1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parlamenti shqiptar miraton rezolutën antikorrupsion

15 Nëntor 2005
https://p.dw.com/p/Aqhk
Fotografi: AP

Pas dy seancash të tensionuara Parlamenti i Shqipërisë votoi me shumicë
votash pro projektrezolutës antikorrupsion që kishte miratuar Partia Demokratike.

Mazhoranca fajësoi opozitën për braktisjen e seancës së mbrëmshme, e cila
sipas saj ishte një taktikë "për të fshehur abuzimet dhe vjedhjet që janë bërë gjatë qeverisjes socialiste në 8 vitet e kaluara.

Opozita kritikoi mazhorancën, "për manipulim me qëllime propagandistike të diskutimit mbi luftën kundër korrupsionit, si një mjet për të luftuar kundërshtarët politike".

Deputetët e opozitës e bojkotuan sot sallën në shenjë proteste dhe në mungesë të tyre Kuvendi miratoi me 70 vota pro, asnjë kundër dhe 4 abstenime rezolutën antikorrupsion.

Në rezolutën e miratur përfshihet dhe një amendament antikorrupsion i LSI-së e cila kërkoi që dosjet e hetuara të zyrtarëve shqiptarë të paraqiten menjëherë në prokurori.

Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi nga ana e saj sot Ministrit të Brendshëm, Sokol Olldashi që t'i dorëzojë dokumentat me akuzat për abuzime që zotëron ndaj zyrtarëve të shumëpërfolur për lidhje me krimin dhe korrupsionin, ndër to edhe të kreut të PS-së, Edi Rama dhe ish-MPB, Igli Toska.