1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman të së mërkurës

Auron Dodi8 Shkurt 2005
https://p.dw.com/p/Arwn
Sharm el Sheih: Mahmud Abaz dhe Ariel Sharon
Sharm el Sheih: Mahmud Abaz dhe Ariel SharonFotografi: AP


Temë mbizotëruese në shtypin gjerman të së mërkurës është takimi midis kryeministrit izraelit Ariel Sharon dhe presidentit palestinez, Mahmud Abaz në Sharm el Sheih të Egjiptit dhe ajo që pritet prej këtij takimi.

KÖLNER STADT ANZEIGER që botohet në Këln ndër të tjera shkruan:

"Ishte një moment historik kur për herë të parë kryeministri izraelit Ariel Sharon dhe presidenti i posazgjedhur palestinez Mahmud Abaz deklaruan detyrimin e tyre për armëpushim duke u afruar sërish me njëri-tjetrin pas viteve të konfrontimit. Para së gjithash, surprizë qe fjalimi emocionues i Sharonit, i cili me fjalë impresionuese shprehu edhe shpresën e Izraelit për t'u bërë me fqinjët arabë më në fund pjesë e një zgjidhjeje paqësore për të gjithë rajonin. Në Sharm el Sheih, për herë të parë pas vendosmërisë së fortë të babait të ngulimeve u dëgjuan tone të tjera, kur ai u bëri thirrje të dy popujve të tregojnë forcë dhe guxim për të hequr dorë nga ëndrra jorealiste. Me të vërtetë, një qetësim (i situatës) mund ta rrënjoste një ditë në një formë të re shtetin hebre në botën arabe."

Ndërsa BERLINER ZEITUNG që del në Berlin vëren:

"Nga fillimi i ri nuk do të dalë një proces që të cojë në një zgjidhje me dy shtete dhe në paqe, nëse SHBA nuk arrijnë në një përfundim themelor: izraelitët dhe palestinezët heqin dorë nga dhuna sepse shpresojnë që t'i realizojnë më mirë qëllimet e tyre në këtë mënyrë. Por këto synime aktualisht e përjashtojnë njëra-tjetrën. Duhet të gjenden zgjidhje, të cilat duan të thonë heqje dorë: nga toka, nga e drejta e kthimit e refugjatëve palestinezë, nga sundimi vetëm i njërës palë mbi Jeruzalem. Për të arritur kompromise në këto cështje, nuk mjaftojnë kërkesat modeste dhe paralajmërimet. Sepse negociata do të zhvillojnë dy partnerë ekstremisht të pabarabartë. Detyra më e rëndësishme e ndërmjetësuesve amerikane do të jetë që të krijojnë një kompensim me peshën e tyre."

FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG që botohet në Frankfurt mbi Main tërheq vëmendjen:

"Vendimtare për dobinë politike të ndalimit të dhunës të të dyja palëve do të jetë se për ç'masë tolerimi të rëndimit të raporteve është rënë dakord pa u shprehur dhe jo publikisht, dhe c'masë rëndimi nga të papriturat do të tolerohet me të vërtetë. Vetëm me njëfarë pandjeshmërie ndaj shqetësimeve të papritura mund të ruhet shansi që armëpushimi të shndërrohet në dicka më tepër. Që kjo gatishmëri për të toleruar të shpallet publikisht mund të rezultonte kontraproduktive dhe të shërbente si nxitje për të provuar kufijtë se deri ku mund të shkonte njeri ose tjetri."


Ja edhe mendimi i komentatorit të GENERAL ANZEIGER që del në Bonn:

"Atmosfera e mirë në kepin jugor të Gadishullit të Sinait nuk duhet të bëjë të harrojmë se pjesëmarrësit e takimit i ndajnë ende humnera të mosbesimit: para së gjithash, midis Izraelit dhe palestinezëve, midis Sharonit dhe Mubarakut, por edhe midis palestinezëve dhe botës arabe të drejtuar nga Egjipti duhet të ndërtohen ura që të jenë në gjendje të mbajnë. Vërtet që tani në Sharm el Sheih u dha nga të dyja palët siguri se do të bëhen të gjitha përpjekjet për të ruajtur qetësinë dhe për ta afruar më shumë paqen. Por dyshimet janë të lejuara, nëse oratorët kryesorë të takimit të djeshëwm i besuan vërtet njëri-tjetrit. Megjithatë: mund të thuhet se u shënua një fillim. Ka pasur ditë me më pak shpresë."


Në gazetën DIE WELT që del në Berlin lexojmë:

"Në Lindjen e Mesme është e mundur paqja. Më mirë se kurrë më parë janë shanset midis Izraelit dhe palestinezëve. Megjithatë, të dyja palëve u duhet të pranojnë lëshime të dhimbshme. Kjo kërkon udhëheqje, besim dhe siguri, të cilat gjithmonë kanë qenë jo më bollëk në rajon. Megjithatë: gjendja nuk ka qenë kurrë kaq shpresëdhënëse. Arafati, partizani i përjetshëm nuk jeton më. Izraelitët e dinë se duhet të ketë ndarje që të ngrihet një shtet palestinez i aftë për të ekzistuar. Dhe Bushi e ka shpallur paqen cështje të tij. Armëpushimi, i detyruar nga Uashingtoni është një kusht i nevojshëm i paqes, por jo i mjaftueshëm. Abazi duhet ta kthejë aprovimin demokratik të shumicës në vendin e organizatës Fatah në aftësi politike veprimi. Krahas dëshirës dhe arsyes, atij i duhet aftësi për të zbatuar vullnetin e tij dhe pushkë besnike."