinmeier kërkoi nga Rusia prova të besueshme që është e interesuar për çtensionimin dhe normalizimin e situatës në gadishullin e Krimesë.

Ministriat e jashtëm të SHBA dhe Rusisë, Kerry dhe Lavrov
Bisedime të vështira Kerry - LavrovFotografi: Reuters

"Nëse prova të tilla nuk paraqiten ditët e ardhshme atëherë do të jetë e pashmangshme të marrim vendim për sanksione", tha ministri i Jashtëm gjerman.

Në prag të samtit të jashtëzakonshëm të kryetarëve të shteteve dhe qeverive të BE-së, Presidenti i Komisionit Jose Manuel Barroso i premtoi qeverisë së re në Kiev ndihma dhe kredi prej rreth 11 miliarë eurosh për vitet e ardhshme. Kriza e Ukrainës është një rrezik i vërtetë për paqen në Evropë, tha Barroso duke argumentuar këtë vendim.

Për personat të cilët bëhen përgjegjës për përvetësim të fondeve publike dhe shkeljen e të drejtave të njeriut, BE ka vendosur masa ndëshkuese. Lista e publikuar tani përmban emrat e Presidentit të rrëzuar ukrainas Viktor Janukoviç dhe 17 personave të tjerë, llogaritë bankare të të cilëve do të bllokohen.