1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman të së enjtes

18 Maj 2005

Procesi gjyqësor në Moskë kundër ish-manjatit të naftës, Kodorkovskij, qendrimi i qeverisë gjermane ndaj ngjarjeve në Uzbekistan dhe ligji i planifikuar, sipas të cilit menaxherët kryesorë të ekonomisë gjermane duhet të publikojnë rrogat e tyre preokupojnë sot shtypin gjerman

https://p.dw.com/p/ArvU

SÜDDEUTSCHE ZEITUNG komenton procesin kundër ish-manjatit të naftës Kodorkovskij:

"Mesazhi u transmetua: oligarkët vendas dhe investorët e mëdhenj të huaj e kuptuan, se kontaktet e mira me Kremlinin janë më të rëndësishme se sa avokatët e mirë. Nga shteti demokratik në Rusi mbetet vetëm ajo fasadë që u mjafton plotësisht disave, si p.sh. Deutsche Bank-ës ose edhe kancelarit Gerhard Shrëder. Për Mihail Kodorkovskin dhe Platon Lebedjevin megjithatë, në procesin gjyqësor tek i cili Gerhard Shrëderi nuk gjen shkak për të dyshuar se nuk përputhet me shtetin juridik, ky proces ka të bëjë me një pjesë të jetës së tyre. Masa e dënimit do të flasë në fund më pak për fajin e të akuzuarve, por më shumë për ashpërsinë e Kremlinit. Si drejtues ekonomik Kodorkovskij, pavarësisht nga dënimi, ka marrë tashmë fund. Por si figurë simbolike e një Rusie moderne ai po ngjit tani maja të reja. Kjo do të thotë edhe: për aq kohë sa Kodorkovskij të rrijë pas kangjellave të burgut, për aq kohë në Rusi do të sundojë epoka e atyre që hedhin gurin e fshehin dorën."

Ndërsa STUTTGARTER NACHRICHTEN analizon qendrimin e qeverisë gjermane ndaj ngjarjeve të fundit në Uzbekistan:

"Uzbekistani, ndryshe nga Bjellorusia ka rëndësi strategjike për perëndimin. Ai nevojitet nga SHBA, por edhe nga Gjermania si bazë për furnizimin e trupave në Afganistan. Perëndimi me sa duket kacavirret edhe pas shpresës për ta përdorur Karimovin si kështjellë kundër islamizimit të mëtejshëm të Azisë Qendrore. Kështu që ky burrë, i cili e qeveris popullin e tij me dorë të hekurt, shndërrohet shpejt në aleat, sikur të ekzistonin diktatorët e mirë dhe diktatorët e këqij.Por pretendimi, me të cilin u pozicionua dikur koalicioni qeveritar kuq e gjelbër ndaj Uzbekistanit dikur ishte një tjetër, më i lartë, më moralist, prandaj edhe strategjia e dyfishtë e Shrëderit dhe e Fisherit ndihet shpejt si me dy faqe."


Ndërrojmë sërish temë: projektligji, sipas të cilit menaxherët në poste kryesore të ekonomisë gjermane duhet të shpallin hapur rrogat e tyre preokupon sot shumicën e komentatorëve gjermanë.

Në gazetën LÜBECKER NACHRICHTEN ndër të tjera lexojmë:

"Pavarësisht nga fakti se në vendin e burokratëve Gjermani ekzistojnë shumë ligje të panevojshme: ky është një ligj me vend dhe që nevojitej prej kohësh. Sepse bosat e koncerneve të mëdha luajnë me dëshirë njëherë rolin e lojtarit global, maten me kolegët e tyre në SHBA dhe kërkojnë edhe rroga të atij niveli. Megjithatë, për anëtarët e kryesisë shakaja merr fund, kur shtrohet pyetja që edhe këtu të sundojnë rregullat e lojës të SHBA."

NORDBAYERISCHER KURIER mendon:

"Pse nuk duhet ta dinë pronarët e sipërmarrjeve, aksionerët, se sa fitojnë të punësuarit e tyre në pozicione kyce? Një ndërhyrje e palejueshme në sferën personale të menaxherëve kryesorë këtu nuk mund të konstatohet. Në cështjen sekret rrogë hidhet dritë, sepse ekonomia nuk e zbaton në mënyrë konsekuente vetëpublikimin."

Ndërsa gazeta që del në Bonn GENERAL ANZEIGER konstaton:

"Qeveria tërheq vëmendjen në praktikën në SHBA, ku publikimi i rrogave të menaxherëve është i detyrueshëm me ligj...Këtu heshtet për faktin se në sipërmarrjet amerikane janë të nevojshme mekanizma krejt të tjerë kontrolli, sepse organet drejtuese të tyre i caktojnë vetë rrogat e drejtuesve. Por në sipërmarrjet gjermane këtë e bën Këshilli Mbikqyrës dhe në të përfaqësohen sindikalistët. Nëse ata i përgjigjen si duhet funksionit të tyre të rojes, për këtë duhet të diskutohet shumë më me këmbëngulje, nënvizon GENERAL ANZEIGER.


Dhe së fundi SCHWÄBISCHE ZEITUNG që botohet në Leutkirch:

"Botën e kryesuesve gjermanë të sipërmarrjeve këto vendime nuk do t'i tronditin. Kur 75% e kapitalit të përfaqësuar bazë...shprehet kundër, vendimi nuk ka si të hyjë në fuqi. Atje ku kjo nuk bëhet, dhe rrogat megjithatë nuk publikohen, kërcënon një gjobë prej maksimalisht 50 mijë eurove, për fituesit e mëdhenj pra një shumë e tolerueshme. Kështu që ligji i ri ka më tepër një karakter apelativ. Kontribuoni me dicka dhe le të paguheni edhe në përputhje më atë që kontribuoni, është mesazhi. Këtë vështirë ta kundërshtosh."