1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman të së hënës

Auron DODI23 Janar 2005
https://p.dw.com/p/Arx3
Viktor Jushçenko bën betimin si president i ri i Ukrainës
Viktor Jushçenko bën betimin si president i ri i UkrainësFotografi: AP


Komentatorët e shtypit të sotëm gjerman ndalen ndër të tjera në betimin e presidentit të ri të Ukrainës, Viktor Jushcenko dhe përpiqen të bëjnë parashikime për të ardhmen e Ukrainës. Temë tjetër është skandali i Partisë ekstremiste Nacionaldemokrate të Gjermanisw në Parlamentin e Saksonisë.

KÖLNISCHE RUNDSCHAU që del në Këln ndër të tjera vëren:

"Viktor Jushcenko është një triumfues i qetë. I përmbajtur dhe me shumë seriozitet ai nisi detyrën e tij si president i ri i Ukrainës. Fytyra e shpërfytyruar e drejtuesit të deritashëm të opozitës të kujtonte se bartësi i shpresës mund të ishte bërë për pak viktimë e një atentati me dioksinë. Edhe nëse sërish, në sheshin e pavarësisë në Kiev u valëviten flamuj të portokallinjtë, revolucioni i gëzuar demokratik i dhjetorit pati një pikë mbylljeje disi të përmbajtur. Jushcenkoja u përpoq që t'u zgjaste dorën njerëzve në Lindje dhe në Jug të Ukrainës. Por rruga për pajtimin e brendshëm të Ukrainës është ende e gjatë.

Presidenti i ri zgjodhi qartë rrugën drejt Perëndimit dhe kërkoi për vendin e tij një vend në BE. Fqinji i madh, Rusia u përmend vetëm indirekt në fjalimin e Jushcenkos, kur ai tha se askush nuk do të përcaktojë më nga jashtë se kush do të zgjidhet në Ukrainë. Por që të hënën, shefi i Kremlinit dhe njeriu i ri nga Kievi do të përpiqen të gjejnë një bazë të re për bisedime."


Ndërsa FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG, që del në Frankfurt mbi Main konstaton:

"50 vjecari ndodhet para detyrës së vështirë për ta lidhur më ngushtë me strukturat perëndimore vendin e përçarë midis forcave properëndimore dhe proruse, dhe njëkohësisht për të mos e lënduar partnerin deri tani më të ngushtë, Rusinë. Udhëtimi i parë në botën e jashtme e çon të hënën presidentin e Ukrainës në Rusi, e cila mbështeti në fushatën elektorale konkurentin e Jushcenkos për postin e presidentit, Viktor Janukovic.
Me betimin, përfundon në Ukrainë një fazë e pasigurisë politike. Shumë njerëz në ish-republikën sovjetike e shohin Jushçenkon si bartës të shpresës për një fillim të ri, pasi koha e paraardhësit të tij në post, Leonid Kucma u karakterizua nga skandale dhe akuza për korrupsion. Me protestat e tij paqësore dhe të guximshme, populli i Ukrainës tregoi një masë të madhe përgjegjësie, kuptimi civil dhe pjekurie civile. Tani puna është të vihen në rrugë reformat ekonomike dhe politike."


Ndërrojmë temë: disa deputetë të partisë ekstremiste të djathtë, Partia Nacionaldemokrate e Gjermanisë, PNGJ, u shprehën në parlamentin e landit të Saksonisë me parrulla ekstremiste të djathta dhe u përpoqën të zbutin tmerret e holokaustit. Menjëherë në Gjermani u ngritën zëra që kërkojnë ndalimin me ligj të kësaj partie. Për këtë nga shtypi i sotëm veçojmë:

DIE WELT që del në Berlin ndër të tjera shkruan:

"Partia Nacionaldemokrate e Gjermanisë ka arritur tashmë të manovrojë me mjeshtëri në një zonë gri, midis shkeljes aktive të kushtetutës dhe vetëm "ekstremizmit të djathtë". Me sa duket bën pjesë në lojën e kësaj partie, që t'i fyejë partitë e tjera si tani në Saksoni kaq rëndë, sa që këto të bëjnë kërkesa juridike të pathemelta, për t'i tërhequr ato më vonë. PNGJ-së i duhet hequr tulla e themelit, kudo që të jetë e mundur: manifestimet e saj duhen ndaluar, atje ku ato shkelin rregullat. Në hutimin e tyre duhen treguar me gisht kokat e kësaj "lëvizjeje", si në parlamente, ashtu edhe në televizion. Për këtë duhet angazhim energjik, por edhe mendje e ftohtë."

AUGSBURGER ALLGEMEINE shkruan për këtë temë:

" Thirrja e shkurtër e protestës nuk mjafton, aq më tepër kur mbahet parasysh se kërkesa e shndërruar në refleks për ndalimin e kësaj partie, është një mjet i papërshtatshëm. Kjo ia shton vlerat kësaj partie, i bën propagandistët e saj martirë. Demokracia është një proces i gjatë që nganjëherë shkakton dhimbje. Pikëpamjet nuk mund të diktohen nga lart, elitat e shtetit dhe të shoqërisë duhet të bëjnë publicitet me të gjitha fuqitë për idetë e lirisë, demokracisë dhe të shtetit juridik."

Dhe së fundi, në gazetën NORDKURIER që botohet në Nojbrandenburg lexojmë:

"Pasi iku tmerri i parë për shkarjet ekstremiste të djathta në Dresden, tani del në pah një pasiguri e qartë, për atë se si duhet vepruar me zjarrvënësit mendorë të Partisë Nacionaldemokrate Gjermane. Lista e masave të propozuara kalon që nga heqja e së drejtës për të folur në parlament, deri në kërkesën për një procedurë të re për të ndaluar partinë."