1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasojat e ideologjisë raciste naziste ndaj politikës gjermane për familjet

Sebastian Herold26 Dhjetor 2005

Që prej fundit të viteve 90-të Franca po përjeton një boom lindjesh. Ky boom gjen në Gjermani edhe më tepër jehonë, sepse ndryshe nga Franca në Gjermani numri i lindjes së fëmijëve vjen duke u ulur. Plakja dhe mpakja e shoqërisë gjermane është pjesë e rëndësishme e debatit politik të vendit. Një ndër faktorët e rëndësishëm që luajnë rol në këtë mes janë padyshim politikat ndaj familjes dhe popullsisë. Mungesat në këto politika lidhen padyshim edhe me historinë e re të Gjermanisë.

https://p.dw.com/p/Ar1w
Specie gjithnjë e më të rralla në Gjermani
Specie gjithnjë e më të rralla në GjermaniFotografi: dpa

Gjermanët shikojnë me zili në drejtim të Francës, ku nuk ekziston problemi i rënies së numrit të lindjeve. Gazeta franceze "Le Figaro" deklaronte së fundi me krenari: "Ne jemi 62 milionë francezë!" dhe popullsia e Francës është në rritje ndërsa ajo gjermane në pakësim. Franca ka sot përqindjen më të lartë të natalitetit në Evropë.

Shkaqet për këto ndryshime në zhvillimin e popullsisë janë të shumta. Një nga këto shkaqe janë edhe politikat për familjen të qeverive gjermane. Gjithsesi një gjë është e qartë, pas Luftës së II Botërore dhe përmbysjes së regjimit nacionalsocialist politika ndaj familjes në Gjermani nuk shihej me sy të mirë për shkak të teorive dhe ideologjisë së nazistëve për racën ariane. Ndryshe qëndronte puna në Francë. Askush nuk e merrte për të keq, kur presidenti i vendit Charles de Gaulle kërkonte prej francezëve që të bënin 12 milionë bebe.

Reiner Klingholz, specialist pranë Institutit të Berlinit për demografinë dhe zhvillimin global shpjegon: "Debatet gjermane në lidhje me politikat për popullsinë dhe familjen orientoheshin shumë nga e kaluara. E kaluara nacionalsocialiste e vendit dhe ideologjitë e racës bënë që pas Luftës së II botërore tema të tilla të trajtoheshin me mjaft kujdes."

I njëjti fenomen vihet re edhe në vendet e tjera evropiane ku kishin qenë në pushtet fashistët, sepse edhe në këto vende politikat për popullsinë kishin qenë vetëm mjet për realizimin e qëllimit, pra për shtimin e kombit që duhet të dominojë mbi të tjerët. Për ilustrim disa pasazhe nga fjalimi i Ministrit të Punëve të Brendshme të Reihut, Wilhelm Frick, me rastin e ditës së nënës në vitin 1935. Në to dalin në pah me plasticitet çmeduritë raciste të nacionalsocialistëve.

"Ju të gjithë e dini se sa shqetësuese është rënia e numrit të lindjeve të popullit gjerman që prej fundit të shekullit deri sot, se ç'ndikim filloi të kishte përzjerja e racave, sepse familjet e zellshme në të gjitha shtresat e shoqërisë filluan të lindnin gjithnjë e më pak fëmijë, ndërkohë që familjet e përçudnuara po shtoheshin pa pengesa, dhe sepse gjithnjë e më shumë gjermanë të papërgjegjshëm filluan të përziheshin me raca të huaja."

Nacional-socialistët zhvilluan një politikë të familjes në interes të tyre. Kështu që prej vitit 1938 nënat që lindin më tepër se tre fëmijë nderoheshin me medaljen "Kryqi i Nënës". Adolf Hitleri e quante periudhën e shtatzanisë "sheshin e betejës së grave", sepse femrat gjermane duhet të lindin ushtarë gjermanë. Dëshira për të lindur sa më tepër fëmijë nxitej përmes mbështetjes financiare dhe përbetimeve ideologjike. Kjo çmenduri e nacionalsocialistëve për një popullsi të përbërë nga një racë e pastër bëri që politika për familjen të shndërrohej në Gjermaninë e pasluftës në një temë tabu.

Vetëm para pak kohësh në Gjermani ka filluar të diskutohet me forcë dhe të shtrohet pyetja nëse lindjet, apo gatishmëria për të lindur fëmijë në Francë ka të bëjë me ofertat më të mira për nënat dhe fëmijët në vendin fqinjë. Ky debat u hap para së gjithash nisur prej shkaqesh materiale, sikurse shpjegon Reiner Klingholz:

"Debati filloi vërtet tamam para rreth dy vjetësh, i nisur prej krizës së sistemeve sociale në Gjermani, edhe pse kriza e sotme e sistemeve sociale nuk ka të bëjë fare me faktorë demografikë. Kjo krizë do të vijë më vonë, pra pas vitit 2015 kur të dalin në pension brezat me natalitet të lartë. E mira është që ky debat po zhvillohet tani jashtë iedeologjive. Çështje të tilla si kopshtet me drekë, apo shkolla, ku fëmijët mund hanë edhe drekën dhe të kalojnë edhe pasditen, po diskutohen hapur prej të gjithëve dhe papritur gjithçka është e mundur."