1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman të së enjtes

ADD23 Nëntor 2005
https://p.dw.com/p/Arsh
Fotografi: AP

Shtypi i sotëm gjerman ndalet vecanërisht në vizitën e parë në botën e jashtme të kancelares së re të Gjermanisë, Angela Merkel.

Për vizitën e Merkelit në Paris, gazeta e Bonit, GENERAL ANZEIGER ndër të tjera shkruan:

"Seria e vizitave evropiane të Merkelit sinjalizon se qeveria gjermane dëshiron të perceptohet më qartë në politikën evropiane, se sa perceptohej nën qeverinë Shrëder/Fisher. "Pauzat e reflektimit" për procesin e mëtejshëm të zgjerimit të BE nuk duhet të shndërrohen në dembelizëm të menduari për organizimin e ardhshëm të Evropës. Merkeli duhet të synojë për një konsensus më të gjerë në rastin e përcaktimit të pozicionit gjerman: një motor evropian mund të jetë i fuqishëm vetëm me britanikët tepër të vështirë."

BERLINER ZEITUNG bën një krahasim mes politikës së jashtme të Shrëderit dhe asaj që besohet se do të ndjekë Merkeli:

"Politika e jashtme e Shrëderit në thelb ishte e motivuar nga nevoja të politikës së brendshme. Në dallim me këtë, përfytyrimet e Merkelit për politikën e jashtme nuk është se janë të shkëputura nga politika brenda vendit, por sidoqoftë janë të emancipuara prej tyre. Do te jetë një miksturë ajo që do të kemi përpara kohën e ardhshme, një politikë, në të cilën përkujdesja për shtetet e vogla të BE, sic praktikohej në kohën e Kohlit, do të lidhet me besimin në vetvete të Gjermanisë në cështjet ndërkombëtare, besim që lindi në kohën e Shrëderit. Edhe në këtë mënyrë mund të paraqitet një fuqi e mesme Gjermani."

NÜRNBERGER NACHRICHTEN konstaton:

"Synimet e udhëtimeve, që ndërmorën dje Angela Merkeli dhe Frank Walter Steinmeier nënvizojnë vazhdimësinë e politikës së jashtme gjermane. Vizita e parë në botën e jashtme e con një kancelar gjerman tradicionalisht në pallatin presidencial në Paris. Ky është më tepër se një gjest demonstrativ. Miqësia gjermano-franceze mbetet edhe në Evropën e bashkuar motor i bashkësisë. Nëse ky motor ngec, përpara nuk ecën asgjë."

Gazeta DIE WELT që del në Berlin përpiqet të kuptojë dicka më shumë nga fjalori i ndryshëm që përdorën për marrëdhëniet dypalëshe Merkeli dhe Shiraku:

"Në një kohë që presidenti i Francës, Zhak Shirak flet për një aks "gjermano-francez", kancelarja preferon të flasë për miqësi. Merkeli largon kështu ekskluzivitetin e marrëdhënieve, tek i cili qe mbështetur kancelari Shrëder në disfavor të lirisë së Gjermanisë për të lëvizur. Kancelarja dëshiron të kthehet pas në politikën klasike të jashtme, ashtu sic e kanë ndjekur të gjithë kryetarët e shteteve, me përjashtim të Gerhard Shrëderit. Kjo politikë mund të përcaktohet edhe si parimi "edhe ketëj- edhe andej": marrëdhënie të ngushta me Parisin, por pa përjashtuar evropianët e tjerë. Kujdes për motorin gjermano-francez, por pa zemëruar Uashingtonin."

Komentatori i FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG shkon edhe më tej:

"Zgjatja e përbashkët nga Shrëderi dhe Shiraku e boshtit (Berlin/Paris) deri në Moskë ishte një gabim: Uashingtoni e pa këtë si provë për të ndërtuar kundërpesha dhe e shpërbleu këtë po në të njëjtën mënyrë (kjo mund të shihet në mosmbështetjen demonstrative të përpjekjes gjermane për të hyrë në KS të OKB-së); në shtetet e reja anëtare të BE u ushqye dyshimi se mbi kokat e tyre bëhet politikë e fuqive të mëdha. Nëse do të arrihet të bëhet një riorientim i politikës, pa bërë dëme në Paris ose në Moskë, kjo nuk do të varet së fundi edhe nga mjeshtëria dhe fuqia bindëse e zonjës Merkel"

I të njëjtit mendim është edhe komentatori i KÖLNER STADTANZEIGER:

"Qeveria federale e drejtuar nga CDU-ja është e interesuar të bëjë një pozicionim më të gjerë të politikës së jashtme gjermane, politikë e cila karakterizohej deri vonë nga betonimi i "boshteve" (Paris- Berlin-Moskë) ose nga "miqësitë e burrave", (Shrëder/Shirak, Shrëder/Putin) të ndjekura në mënyrë shumë intensive. Ajo që kërkohet tani është para së gjithash mjeshtëri diplomatike: sepse interesat kombëtare në cështjet e politikës ekonomike dhe të financave nuk do të formulohen ndryshe nga koalicioni i unionistëve me socialdemokratët, se sa u formuluan nga koalicioni i socialdemokratëve me Të Gjelbrit. Në këtë pikë, por edhe në vendimin, që të paktën me personel Gjermania të qëndrojë edhe më tej jashtë konfliktit të Irakut, politika e jashtme gjermane do të ketë vazhdimësi."