1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypi gjerman 21.04.2006

Sonila Harasani21 Prill 2006

Shtypi i sotëm gjerman fokusohet ndër të tjera tek politika e BE-së ndaj Iranit dhe zhvillimet e fundit në Itali.

https://p.dw.com/p/ArqK
Aeroplan i flotës iraniane para naftëmbajtëses në Gjirin Persik, 5 prill 2006
Aeroplan i flotës iraniane para naftëmbajtëses në Gjirin Persik, 5 prill 2006Fotografi: AP

Gazeta Hannoversche Allgemeine Zeitung shkruan:

"Evropa duhet të tregohet e fortë në rast se do ta evitojë luftën me Iranin dhe të krijojë një union, i cili do të mund ta zgjidhë pa gjakderdhje krizën. Por cili politikan është aq i fortë, sa të flasë në emër të Evropës? Zhak Chirak, i cili sapo u rrëzua ndërkohë që qindra studentë protestonin? Romano Prodi, qeveria e të cilit është e lëkundshme që përpara se të bëjë betimin? Shumë vështrime i janë drejtuar tani Angela Merkelit. Në fillim të muajit maj, ajo do të shkojë sërish në Uashington. Kjo grua mban këto ditë mbi supe një përgjegjësi, të cilën nuk ja ka njeri zili."

Gazeta Westdeutsche Zeitung nga Dyseldorfi komenton:

"Në rast se kriza do ta rrisë më tej çmimin e naftës, atëherë arka shtetërore e regjimit iranian do të mbushet plot. Një zhvillim i tillë jo vetëm që e rrit imazhin e Ahmadinexhadit brenda vendit të tij, por zgjeron gjithashtu mundësitë financiare të këtij vendi, për të mbështetur terroristë islamistë në Palestinë dhe në të gjithë botën. Kur do ta kuptojë më në fund qeveria amerikane se provokimet e saj verbale nuk pijnë më ujë? Strategjia e vetme e mençur do të ishte dobësimi i Ahmadinexhadit brenda vendit të tij."


Gazeta Nürnberger Nachrichten shkruan:

"Mundësitë e Bushit janë të kufizuara. Në rast se ai nuk mund ta përmbysë regjimin e Teheranit, pa e involvuar vendin e tij në një aventurë të re, atëherë atij i mbetet vetëm një mundësi realiste: Bush duhet të përpiqet që ta influencojë politikën e Ajatollave. Kjo mund të ndodhë vetëm falë diplomacisë dhe, siç është shprehur edhe ministri i jashtëm gjerman Steinmeier, nëpërmjet bisedave direkte. Çdo hap tjetër do të ishte i kotë ose do të sillte një katastrofë të re. Por krijimi i një "koalicioni të vullnetarëve" nuk ka të bëjë me politikë reale, dhe grupi i këshilluesve të Bushit duhet ta dinte tashmë këtë gjë."

Gazeta Pforzheimer Zeitung komenton:

"SHBA-s duhet ta ndalin politikën e tyre jomiqësore ndaj partnerëve të rëndësishëm politikë dhe ekonomikë. Edhe pse SHBA-s janë një superfuqi botërore, ato nuk mund ta zgjidhin çdo konflikt të vetëm. Por politika momentane e Bushit nuk duket sikur ka si synim evitimin e një lufte të re."

Gazeta taz nga Berlini fokusohet tek kërcënimet e ministres së jashtme amerikane ndaj Iranit dhe komenton:

"Me kërcënimin se edhe kundër Iranit mund të krijohet një "koalicion i vullnetarëve", Rice dëshmon se as një veto në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe as ndonjë partner i Bushit nuk mund ta bindin presidentin amerikan që të heqë dorë nga kursi i tij. Ky është një fakt i rrezikshëm për qeverinë gjermane. Mbështetja politike e Gjermanisë duhet të jetë bërë edhe më e rëndësishem për Bushin, tani që dy partnerët e tij në Madrid dhe Romë humbën zgjedhjet. Qeveria gjermane duhet të marrë më në fund një qëndrim të qartë."

Gazeta Der neue Tag nga Veiden fokusohet tek marrëdhëniet kinezo-amerikane dhe shkruan:

"Amerika dhe Kina janë si dy boksierë që sillen rreth njëri-tjetrit pa një strategji të qartë sulmi. Kështu i vlerësojnë ekspertët marrëdhëniet mes Pekinit dhe Uashingtonit. Por Republika Popullore Kineze zë që sot vendin e tretë në listën e shteteve më të rëndësishme për marrëdhëniet tregtare të SHBA-s. Dhe Perëndimi kapitalist do ta ndryshojë gjithashtu së shpejti qëndrimin ndaj këtij vendi."

Gazeta Handelsblatt shkruan mbi ish kryeministrin italian Berlusconi, i cili vazhdon të mos e pranojë rezultatin e zgjedhjeve në Itali:

"Jo se Berlusconi ka treguar ndonjëherë gjatë viteve të fundit respekt ndaj organeve të drejtësisë. Por të injorosh instancën e fundit të procesit zgjedhor, është e pakuptueshme. Duket sikur Berlusconi nuk do ta pranojë humbjen. Ndoshta ai do të mund ta bindë qeverinë e re, që të mos ndiqet penalisht apo që të paktën të zgjidhet presidenti i ri i Italisë."