1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pas vdekjes së Gaddafit - Në Libi fillon një epokë e re

20 Tetor 2011

Vdekja e diktatorit libian Muammar Al-Gaddafi simbolizon fillimin e një epoke të re në Libi. Sfidat janë megjithatë gjigante.

https://p.dw.com/p/12wAJ

Në shfaqje të çuditshme në televizion ai i pati sharë qytetarët libianë "minj" - por tani ata kundërgoditën dhe i morën jetën: Muammar Al-Gaddafi ka vdekur, humbi jetën gjatë një përpjekje arratie nga qyteti Sirte, kështjella e fundit e qendresës së përkrahësve të tij. Qyteti më parë ishte vënë nën kontrollin e kundërshtarëve të diktatorit. 69-vjeçari mesa duket vdiq nga plagët e marra në luftim. Mesa duket ai vdiq ashtu siç kishte deklaruar njëherë vetë në mënyrë patetike, në betejën e fundit për pushtetin në Libi. Dhe ndërkohë që gjithë bota spekulonte nëse ishte vrarë apo vetëm ishte kapur, në Tripoli u dëgjuan të shtënat e para të gëzimit.

Në Libi dhe në të gjithë botën arabe thuajse askush nuk derdh lotë për vdekjen e Gaddafit, e po kështu edhe në vendet perëndimore, ku Gaddafi shihej jo vetëm si mbështetës i terrorizmit, rikatues dhe së fundi edhe si kundërshtar ushtarak. Për shkak të kthesave të çuditshme dhe mungesës së orientimit në aspektin e të drejtave të njeriut në politikën e jashtme evropiane, Al Gaddafi arriti madje të ngrinte me pompozitet çadrat e tij në Bruksel dhe Paris. Ai lajkatohej nga politikanë të lartë të BE-së si Silvio Berlusconi, dhe përdorte metoda të dyshimta për të mbajtur larg kufijve të BE-së refugjatët afrikanë.

Evropianët dhe amerikanët e ndryshuan këtë politikë pajtimi, vetëm pasi populli libian u ngrit kundër diktatorit. Edhe pse Perëndimi në fund kontribuoi ushtarakisht në masë të madhe për ndryshimin në Libi, kjo nuk duhet harruar dhe prej këtej duhen nxjerrë edhe konkluzione të qarta në sjelljen me diktaturat në të ardhmen. BE deri tani e ka shmangur këtë.

Pyetja nëse Al-Gaddafi duhej nxjerrë para një gjykate kombëtare apo një gjykate ndërkombëtare, nuk shtrohet më tani. Por mbetet një pyetje tjetër e rëndësishme: si do të veprojnë pushtetmbajtësit e rinj në Libi me trashëgiminë e rëndë politike të diktatorit. Fakti që Al-Gaddafi perceptohej në opinionin publik ndërkombëtar si një figurë kurioze ekcentrike nuk duhet të bëjë që të harrohet, se ai ishte një nga diktatorët më brutalë dhe gjakatarë në botën arabe.

Tortura, përgjimi, përndjekja politike dhe tirania ishin nën sundimin e tij disa dekada të gjatë, situatë normale. E gjitha kjo duhet të përpunohet. Për këtë është e nevojshme që edhe anëtarë me funksione drejtuese në aparatin e tij shtypës, të vihen para llogarisë në Libinë "e re". Kjo duhet të ndodhë me procedura të shtetit ligjor, nuk duhet të lejohen akte hakmarrjeje.

Drejtuesi i redaksisë arabe në Deutsche Welle, Rainer Sollich.
Drejtuesi i redaksisë arabe në Deutsche Welle, Rainer Sollich.Fotografi: DW

Vdekja e Al-Gaddafit i heq Libisë një barrë të madhe për të ardhmen. Fundi i tij i mjerë është një simbol për epokën e re që fillon në vendin afrikano-verior të shkretëtirës dhe naftës. Por sfidat politike janë jashtëzakonisht të mëdha. Libisë i mungon një kulturë e sprovuar politike si dhe institucione funksionuese shtetërore. Vendit i duhet praktikisht t'ia nisë nga zero.

Pushtetmbajtësit e përkohshëm duhet të pregatisin zgjedhjet demokratike dhe njëkohësisht të mbajnë në ekuilibër jo vetëm fiset dhe rajonet tradicionalisht rivalizuese, por edhe rrymat e ndryshme politike, nga demokratët me orientim evropian deri tek forcat islamiste. Të gjitha këto Libia nuk mund t'i arrijë e vetme. Ajo duhet të gjejë vetë rrugën e saj, por do të ketë nevojë për ndihmë ndërkombëtare. Dhe nuk duhet të druhet që ta pranojë atë.

Autor: Rainer Sollich
Redaktoi: E. Xhani