1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit evropian

Hans Ziegler14 Tetor 2006

Vizita e presidentit rus Vladimir Putin në Gjermani është një ndër temat kryesore të gazetave evropiane. Temë tjetër e rëndësishme është sigurisht ndarja e Çmimeve Nobel për Paqe dhe Letërsi.

https://p.dw.com/p/ArnT

Gazeta austriake DIE PRESSE fokusohet tek vizita e presidentit putin në Gjermani dhe lavdëron kancelaren gjermane Angela Merkel duke kritikuar në të njejtën kohë politikën e BE-së:

"Vajza e priftit ka dëshmuar më shumë pushtet dhe forcë se shumë politikanë të tjerë së bashku. Madje edhe këtë rradhë, ajo ja arriti t´ja shprehë në mënyrë shumë diplomatike keqardhjen e saj presidentit Putin mbi vrasjen e gazetares ruse Politkovskaja, e cila e kritikonte hapur politikën e qeverisë ruse. Por kritika ndaj Moskës u shpreh me tone shumë të ulëta. Evropianët kanë nevojë për Rusinë, si furnizuese me energji dhe partnere në çështjet politike, nga debati mbi programin bërthamor të Iranit e deri tek çështja e Kosovës. Aty nuk mund të merret asnjë vendim pa Moskën."

Edhe gazeta belge DE MORGEN shkruan:

"Falë këmbënguljes së kancelares gjermane Merkel, presidenti Putin premtoi se do të angazhohet më shumë për lirinë e shtypit në vendin e tij. Ai theksoi edhe njëherë se do të ndërmarrë çdo hap për të gjetur vrasësit e gazetares ruse Ana Politkovskaja. Ndërkohë në Parlamentin Evropian, kryetari finlandez i Këshillit të BE-së dhe presidenti i Komisionit Jose Manuel Barroso, theksuan se Putini duhet të mbajë patjetër një qëndrim në lidhje me këtë ngjarje."

Edhe gazeta amerikane NEW YORK TIMES fokusohet tek vrasja e gazetares Politkovskaja, por pa e përmendur vizitën e presidentit Putin në Gjermani:

"Gazetarja Ana Politkovskaja, e cila u vra në Moskë, është gazetarja e 13-të ruse, që vritet që prej marrjes së postit të presidentit nga Vladimir Putini. Ndoshta nuk do ta marrim vesh kurrë, se kush e vrau atë. Në Rusinë e Putinit, vrasjet me motive politike, e kanë zakon të mos sqarohen kurrë."

Ndryshojmë temë. Ndarja e Çmimeve Nobel për Paqe dhe Letërsi. Këtë rradhë Çmimi Nobel për Letërsi kuptohet si një sinjal i qartë politik. Mbi Çmimin Nobel për Paqe, i cili iu dha krijuesit të bankave Junus nga Bangladeshi, gazeta norvegjeze AFTENPOSTEN shkruan:

"Surpriza ishte e madhe dhe pyetjet pafund, kur Komiteti Nobel vendosi t´i japë Junusit, çmimin për paqe. Por ky vendim u pranua shumë shpejt me respekt dhe adhurim. Këtu po nderohet një mysliman, i cili ka mbi 30 vite që angazhohet për mirëqënie modeste për më të varfërit. Kjo do të thotë se sidomos gratë në botën islame, kanë përfituar nga puna e këtij njeriu."

Gazeta italiane LA STAMPA shkruan:

"Muhamed Junus është një bankier, që ja doli mbanë që të përfitojë nga ligjet më të ashpëra. Në vend që të nxiste dhunën për arsye morali, ashtu sic ndodh shpesh kur bëhet fjalë për sisteme demokratike, ai ja arriti t´i mobilizojë të varfërit, që ta kthejnë dobësinë dhe varfërinë e tyre në një fuqi ekonomike."

Kalojmë tek Çmimi Nobel për Letërsi, të cilin e morri autori turk Orhan Pamuk. Në gazetën spanjolle ABC lexojmë:

"Orhan Pamuk është padyshim një autor i mirë. Por kjo nuk është arsye, që një autor relativisht i ri, i cili nuk ka shkruar ende një vepër të rëndësishme për letërsinë botërore, të marrë një çmim të tillë. Që ky vendim u morr për një autor turk, ka padyshim qëllime politike."

Gazeta ruse KOMMERSANT komenton:

"Ishte e nevojshme që këtë vit Çmimi Nobel për Letërsi t´i jepej Orhan Pamukut. Pas përfundimit të luftës mes izraelitëve dhe libanezëve dhe pas debateve ende të pazgjidhura mbi programin bërthamor të Iranit, kishim nevojë për një kompromis. I rritur në botën islame dhe i edukuar me kulturë evropiane, Pamuk është një gjendje t´i kuptojë të dyja anët."

Dhe së fundi në gazetën serbe POLITIKA lexojmë:

"Çmimi Nobel për Letërsi është një vlerësim për autorin turk por edhe një mesazh indirekt për Turqinë, që të angazhoet më mirë për zbardhjen e gjenocidit ndaj armenëve, temë kjo që u bë publike nga Pamuku. Orhan Pamuk nuk është vetëm autori më i mirë dhe më i njohur turk i letërsisë së sotme, por edhe një luftëtar i fuqishëm për të drejtat e njeriut."