1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman (14.06.2004)

Pandeli Pani14 Qershor 2004
https://p.dw.com/p/Arzv
Evropa shumë larg prej elektoratit evropian
Evropa shumë larg prej elektoratit evropianFotografi: AP

Mediat e sotme gjermane merren gjërësisht me zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Gazeta Neue Westfälische që botohet në Bilefeld shkruan:

"Në mungesë të alternativave programatike dhe atyre të personelit zgjedhësit bënë atë që u rekomandoi kryeminstri bavarez dhe njëkohësisht kryetar i partisë kristian-sociale (CSU) Edmund Shtoiber: ata votuan kundër Gerhard Shrëderit dhe politikës së tij në vend. Përfundimi më i keq në të gjithë historinë e zgjedhjeve për Parlamentin e Evropës, si ishte ai i djeshmi, për partinë socialdemokrate lidhet me faktorë të politikës së brendshme."

Në mënyrë të ngjashme shprehet edhe gazeta Handelsblatt që botohet në Dyseldorf:

"Gjermanët vazhdojnë ta shikojnë dhe ta interpretojnë Evropën kryekëput përmes syzeve nacionale. Këtë e treguan edhe këto zgjedhje. Kancelari nuk është më në gjendje ta pengojë rënien e reputacionit të partisë social-demokrate. Megjithë tërheqjen prej postit të kryetarit të partisë Shrëderi nuk ia doli dot që të fitonte distancën që i duhet prej refuzuesve të reformave në radhët e partisë së tij. Për këtë kancelarin nuk e pëlqejnë jo vetëm zgjedhësit tradicionalë të socialdemokratëve, të cilët janë kundër planeve reformatore të përfshira në axhendën 2010, por edhe ata të së ashtuquajturës e mesmja e re, të cilët kërkojnë me të drejtë thellimin e reformave sociale."

Gazetat merren edhe me pjesëmarrjen e ulët në zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Gazeta Ostsee-Zeitung që botohet në Rostok shkruan:

"Brukseli duket se është tepër larg për shumicën vazhdon të konsiderohet prej saj si një vend, ku rrjedh qumësht dallëndysheje për euro-parlamentarët, dhe ku ngrihen pengesa burokratike për zhvillimin e Evropës. Por duhet thënë se Evropa është shumë më e prekshme për qytetarët e BE-së se sa mendojnë ata. Kështu 80% e ligjeve që miraton Bundestagu gjerman janë adaptimi brënda korrnizave ligjore kombëtare të ligjeve që miratohen në Bruksel. Pra Brukseli nuk është tepër larg, por politika nuk ka arritur t'ia ndërmjetësojë këtë elektoratit."

Gazetari i radios Deutsche Welle Bernd Riegert komenton përfundimin e zgjedhjeve në rang evropian

"Lufta në Irak, frika prej terrorizmit dhe reformat e thella në fushën sociale në radhët e vendeve anëtare të BE-së, qenë motivet që përcaktuan votimin e djeshëm. Tema të tilla me karakter mbarëevropian si kushtetuta e përbashkët, subvencionet agrare apo ndihmat për rajonet e prapambetura të Evropës nuk luajtën ndonjë rol në këtë drejtim. Mund të thuhet se në zgjedhjet e zhvilluara në 25 vendet anëtare të BE-së kishim të bënim më tepër me zgjedhje me karakter nacional, dhe në vendet ku qeveritë kanë kohë që janë në pushtet me një shenjë proteste ndaj tyre. Kryeministri britanik, presidenti francez, kryeministri polak dhe kancelari gjerman u ndëshkuan për shkaqe të ndryshme. Në Çeki, Poloni dhe Britaninë e Madhe fitore arritën kundështarët e BE-së. Pjesëmarrja e ulët në votime forcon partitë ekstreme dhe ato të vogla që janë në gjendje t'i mobilizojnë më mirë simpatizantët e tyre për të marrë pjesë në votime. Në Evropë nuk ka një elektorat mbarëevropian, lista zgjedhore të njësuara apo legjislacion zgjedhor mbarëevropian. Për këtë nuk ka pse të çuditesh që zgjedhësit nuk interesohen për Brukselin e largët, por për problemet që i preokupojnë në vendet e tyre."