1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pas rrëzimit të qeverisë Thaçi

3 Nëntor 2010

Eurodeputetja Doris Pack, tha në Prishtinë se është e bindur që Kosova mund t'i kalojë në mënyrë demokratike proceset e ardhshme, ato që lidhen me zgjedhjet e jashtëzakonshme të 12 dhjetorit dhe bisedimet me Serbinë.

https://p.dw.com/p/PxD6
Kryeministri Hashim Thaçi duke folur para Parlamentit në Prishtinë
Kryeministri Hashim Thaçi duke folur para Parlamentit në PrishtinëFotografi: dpa

Doris Pack, tha se Kosova ka nevojë për një qeveri të qëndrueshme, një qeveri që do të ketë legjitimitet të plotë e cila mund të hyjë në bisedime me Serbinë.

“Zhvillimet në parlament i keni bërë me një diskutim normal, me një votim normal dhe keni vendosur të shkoni në zgjedhje më 12 dhjetor. Unë do të përpiqem të jem këtu me ju në atë ditë të veçantë. Shpresoj që pastaj do të keni vërtet një qeveri të fuqishme, të qëndrueshme e cila duhet të shikojë përpara. Kjo do të thotë se duhet të ketë bisedime me Serbinë si dy shteteve fqinjë”, tha Doris Pack pas një takimi që zhvilloi me ushtruesin e detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Doris Pack i vlerësoi thirrjet e disa partive politike të Serbisë drejtuar serbëve të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhje. Ajo tha se pjesmarja e serbëve në zgjedhje do ta lehtësojë dialogun Prishtinë-Beograd.

Doris Pack
Doris PackFotografi: Europäisches Parlament

Zhvillimet e fundit në Kosovë, rënien e qeverisë Thaçi, shpërndarjen e Parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtzakonshme edhe Zyra Civile Ndërkombëtare i cilësoi si një proces normal dhe demokratik. Zëdhënësi i kësaj zyre, Andy mc Gaffy, i tha DW-së se: “Institucionet e Kosovës kanë vendosur që të ecin përpara. Ishte votim i mocionit dje në parlament, presidenti në detyrë Jakup Krasniqi shpalli datën e zgjedhjeve të jashtzakonshme dhe pas kësaj kryeministri Thaçi tha se qeveria megjithëse në dorëheqje do të vazhdojë angazhimet e saj, kështu që në këtë linjë Zyra civile Ndërkombëtare këto zhvillime i sheh si normale demokratike dhe këtu nuk besoj se mund të shtrohet pyetja për jostabilitet institucional”, thotë Andy Mc Gaffy.

Ai thotë se diaogu me Serbinë është çështje e dakordimit të palëve, në këtë rast Kosovës dhe Serbisë. “Peter Faith, shef i zyrës civile ndërkombëare e ka bërë të qartë pikpamjen e tij për dialogun që duhet të fillojë shpejt. Tash është çështja tek Prishtina dhe Beogradi që të lëvizin përpara dhe pritjet tona janë që dialogu të fillojë sa më shpejtë”, thotë Andy Gc Gaffy.

Ramush Tahiri
Ramush TahiriFotografi: DW

Mirëpo, analistët nga ana e tyre zhvillimet e fundit në Kosovë nuk i shohin më shumë optimizëm. Ramush Tahiri, analist i pavarur thotë për programin tonë se Kosova tashmë ka hyrë në një ekperiment që nuk i dihen rezultatet. “Kosova ka hyrë në një eksperiment ku rezultatet nuk dihen dhe ku nuk mund të kontrollohen. Duhet dëshiruar që të ketë stabilitet institucional dhe të ketë zgjedhje fair, të lira dhe të ndershme, këtu duhet të ketë koncentrim tash dhe ajo që është më e rëndësishme tash të ketë pranim të rezultateve të zgjedhjeve”, thotë Ramush Tahiri.

Zoti Tahiri, thotë se sa i përket zhvillimeve të jashtme të Kosovës, siç është procesi i integrimeve dhe fillimi i dialogut me Serbinë, janë procese që tash për tash do të ngecin. “Fatkeqësisht kjo qeveri nuk ka punuar shumë në integrimet evropiane e as në dialogun me Serbinë. Integrimin evropian e ka konsideruar si diçka që vjen vetvetiu, ndërsa dialogun me Serbinë e ka cilësuar si diçka të imponuar dhe nuk po punon logjika e shtetit që ne gjithmonë duhet të kemi institucione, ekspertë që duhet të jetë të përgatitur pa marë parasysh lëvizjet politike dhe pa marrë parasysh se kush vjen në minisrinë e integrimeve dhe ministrinë e jashtme”, thotë Ramush Tahiri.

Ramush Tahiri, thotë se në këtë fazë Kosovës nuk i është dashur kriza institucionale dhe prodhoi zgjedhjet e jashtëzakonshme sepse sipas tij, tash Komisioni Evropian del me raportin e progresit për Kosovën dhe padyshim sipas tij, pritjet e Komisionit Evropian për Kosovën nuk do të përmbushen.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama