1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman 07 prill 2006

7 Prill 2006

Në qendër të vëmendjes së shtypit gjerman është Silvio Berlusconi, çështja e pensioneve si dhe diskutimi për defiçitet në integrimin e të huajve në Gjermani.

https://p.dw.com/p/ArqY
Silvio Berlusconi
Silvio BerlusconiFotografi: AP

Silvio Berlusconi sërish kryeministër i Italisë - kjo nuk mund të shkojë, sepse burri i shkurtër me ego të madhe e ka konsideruar politikën gjithmonë vetëm si një instrument për ta zgjeruar më tej dhe siguruar perandorinë e tij ekonomike, - shkruan gazeta "Süddeutsche Zeitung" (Mynih). Ai nuk arriti të zhvillonte kurrë një sens për të mirën e përgjithshme dhe shtetin. Pra Berlusconi mbeti ai që kishte qenë, një biznesmen i zgjuar, i zellshëm dhe madje karizmatik. Duke bërë tregëti të pandershme me rivalët e tij në koalicion ai arriti të qëndronte pesë vjet në pushtet, një rekord ky për Italinë. Gjithsesi bilanci i tij është i turpshëm, ndërsa koncerni i Berlusconit po lulëzon, Italia po vyshket."

Kalojmë në një temë të politikës së brendshme. Në qendër të vëmendjes së shtypit gjerman është çështja e pensioneve. Për këtë temë në gazetën "Expres" (Këln) lexojmë:

"Këtë vit ligji i ndalon shkurtimet e pensioneve. Por ajo që në vështrimin e parë duket si gjë e mirë, shumë shpejt del se është mashtrim. Pensionionet kanë kohë që nuk janë shtuar dhe pagesat e tjera që u duhet të bëjnë pensionistëve i kanë rrudhur të ardhurat e tyre. Pra edhe kjo që po ndodh tani nuk është gjë tjetër vetëm se një shkurtim i pensioneve edhe pse politikanëve nuk u pëqen ta thonë këtë. Politika e pensioneve ka vite që nuk është gjë tjetër vetëm se një përpjekje qesharake për ta zbukuruar katastrofën. Ata që vuajnë janë pensionistët e sotëm dhe të nesërm, që përballen me një sistem pensionesh të shkatërruar dhe që vite të tëra u tërhoqën për hunde me premtime që nuk u mbajtën kurrë."

Po për të njëjtën temë gazeta "Ostsee Zeitung" shkruan:

"Në rast se qeveria nuk ia del që të punësojë më tepër se 42% të personave mbi moshën 55 vjeç, atëhere koncepti i ministrit Müntefering për daljen në pension në moshën 67 vjeçare do të thotë për shumë njerëz varfëri në pleqëri. Problemi është i njohur, dhe duartrokitjet që shoqëruan propozimet e Müntefering në parlament, nuk mund t'i vijnë në ndihmë brezit të mbi 55-vjeçarëve, për sa kohë pas përcaktimit të diagnozës nuk vijon terapia. Shteti i detyron njerëzit të punojnë sa më gjatë. Por ai ka edhe detyrën që t'ua mundësojë atyre këtë, në rast nevoje edhe përmes ligjeve."

Kalojmë në një temë tjetër. Diskutimi për deficitet në integrimin e të huajve në Gjermani, kanë nxjerrë në pah edhe problemin e deficiteve në fushën e edukimit në të gjitha shtresat e shoqërisë. Në lidhje me këtë në gazetën "Der neue Tag" (Weiden) lexojmë:

"Ka kohë që në të gjitha shtresat e shoqërisë vihen re deficite në edukim. Dhe këto janë duke u shtuar. Problemet dhe konfliktet po po shfaqen në të gjitha shkollat, në shkollat dhjetëvjeçare ato vetëm sa u acaruan së pari. Në rast se edukimi nuk realizohet dot më në familje, atëhere atë duhet ta marrë në dorë shoqëria. Kjo mund të bëhet nëpër kopshtet e fëmijëve apo shkolla, ku fëmijët të qëndrojnë gjithë ditën. Hapi i parë në këtë drejtim është detyrimi për t'i dërguar fëmijët në kopshte."