1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman të ditës

S.H15 Maj 2006

Gjatë një mbledhjeje të jashtëzakonshme, partia social demokrate SPD zgjodhi kryeministrin e landit gjerman Rheinland-Pfalz, Kurt Beck, kryetar partie. Zgjedhja e Kurt Beck si kryetar i ri i partisë social demokrate SPD është tema qëndrore e gazetave të sotme gjermane.

https://p.dw.com/p/Arpw
Kurt Beck, duke folur në Kongresin e SPD-së
Kurt Beck, duke folur në Kongresin e SPD-sëFotografi: picture-alliance/dpa

Në gazetën MÄRKISCHE ODERZEITUNG lexojmë:

"95 për qind - një rezultat i tillë është i mahnitshëm. Partia social demokrate duhet të jetë mëse e kënaqur me zgjedhjen e Kurt Beck si kryetarin e ri të saj. Një rezultat i tillë flet jo vetëm për simpatinë, por edhe për besimin ndaj tij. Por kjo zgjedhje është në të njejtën kohë edhe një mision, për të zgjidhur probleme shumë të vështira. Beck, duhet ta forcojë sërish SPD-në. Shoku ndaj dorëheqjes së papritur të Platzeck është ende i pranishëm në rradhët e social demokratëve. Mesa duket shumë social demokratë nuk dinë si të reagojnë ndaj dorëheqjes së kryetarit për arsye shëndetësore. Kurt Beck ka shumë punë përpara."


Gazeta FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG komenton:

"Të dielën në Berlin u hoq edhe posti politik i zëvendëskancelarit, i cili ka qënë që në kohët e Mendes, Brandtit, Genscherit dhe Fischerit, në duart e politikanit më të fortë të koalicionit. Müntefering i mbetet vetëm titulli, volumi i vërtetë i punës do të kryhet tani nga Kurt Beck. Shpresat për karrierë politike të një zëvendëskancelari pa funksion brenda partisë së tij janë tani të kota. Sado miqësore dhe e frytshme mund të duket sjellja e kancelares me Müntefering në tryezën e kabinetit qeveritar, kryetarja e CDU-së e di tani se me kë do të ketë të bëjë. Që prej ditës së dielë do të fillojë një kapitull i ri edhe për koalicionin qeveritar."

Për gazetën STUTTGARTER ZEITUNG, kryetari i ri i SPD-së është zgjidhja më optimale:

"Partia socialdemokrate, shprehet se ka forca dhe potencial për t´u rigjeneruar. Me Kurt Beck, kjo parti gjeti një element të ri qetësues. Një lloj babai i partisë me shumë mirëkuptim për problemet e shokëve të partisë dhe me mesazhe origjinale për opinionin publik. Kurt Beck është një social demokrat i vjetër, por a do të jetë në gjendje ta ridefinojë partinë e tij?"

Gazeta WIESBADENER KURIER shkruan:

"Beck duhet të bëjë diçka si kryetar i ri i partisë. Diçka që nuk mundi ta realizojë si kryeministër: Ai duhet të pozicionojë një profil social demokrat përpara orientimit pragmatik për sukses. Por se si mund të funksionojë sparkata mes ndryshimit të nevojshëm ekonomik për njerëzit e thjeshtë, mes koalicionit kuq e zi dhe paraqitjes së partisë SPD, do ta shohim kur të bëhet fjalë për reformat në sistemin shëndetësor."

Gazeta Nürnberger Zeitung shkruan:

"Partia social demokrate nuk duket sikur ka shumë alternativa për figura drejtuese. Kryeministra të kuq landesh nuk ka më pothuajse fare dhe personeli kryesor në Berlin qëndron përpara pensionit politik. Pra mund të themi se Kurt Beck është shpresa e fundit e social demokratëve. 95 për qind e votave për Kurt Beck, nuk janë vetëm shenjë simpatie për politikanin me përvojë. Pas Beck, nuk ka asnjë figurë tjetër të rëndësishme brenda rradhëve të partisë SPD."

Dhe së fundi në gazetën GENERAL ANZEIGER nga Boni lexojmë:

"Partia social demokrate zgjodhi dje kryetarin e saj të ri; të dymbëdhjetin që prej vitit 1946, me një unanimitet aq të plotë sa nuk mbetet asnjë hapësirë për dyshime se kryeministri nga Mainzi është njeriu i duhur. Nga ana tjetër, Beck kërkon t´i drejtojë social demokratët për një kohë të gjatë dhe jo vetëm për një perudhë të shkurtër. Ai e bëri të qartë këtë pozicion gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të partise SPD. Fjalimi i tj nuk ishte plot vizione apo superlativa, por i saktë dhe me vend. Në fakt të gjithë mund të jenë të kënaqur me këtë zgjedhje - të majtët dhe të djathtët, modernët dhe klasikët. Madje edhe partnerët e koalicionit. Një opotunist në kryesinë e SPD-së? Jo, një pragmatist me principe."