1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman të së mërkurës

17 Maj 2005

Terroristët islamikë dhe aktivitetet e neonazistëve janë në qendër të raportit të ri për mbrojtjen e kushtetutës ose të gjendjes së sigurisë në Gjermani, të cilin e paraqiti në Berlin ministri i brendshëm, Oto Shili.

https://p.dw.com/p/ArvV

Shumë kryeartikuj të gazetave të përditshme gjermane komentojnë rreziqet e përmendura nga ministri Shili.

Gazeta STUTTGARTER NACHRICHTEN mendon:

"Ekstremistë të djathtë që shtohen në mënyrë të paturpshme dhe një numër në rritje i islamistëve në Gjermani janë një miksturë e rrezikshme. Një shtet në gjendje për t'u mbrojtur duhet të tregojë pozicionin e tij- pa tredhur në mënyrë të domosdoshme të drejtat e njeriut. Shili ka shumë punë para vetes."


Tek BADISCHE NEUESTE NACHRICHTEN që del në Karlsruhe lexojmë:

"Ajo që është kuptuar është kaq banale- dhe megjithatë në cdo rast të vecantë kaq e vështirë: ekstremistët janë aq të fortw sa e lejon këtë shoqëria. Dënimi i Partisë ekstremiste Nacionale Demokratike NPD dhe i bagazhit racist, antikushtetues dhe teorik mbetet një sfidë, e cila është e re cdo ditë para shtetit juridik demokratik dhe shoqërisë civile. Asgjë nuk do të kishte qenë më e hapur ndaj infektimeve se sa një bashkësi e rehatshme, e cila kujton se jeton në siguri"


FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG shkruan:

"Në të vërtetë, ekstremistët e djathtë që bashkohen gjithnjë e më shumë me NPD-në do të bënin mirë t'i thërrisnin mendjes dhe të moderoheshin. Rrezikun kryesor për rendin demokratik megjithatë Shili e sheh tjetërkund, te persona krejt të tjerë. Një përqind e tri milionë myslimanëve që jetojnë në Gjermani ndihet i afërt me një organizatë islamike ose është anëtar i saj. Ky numër është tepër i vogël, edhe nëse nuk dihet gjë për aftësinë e tyre për mobilizimin e bashkombasve të tyre. Por 30 mijë janë të mjaftueshëm për t'u ofruar të vendosurve për terrorizëm një hapësirë rehati, madje edhe mbështetje për aktivitetet e tyre."

Gazeta OSTSEE-ZEITUNG që del në Rostok trajton para së gjithash ekstremizmin e së djathtës:

"Në raportin për mbrojtjen e kushtetutës të ministrisë së punëve të brendshme do të kishte bërë pjesë edhe pranimi se strategjitë e deritashme kundër ekstremistëve të djathtë nuk do të kishin qenë në gjendje ta thanin këtë kënetë. Vecanërisht shqetësuese është që numri i mbështetësve të ekstremistëve të djathtë është rritur. Jo vetëm, por para së gjithash në Lindje, ku vlerave demokratike u vihet vecanërisht pikëpyetje, sepse realiteti ekonomik nuk duket se është në përputhje me to. Kësaj i shtohet se populistët e djathtë veprojnë në mënyrë shumë më të diferencuar. Përfaqësues me pikëpamje të djathta po zenë vend në parlamente dhe skena e gatshme për dhunë mbulohet nga degët e NPD-së."

Ndërrojmë temë:

"Revista amerikane "Newsweek" e tërhoqi raportin e saj për gjoja përdhosjen e Kuranit në kampin amerikan Guantanamo. SÜDDEUTSCHE ZEITUNG komenton dëmin politik që pason:

"Kredibilitetin tek bota islamike, SHBA nuk e kanë humbur për shkak të një raporti, por sepse që nga Abu Graib deri në Guantanamo, nga trajtimi i të dyshuarve për terror në vendin tënd deri në kapjen e terroristëve në të gjithë botën ka lindur një sistem padrejtësie, për të cilin nuk mund të ketë mirëkuptim. Newsweek raportoi me sa duket me mendjelehtësi për një përdhosje të pakonfirmuar të Kuranit. Tani revista e ka tërhequr paraqitjen e saj, megjithatë në një mënyrë të tillë të dyshimtë, sa krijohet hapësirë për spekullime të tjera. Thuajse nuk luan më asnjë rol se kush kërkon të fshehë dicka dhe kush hesht në mënyrë konspirative përballë kujt. Afera e Newsweek-ut në fund do t'i dëmtojë të gjithë."


Në fund edhe një vështrim në ABENDZEITUNG që botohet në Mynih:

"Revista amerikane e lajmeve e dëmtoi rëndë emrin e saj si organ zbulues. Qeveria Bush gëzohet që e nxjerr zbuluar shtypin kritik. Por megjithatë, debati ka ecur në rrugë të gabuar. Që tani ka kërkesa për të mos cituar më burime anonime. Kjo është jo në përputhje me realitetin dhe e rrezikshme. Asnjë skandal, që nga Uotergejti deri tek aferat CSU-Amigo nuk do të ishin zbuluar pa informantë anonimë. Dhe pohimi se demonstratat antiamerikane që shkaktuan vdekjen e disa vetëve në Afganistan dhe Pakistan janë shkaktuar nga një artikull gazete tingëllojnë absurde. Antiamerikanizmi në rajon ka shumë shkaqe. Torturat e Abu-Graibit dhe hapësira jashtë ligjit në Guantanamo janë vetëm disa prej tyre dhe këto skandale ekzistojnë me të vërtetë."