1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman të së enjtes

AD5 Janar 2005
https://p.dw.com/p/ArxL
Konferencë shtypi për ndihmën gjermane për Azinë Juglindore, 5 janar 2005
Konferencë shtypi për ndihmën gjermane për Azinë Juglindore, 5 janar 2005Fotografi: AP


Ndihma për viktimat në Azi vazhdon të jetë edhe më tej temë qendrore e komenteve të shtypit të përditshëm gjerman. Qeveria gjermane e rriti ndihmën e premtuar dhe do t'i ndihmojë vendet e prekura me 500 milionë Euro.


FRANKFURTER RUNDSCHAU vëren:

"Sipas parimit "Bëj mirë dhe fol për këtë", qeveria gjermane u vu në krye të donatorëve për viktimat e tërmetit detar dhe menjëherë krijohet hapet mundësia e akuzës: mund të supozohet dhe të polemizohet për llogarinë e gjenerozitetit: dëshirë e koalicionit kuq e gjelbër për t'u profilizuar, fushatë elektorale, biletë e blerë shtrenjtë për në KS të OKB-së...Dhe megjithatë, pohimi se shtimi i ndihmës gjermane është vetëm një llogari politike është i padrejtë dhe cinik. Po ta kthesh në të kundërtën, atëherë del që më e ndershmja do të ishte ajo qeveri, e cila tregohet më kurrnacja."

Për shtimin e donacioneve gjermane për viktimat e tërmetit katastrofal detar në Azinë Juglindore, gazeta BADISCHES TAGBLATT që botohet në Baden-Baden shkruan:

"Gjermania e ka shtuar angazhimin e saj financiar për rajonet e
përmbytjes në Azinë Juglindore nga 20 milionë aktualisht në 500 milionë Euro. Përballë përmasave shkatërrimtare të katastrofës natyrore kjo është e drejtë dhe me vend. Por lajmet pozitive nga Gjermania nuk duhet të të gënjejnë për atë se rindërtimi i rajoneve të shkatërruara mund të arrihet vetëm me një përpjekje të jashtëzakonshme të fuqishme nga bashkësia ndërkombëtare. Vetëm nëse do të arrihet që ndihmat e organizatave shtetërore dhe joshtetërore të koordinohen si duhet, atëherë rindërtimi mund të fillojë shpejt dhe si duhet. Puna sapo ka filluar."


Ndërsa në BERLINER KURIER që del në Berlin lexojmë:

"Shifra, gjithmonë të reja, gjithmonë më të larta. Një milionë, dhjetë milionë, dyzet milionë. Dhe tani një gjysmë miliardi Euro. Duket sikur qeveria nuk donte të mbetej pas njerëzve të saj. Kur shumat marramendëse të donacioneve për zonat e tërmetit detar përmenden para kamerave, syri mund të të kapë buzëqeshje të druajtura në sytë e ndonjë të afërmi të viktimave dhe lotë... Janë bujaria dhe zemërgjerësia që arrijnë të përkëdhelin shpirtrat e plagosur. Eshtë dhurata e vogël njësoj si ajo e madhe. Eshtë gjesti ai që të prek. Dhe këtu, një fjali e shoqëruar kaq fort me dyshime,merr një kuptim të ri: unë jam krenar që jam gjerman."


Me nota kritike për efektivitetin e ndihmës evropiane shprehet FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG, që del në Frankfurt mbi Main:

"Nuk është pamje bindëse ajo që ofron Evropa këto ditë. Hidhërimi dhe mbështetja nuk mungojnë...por viktimave që kanë nevojë akute dhe të afërmve të tyre në zonat bregdetare të Azisë u ndihmohet pak. Ndihmën e parë të huaj ata e marrin prej të tjerëve: prej australianëve, prej indianëve dhe para së gjithave prej amerikanëve.

Në një kohë që në ditët e para vendimtare pas katastrofës ushtarët amerikanë hidhnin ndihma në zonat e izoluara dhe mjekët australianë mjekonin të sëmurët, në Evropë bëheshin diskutime, madje edhe më keq, kërkohej një datë për diskutime. Ministri francez i shëndetësisë, Duste-Blazy pyeti në mënyrë retorike pas vizitës së tij në Sri Lanka,nëse është "normale" që të kalojnë dhjetë ditë derisa kolegët e tij të flasin në Bruksel për herë të parë për katastrofën.

Dhe më tej, në FAZ lexojmë:

Eshtë pranuar se BE në cështjet e politikës botërore - që nga kriza e Ballkanit deri në luftën e Irakut- nuk flet me një zë dhe si aktor i pavarur shpesh tregohet i paaftë. Tani Evropa po tregon një dobësi pikërisht aty ku ajo ka kujtuar gjithmonë se është e fortë, madje më e fortë se amerikanët: në ndihmën emergjente humanitare.

Ndihmë efektive nuk ofrojnë ata që sillen me dashuri, por të fortët, jo anijet me furnizime, por aeroplanmbajtëset. Revolja për startin e madh për ndihma nuk u shkrep në Bruksel ose Berlin, por në Uashington."


Dhe së fundi, HANDELSBLATT e Dyseldorfit, paralajmëron:

"Një bilanc i gjerë për dëmet duhet bërë sa më shpejt, vetëm atëherë mund të thuhet në mënyrë serioze, se ku shpenzohen më shumë para. Dhe nëse paratë mjaftojnë. Konferenca ndërkombëtare e donatorëve, e cila mblidhet javën e ardhshme në Gjenevë nuk do ta ketë në tryezë një bilanc të tillë. Megjithatë, ajo mund të vendosë piketa vendimtare. Kështu ajo do të kujdeset, që koordinimi i ndihmës së menjëhershme të rindërtimit të jetë në një dorë në shtatë nga vendet e prekura më shumë."