1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit (31.07.2008)

Deutsche Welle30 Korrik 2008

Gjykata kushtetuese gjermane i shpalli në kundërshtim me kushtetutën gjermane ligjet aktuale që ndalojnë pirjen e duhanit në pijetore të vogla. Kjo është sot temë qendrore në të përditshmet gjermane.

https://p.dw.com/p/EnWx
Gjykatësitë e Gjykatës Kushtetuese Gjermane
Gjykatësitë e Gjykatës Kushtetuese GjermaneFotografi: AP


Fillimisht lidhur me këtë në 'Nürnberger Nachrichten' lexojmë:


"Me vendimin e tyre rreth ndalimit të pirjes së duhanit në pijetore dhe klube, gjyqtarët e Karlsruhes e kthyen topin atje ku në të vërtetë edhe e ka vendin: në fushën e politikës. Ky është edhe shkaku përse përfaqësuesit e interesave të ndryshme si e ngarkuara me çështje të drogave Sabine Bätzing nga njëra anë si dhe Shoqata e gastronomëve gjermanë në anën tjetër janë të kënaqura me vendimin, të paktën aktualisht", shkruan 'Nürnberger Nachrichten'.


Ndërkaq nga 'Leipziger Volkszeitung' po për këtë temë shkëpusim:


"Gëzimi i duhanxhinjëve dhe pijetoreve të vogla pas vendimit të gjykatës kushtetuese mund të mos zgjs shumë. Kjo për faktin se në fund të vitit 2009, kështu të paktën kanë paralajmëruar shumë qartë gjyqtarët e gjykatës kushtetuese duhet të vendoset për një rregullim të ri ligjor. Në bazë të kushtetutës mbrojtja e popullatës nga pirja pasive e duhanit është mbi të drejtën e ushtrimit të lirë të profesionit. Në këtë mënyrë ndalimi absolut i pirjes së duhanit do të vlej pas asnjë përjashtim. Fitorja e Karlsruhes është kështu vetëm një fitore e Pirros për duhanxhinjët pasi që në të vërtetë për ta do të jetë shumë më keq se që është tani", thuhet ndër të tjera në 'Leipziger Volkszeitung'.



Ndërkaq e përditshmja e kryeqytetit 'Berliner Morgenpost' në numrin e saj të sotëm thekson:


"Çështja e luftës së besimit mes Pro-s dhe Contra-s së pirjes së duhanit hapet sërish tani pas vendimit të gjykatës kushtetuese. Në fund fjalën e tij duhet ta thotë edhe senati i Berlinit i paditur në Karlsruhe dhe të vendos se a do të ndaloj pirjen e duhanit në të vërtetë në të gjitha lokalet. Pretendimet për tolerancë të këtij qyteti flasin kundër. Por ai ka përballuar sfida dhe vendime tjera. Nëse vendoset për ndalim të përgjithshëm atëherë kjo edhe duhet zbatuar dhe duhet kontrolluar në çdo cep respektimi i vendimit. Ligjet të cilat masivisht injorohen nga qytetarët varrosin hap pas hapi edhe respektin ndaj shtetit ligjor", konkludon 'Berliner Morgenpost'.