1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

270910 Nahost Intifada

28 Shtator 2010

28 shtatori 2000 shënon një pikë kthese në historinë e marrëdhënieve izraelito-palestineze. Ishte fillimi i "Intifadës së dytë", në të njëjtën kohë dhe fundi i trishtueshëm i procesit të paqes të Oslos.

https://p.dw.com/p/POT8
Intifada e dytë solli një valë të paparë dhune në rajon.
Intifada e dytë solli një valë të paparë dhune në rajon.Fotografi: Christian Frei Filmproductions

Në vitin 1993 Izraeli dhe Organizata për Çlirimin e Palestinës (OÇP) kishin rënë dakord në Oslo për zgjidhjen me metoda paqësore të konfliktit mes tyre dhe marrëveshjet e arritura atje në vitin 2000 i kishin të gjitha shanset të sillnin një autonomi të gjerë, e ndoshta një shtet të mirëfilltë të palestinezëve. Por ndodhi e kundërta: në fund të shtatorit shpërtheu kryengritja e dytë palestineze (ndryshe "Intifada") në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës dhe vuri në lëvizje një zinixhir dhune, që rajoni nuk e kishte përjetuar ndonjëherë më parë. Brenda pesë vjetësh humbën jetën mbi 6.000 palestinezë dhe rreth 1.000 izraelitë dhe frontet u ngurtësuan aq shumë, sa ky ndikim vazhdon edhe sot.

Grindje për vendet e shenjta

Mollë sherri - Mali i Tempullit në Jeruzalem
Mollë sherri - Mali i Tempullit në JeruzalemFotografi: Berthold Werner

Kryengritja mori emrin "al-Aqsa-Intifada", pasi u shkaktua me gjasë nga vizita e ish-kryeministrit izraelit Ariel Sharon në territorin e xhamisë Al Aqsa në Jeruzalem, i treti vend i shenjtë për nga rëndësia në fenë islame. Për këtë territor ka pasur vazhdimisht konflikte që prej pushtimit nga Izraeli në vitin 1967, pasi këtu dikur ngrihej një tempull hebre, vendi më i rëndësishëm i shenjtë i hebraizmit.

Nacionalistë izraelitë kanë ngritur vazhdimisht pretendime për Malin e Tempullit myslimanët druheshin se vizita e Sharonit mund të pregatiste marrjen e territorit nga Izraeli.

Vetëm pak orë pas vizitës së Sharonit shpërthyen demonstratat e para dhe u përhapën me shpejtësi në territoret palestineze. Vetëm disa javë më vonë ish-ministri i Komunikacionit Imad Faluji deklaroi se Intifada e dytë nuk kishte shpërthyer për shkak të vizitës së Sharonit:

"Kush beson se kjo Intifadë ka filluar me vizitën e përbuzshme të Sharonit në xhaminë Al Aqsa gabohet: ajo ishte pika e fundit e ujit që derdhi enën e durimit të popullit palestinez. Intifada ishte pregatitur qëkurse presidenti u kthye nga bisedimet e fundit në Camp David, ku iu kundërvu presidentit Clinton dhe hodhi poshtë kushtet amerikane në zemër të Amerikës..."

Dështim i negociatave në Camp David

Ish-presidenti amerikan Clinton në takim me liderin palestinez Jaser Arafat.
Ish-presidenti amerikan Clinton në takim me liderin palestinez Jaser Arafat.Fotografi: AP

Bisedimet në Camp David ishin zhvilluar nga 11 deri 25 qershor 2000. Ish-presidenti i SHBA-së Bill Clinton kishte shpresuar mesa duket se do të arrinte të shtynte izraelitët dhe palestinezët drejt zgjidhjes së konfliktit.

Por kjo nuk u arrit : ish-kryeministri izraelit Ehud Barak, sot ministër i Mbrojtjes, dhe drejtuesi i OÇP Jaser Arafat nuk gjetën gjuhën e përbashkët. Barak dhe Arafat u kthyen me duar bosh dhe presidenti palestinez nuk e fshehu pezmatimin:

"Populli ynë do të vazhdojë marshimin në Jeruzalem, kryeqytetin e shtetit tonë të pavarur palestinez. E pranojnë ata apo jo, le të venë në djall ..."

Armiq deri në fund: ish-kryeministri izraelit Ariel Sharon e injoroi politikisht Jaser Arafatin.
Armiq deri në fund: ish-kryeministri izraelit Ariel Sharon e injoroi politikisht Jaser Arafatin.Fotografi: AP

Barak nga ana e tij nuk qe në gjendje të përballej me Intifadën e dytë dhe humbi në zgjedhjet e shkurtit 2001, në të cilat triumfoi ish kryetari i partisë "Likud" Ariel Sharon. Sharon e ashpërsoi luftën kundër Arafatit e injoroi atë politikisht, rrethoi dhe bombardoi selinë e tij në Ramallah dhe refuzoi vazhdimisht të rifillonte bisedimet me të.

Komuniteti ndërkombëtar e kritikoi Sharonin por nuk mori asnjë masë dhe Arafat dalëngadalë humbi ndikimin e tij jashtë vendit. Më 11 nëntor 2004 Arafati ndërroi jetë, dhe vetëm disa muaj më pas u mbajt takimi i parë mes pasuesit të Arafatit, Mahmud Abbas dhe Ariel Sharonit. Intifada e dytë u konsiderua e përfunduar. Pasojat e saj ndihen ende sot në mosbesimin e thellë mes dy palëve dhe paaftësinë e tyre të vazhdueshme për të bërë realitet vizionin e Oslos 1993.

Autor: Peter Philipp / Eliana Xhani

Redaktoi: Pandeli Pani