1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman 20.06.2005

20 Qershor 2005

Gazetat e sotme gjermane fokusohen tek samiti i BE-së që u zhvillua fundjavën e kaluar në Bruksel.

https://p.dw.com/p/Arv2

Gazeta Kölnische Rundschau komenton:

"Kaloi përgjithmonë koha kur Evropa ishte në gjendje të zhvillonte takime të frytshme. Kriza mbi projektkushtetutën evropiane shkaktoi një klimë të ftohtë mes kryetarëve të shteteve evropiane. Asnjëherë më parë nuk u ndeshën kaq shumë ide dhe vizione të ndryshme mbi Evropën, sa gjatë samitit të BE-së në Bruksel. Blair kërkon një Evropë me një strukturë buxhetore moderne. Por mënyra se si e kërkon Blair këtë reformë, bie në kundërshtim me parimet e shumë shteteve të tjera evropiane. BE po përjeton krizën e tij më të madhe, sepse qeveritë e shteteve antare nuk janë në gjendje të bien dakord mbi një strukturë të përbashkët, nga e cila do të përfitonin të gjithë."

Ndërkohë gazeta Hamburger Morgenpost komenton:

"Nuk është mirë që Tony Blair të konsiderohet si fajtori i vetëm. Së pari ai nuk mundi ta shkaktojë vetëm dështimin e samitit të BE-së. Subvencionet në fushën e bujqësisë, të cilat mbrohen me fanatizëm nga shumë kolegë të Blair-it, nuk u kritikuan në mënyrë aq të hapur sa i ashtuquajturi "rabati britanik". Së dyti ka ardhur koha që të mendohemi edhe njëherë mbi këto subvencione. Kriza e besimit është shumë më e rrezikshme se ajo financiare. Besimi i qytetarëve evropianë është qëllimi i vetëm i BE-së dhe rezultatet e referendumeve të fundit në Hollandë dhe Francë ishin një goditje e fortë për të. Por ne nuk duhet të harrojmë se bashkimi bën fuqinë. Evropianolindorët e dinë këtë gjë. Ndoshta sepse ata nuk janë kaq të përkëdhelur sa ne?"

Gazeta Der Tagesspiegel nga Berlini shkruan:

"´Shtëpia Evropa` duhet të sigurojë më në fund paqen dhe lirinë, por fatkeqësisht askush nuk flet më mbi këtë gjë. Por tani kjo "shtëpi" po kthehet në një kazino, duke harruar se paqja dhe siguria nuk janë më të vetëkuptueshme. Paris, Romë, Mastricht, Nica - në këto qytete u hodhën hapa historikë. Por në Bruksel në qershor të 2005 dështoi gjithçka. Mos ndoshta ky projekt është një iluzion?"

Edhe gazeta Frankfurter Rundschau komenton:

"Edhe në rast se BE nuk u thye përfundimisht gjatë këtij samiti, ky union nuk mund t´i lejojë vetes asnjë pushim gjatë gjashtë muajve të ardhshëm. I gjithë debati mbi rrugën e ardhshme të BE-së dhe planin e tij financiar, zhvillohet vetëm për dy shkaqe: Aprovimin e qytetarëve dhe imazhin e tij në botë. Meqënëse Gjermania ndodhet në mes të fushatës elektorale dhe qeveria franceze në krizë, shtetet si Spanja, Polonia, Suedia, Luksenburgu apo Belgjika janë të detyruara tani të marrin përsipër përgjegjësinë për hapat e ardhshme. Ndoshta ky ndryshim do t´i bëjë mirë BE-së dhe do ta nxisë Tony Blair-in të mendohet edhe njëherë."

Dhe së fundi gazeta Neue Presse nga Hanoveri komenton:

"Britanikët ditën ta përdorin situatën për ta mbrojtur rabatin e tyre. Por ata u përpoqën gjithashtu që ta kthejnë Evropën në të njejtin kurs që ndjekin vetë si shtet. Ky ishte shkaku për dështimin e samitit të BE-së. Tani situata është tendosur sepse besimi i qytetarëve evropianë tek BE po zhduket. Por ndoshta debatet mes shteteve antare duhen konsideruar si një shans për të ardhmen. Ndoshta BE do të fitojë tani më shumë suveranitet dhe kontura të reja. Sa më parë që të zhvillohet një debat i hapur me qytetarët, aq më i madh është shansi për të ardhmen e Evropës së bashkuar."