1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit evropian

Hans Ziegler21 Janar 2006

Kancelarja gjermane Merkel u nis pas vizitës së saj në SHBA-s për në Moskë, për t´u takuar me presidentin rus Vladimir Putin. Këto dy vizita të kancelares gjermane jashtë shtetit, janë tema kryesore e shtypit ndërkombëtar të javës që kaloi.

https://p.dw.com/p/Arrm

Gazeta franceze Le Monde shkruan:

"Duket sikur Merkel i kushton rëndësi të veçantë vlerave. Ajo nuk ka asnjë problem t´u thotë njerëzve të vërtetën, ndonëse disa heshtin për hatër të politikës reale dhe mbrojtjes së principeve demokratike. Qëndrimi i Merkelit shpjegohet nga njëra anë me të kaluarën e saj si bija e një prifti që u rrit në Gjermaninë Lindore dhe që u konfrontua gjatë rinisë së saj me komunizmin. Toni i Merkelit ka aq shumë stil diplomatik sa nuk do të ishte keq sikur edhe Franca të inspirohej pak nga ai."

Gazeta daneze JYLLANDS-POSTEN komenton:

"Angela Merkel arriti brenda pak kohe të profilohet si një pasardhëse e denjë e Gerhard Schröderit. Në fillim ajo veproi si një urë lidhëse e mençur dhe si një stratege e vërtetë gjatë samitit të BE-së në Bruksel. Tani ajo vizitoi Uashingtonin dhe Moskën duke i vënë theksin e duhur politikës së jashtme gjermane. Mesa duket ajo
është më e aftë se Schröderi në artin e balancës politike."


Ndërkohë vizita e Merkelit tek presidenti rus Putin komentohet
kështu në gazetën belge LE SOIR:

"Kancelarja gjermane ishte që në fillim e vendosur se do ta ndryshonte politikën gjermane që ndoqi parardhësi i saj Schröder. Ky i fundit kishte një miqësi të veçantë me presidentin rus dhe për këtë arsye nuk e kritikoi kurrë hapur Putinin. Por Merkel i dha fund kësaj miqësie. Pas takimit me Putinin që zgjati më gjatë se sa ishte parashikuar, Merkel tha se dëshiron që marrëdhëniet mes Rusisë dhe Gjermanisë të jenë lidhje strategjike. Merkel e evitoi me qëllim fjalën "miqësi", të cilën e përdori gjatë takimit që pati me presidentin amerikan Bush në Uashington gjatë javës së kaluar."


Gazeta norvegjeze AFTENPOSTEN shkruan:

"Qëllimi kryesor i kancelares gjermane Angela Merkel gjatë vizitës së saj në SHBA-s ishte përfundimi i tensionit që shkaktoi parardhësi i saj Gerhard Schröder përpara tri vitesh gjatë fushatës së tij elektorale. Kritika masive që ushtroi ai kundër politikës së Bushit në Irak, la gjurmë të thella në marrëdhënien gjermano-amerikane. Merkel kërkon t´i kthejë SHBA-s në partnerin më të rëndësishëm të Gjermanisë."

Ndërkohë gazeta zvicerane NEUE ZÜRCHER ZEITUNG komenton:

"Përsa i përket Angela Merkelit, mund të themi se ajo di se si bëhet politika e jashtme. Uashingtoni zyrtar është i kënaqur që në Berlin ka ndryshuar klima politike dhe i përshëndet përpjekjet e shefes së re gjermane, për ta zbutur klimën e rëndë që ekziston në Gjermani në lidhje me SHBA-s."


Ndërkohë gazeta ruse KOMMERSANT shkruan mbi vizitën e kancelares gjermane Merkel në Moskë:

"Kancelarja e re nuk lë përshtypje më të këqija se parardhësi i saj. Paraqitja e Merkelit nuk u kuptua aspak si zhgënjim nga ana e presidentit Putin. Madje edhe projekti i preferuar i Putinit, linja e re e gazit, u vlerësua nga kancelarja gjermane si një projekt me rëndësi të veçantë strategjike për Gjermaninë."

Dhe së fundi gazeta ISWESTIJA komenton:

"Eshtë ende herët për të folur mbi një miqësi te ngushtë mes presidentit Putin dhe kancelares Merkel. Por po t´i llogarisim të gjitha takimet që janë planifikuar për këtë vit mes Putinit dhe Merkelit, mund të themi se ato arrijnë nivelin e takimeve që kishin dikur Putini me Schröderin. Merkel e përmendi shumë shkurt temën e Iranit, por theksoi se bisedoi gjatë me Putinin mbi situatën në Çeçeni dhe politikën e brendshme ruse."