1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman të së premtes

5 Maj 2005
https://p.dw.com/p/Arvf


Tema kryesore e komenteve të gazetave të sotme gjermanë është kongresi i Partisë Liberale Gjermane FDP. Por edhe eleminimi i vendeve të punës nga koncerni i kompjuterve IBM si dhe dorëzimi i Cmimit Karl presidentit të Italisë, Carlo Azelio Ciampi preokupon kryeartikujt.

Për kongresin e liberalëve, në gazetën STUTTGARTER ZEITUNG lexojmë:

"Në Këln, udhëheqja e liberalëve u përpoq të bëjë një rikthim në tema klasike liberale përtej liberalizmit të tregut. Tone të ndërmjetma gjetën liberalët në cështjen e sigurisë së brendshme dhe të politikës së jashtme gjermane. Qartë u profilizuan ata në cështjen e të drejtave të qytetarëve dhe si në mbrojtjen nga shteti i përgjimeve në temën mbrojtje nga terrorizmi. Në politikën e jashtme ata rikujtojnë parimin tradicional të përmbajtjes ushtarake dhe kundërshtojnë kursin e fortë të kancelarit në rastin e embargos së armëve ndaj Kinës. Që Westervele i trajtoi këto tema me seriozitet, delegatët e shpërblyen me duartrokitje. Por rezultati i tij në zgjedhje nuk ishte fare më i mirë se sa dy vjet më parë, kur ai u ndëshkua për aferën Myleman."

Gazeta BERLINER ZEITUNG plotëson:

"Guido Vestervele u rizgjodh me një rezultat shumë të mirë për të. Kjo nuk do të thotë se 80% e ndjekin kursin e tij. Për këtë ka pasur dhe ka shumë kritika dhe konkurencë. Kritikë në vetminë programatike. Konkurencë me kryetarin e fraksionit Volfgang Gerhardt, i cili vetëm pak javë më parë u përpoq që ta dobësonte kryetarin e partisë me një program të tij. Por një person më të mirë se Vestervele, këtë delegatët e kongresit të liberalëve e vendosën në interes të tyre, ata nuk do të gjejnë deri në zgjedhjet e reja parlamentare."

LANDESZEITUNG që del në Lyneburg i sheh kështu zhvillimet:

"Kryetari i liberalëve Vestervele përpiqet të ndërmarrë një ndryshim kursi, drejt partisë agresive ekonomike. Por ai ka dy probleme kryesore: mungesën e një personeli bindës, gjë që nuk ilustrohet më mirë se nga pazëvendësueshmëria e "marinarit të lehtë" në urën e liberalëve. Dhe suksesi i doktrinës neoliberale. Kjo është vetëm në vështrim të parë paradokse. Sepse Partisë Liberale FDP i ka humbur tema monopol. Të gjitha partitë ndërkohë mendojnë në mënyrë liberale. Me parullën, koalicioni qeveritar kuq e gjelbër është një gabim historik, Vestervele mbithekson frikën, nëse Partia Liberale FDP do të mbijetojë historikisht."

Gazeta SCHWERINER VOLKSZEITUNG arrin më në fund në këtë përfundim:

"Megjithë sukseset e padiskutueshme në zgjedhje, për të cilat mund të tërheqë vëmendjen kryetari nën udhëheqjen e tij - liberalët përfaqësohen në 11 parlamente landesh dhe në katër qeveri landesh- partia është e paqetë. Pakënaqësia e lehtë nuk i shpëton as Vesterveles. Me zgjerimin e personelit dhe të programit ai përpiqet të qetësojë kritikët e tij. Debati që po i kapërcen kufijtë për kapitalizmin, si temë kryesore elektorale dhe partiake, për shefin e liberalëve vjen si me porosi. Por me vetëm me deklarata verbale, me kalimin e kohës nuk mund të bëhet politikë. Ndonjë përtëritje e gjerë dhe e thellë, tek liberalët nuk ndihet."

Ndërrojmë temë: gazeta HANDELSBLATT që del në Dyseldorf komenton shkurtimin e planifikuar të vendeve të punës të koncerni i kompjuterave IBM:

"Edhe përtej të gjitha debateve për kapitalizmin duhet të lejohet të shtrohet pyetja, se pse një koncern, i cili vitin e kaluar shënoi një fitim neto prej tetë miliardë dollarësh, tani u mbyll derën 13 mijë punonjësve? Përgjigjia banale është: se IBM është një koncern global dhe në të ardhmen ka nevojë për më pak punëtorë në Evropë dhe për më shumë në Azi. Sfond i kësaj është se në Evropë dhe vecanërisht në Gjermani prej katër vjetësh IBM mund të marrë gjithnjë e më pak nga ajo që kërkon Wall Street nga IBM: rritje ekonomike!"

Ndërrojmë sërish temë: gazeta e Ahenit, AACHENER ZEITUNG merr shkas nga dorëzimi i Cmimit Karl presidentit 84-vjecar italian Carlo Azelio Ciampi për këtë vështrim:

"Shumë njerëz kanë frikë nga globalizimi dhe tërbimi i tij anonim, me të cilin ai kërcënon të ndryshojë përditshmërinë sociale. Përgjigjia për këtë mund të ishte një Evropë, e cila e përkufizon rolin e saj si një fuqi botërore sociale dhe e orientuar tek të drejtat e njeriut. Ky duhet të ishte, pas monedhës së përbashkët dhe kushtetutës së përbashkët- kontributi që kërkuan Köhleri dhe Ciampi për një Evropë të njerëzve. Dhe ky ishte edhe mesazhi më i rëndësishëm i ditës së djeshme të dorëzimit të cmimit Karl, i plotësuar në mënyrë të mrekullueshme me atë optimizëm dhe gëzim, që buronte prej burrit të vjetër dhe të ri nga Italia."