1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parlamentarët e Bashkimit Evropian: Jo- Armëve për Kinën! Raporti evropian zbulon disa detaje të dyshimta të politikës së eksportit

Markus Frencel17 Nëntor 2004

Bashkimi Evropian, para së gjithash Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania, Italia dhe Suedia janë eksportuesit më të mëdhenj të armëve në mbarë botën. Për shkak se qeveritë kombëtare janë përgjegjëse për çështjet e armatimit, deputetët e parlamentit evropian munden vetëm të japin rekomandime apo të nxjerrin paralajmërime. Sot diskutohet në parlamentin evropian mbi politikën e dyshimtë të eksportit të disa vendeve të BE. Pas debatit të djeshëm, duket se shumica e fraksioneve do të votojnë për miratimin e raportit, i cili zbulon detaje për një politikë jo të drejtë të disa vendeve kryesore në çështjet e ekportimit të armëve

https://p.dw.com/p/ArFn


Kur bëhet fjalë për eksportimin e armëve nga Bashkimi Evropian, deputetët e Bashkimit Evropian i kanë duart e lidhura. Për politikën e sigurisë dhe të çështjeve të tjera të armatimit janë vetëm qeveritë e vendeve të BE-së përgjegjëse. Prandaj parlamentarët evropianë e shohin veten, aq më shumë të detyruar të vënë gishtin mbi zhvillime delikate në këto çështje. Kritikën e ardhur nga parlamenti evropian e ka mbërthyer tanimë në raportin përkatës deputeti evropian spanjoll, Raul Romeva Rueda. Në afro 20 faqe ai zbulon pjesërisht politikën me pikëpyetje të disa qeverive të BE, lidhur me çështjet e eksportit të armëve. Për Romeva Ruedan është e rëndësishme, që të respektohet lajtmotivi etik, pra një lloj kodi etik i vendeve të Bashkimit evropian për eksportin e armëve.
"Qeveritë nuk e respektojnë këtë kod aspak. Përveç kësaj ky lloj kodi është një instrument shumë i dobët. Ka mjaft mundësi të tjera që lejojnë anashkalimin e këtij kodi. Ka një problem transparence përsa i përket eksportimit të armëve. Për kritikë të detajuar kemi nevojë për më shumë informacion"- thekson Rueda.

Në këtë kod, i cili përcakton standartet minimale për eksportin e armëve, për shembull nuk duhet të eksportohen armë në ato vende, në të cilat armët përdoren për shkeljen e të drejtave të njeriut, apo në ato vende ku ka rrezik të shpërthimit të një konflikti ushtarak rajonal. Ky është më shumë një apel ndaj këtyre vendeve, pra kodi nuk i detyron vendet e BE se si duhet të veprojnë ato. Dhe kjo ndodh edhe atëhere, kur rreth 80% e tregtisë me armët nga Bashkimi evropian shkojnë drejt vendeve jo evropiane. Romeva Rueda kritikon ashpër atë eksport armësh, i cili edhe çon në shkeljen e të drejtave të njeriut.
"Disa nga shitjet janë instrumenta torture. Apo teknikë për praktikimin e dënimit me vdekje. Ose aparatura me të cilat veprohet kundër të drejtave të njeriut. Për shembull shiten elektroshokë. Në disa vende policia i përdor këto aparate për të detyruar individiët të bëjnë dëshmi të caktuara"-thotë Rueda.

Palamentarët evropianë refuzojnë gjithashtu heqjen e embargos së armëve ndaj Kinës. Me inisiativë të Gjermanisë dhe Francës, Këshilli evropian po shqyrton këto kohë edhe shfuqizimin e embargos së vitit 1989 kundër Kinës. Për deputetin konservativ, Tomas Man kjo është e pamundur. Presidenti i Intergrupit në parlament për çështjet e Tibetit, kërkon më parë përmirësimin e situatës së të drejtave të njeriut në Kinë: "Por kushtet për këtë mungojnë akoma tërësisht. Bashkimi evropian bazohet në atë, që të drejtat e njeriut të respektohen gjithkund. Ky është edhe bazamenti i opinionit tonë politik. Nuk mund të shkohet në drejtim tjetër. Po të thuash vetëm eksport, eksport, neglizhohet pjesa tjetër."
Për parlamentarët evropianë duhet të ndryshojë katërcipërisht situata në Kinë. Në këtë vend nuk respektohen të drejtat e njeriut, dhe nga ana tjetër situata në Tajvan akoma vazhdon të jetë e rrezikshme. Armë për Kinën? Për momentin, kjo nuk shtrohet aspak për diskutim për parlamentarët evropianë.