1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

Thomas Grimmer21 Dhjetor 2006

Deklaratat e presidentit amerikan Xhorxh Bush se SHBA-të, "as nuk do fitojnë, as do ta humbin luftën" në Irak si edhe mënyra e drejtimit të postit të presidentit gjerman nga Horst Köhler, janë temat qëndrore të shtypit të sotëm gjerman.

https://p.dw.com/p/ArmQ

Në gazetën WESTFÄLISCHEN ANZEIGER lexojmë mbi deklaratat e Bushit:

"Vetëm 48 orë pas marrjes përsipër të postit të ministrit të mbrojtjes nga Gejts(Gates), presidenti Bush i habiti të gjithë me një deklaratë, që opinioni publik botëror nuk e priste kurrë nga goja e tij: Lufta e Irakut nuk mund të fitohet dot më. Ky konkluzion realist mund të ishte nxjerrë që pas sulmeve të para amerikane me bomba kundër Bagdadit. Por tani, pas një krize të tillë politike, pas shpenzimit të miliarda dollarëve dhe pas mbi 3.000 ushtarëve të vdekur amerikanë, kjo deklaratë vjen shumë vonë."

Gazeta THÜRINGER ALLGEMEINE nga Erfurti komenton:

"Ishte që në fillim e qartë: Në rast se SHBA-të duan ta ndryshojnë strategjinë e tyre në Irak, atëherë ky ndryshim nuk mund të vijë nga Xhorxh Bushi. Pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare, presidentit iu desh të pohonte, se i pranon rekomandimet e komisionit Bejker (Baker). Por këshilla e tyre, që të reduktohen trupat ushtarake dhe të trejnohen më shumë forca lokale sigurie, nuk u kuptua siç duhet nga Bushi."

Edhe për gazetën RHEIN-NECKAR-ZEITUNG nga Heidelbergu, rritja e trupave ushtarake është kontraproduktive:

"Që Bush thotë tani se kjo luftë nuk do të fitohet më, është për t´u habitur. Ushtarakët e tij ja kanë thënë me kohë edhe në mënyrë publike: Ai shkatërroi aty ushtrinë më të mirë në botë. Prandaj kërkon ta përforcojë atë tani. Por fatkeqësisht rritja e trupave ushtarake në Irak, nuk do të ndryshonte asgjë në situatën e luftës civile, në të cilën ndodhet aktualisht Iraku. Për pak kohë numri 3.000 ushtarë amerikanë të vdekur, do të dalë në çdo gazetë. Bush shpreson se forcimi i trupave ushtarake do ta nxjerrë atë nga kriza dhe se qeveria e përkohshme irakiane do të jetë në gjendje ta marrë situatën në duar deri në vitin 2008."

Ndyrshojmë temë. Pasi presidenti gjerman, Horst Köhler nuk i pranoi dy ligje të reja që u morën nga koalicioni qeveritar, takimi që zhvillohet rregullisht mes tij dhe kancelares Angela Merkel ngjalli më shumë interes se zakonisht. Shumica e gazetave gjermane e lavdërojnë presidentin gjerman.

Si për shembull gazeta ALLGEMEINE ZEITUNG nga Mainci, e cila shkruan:

"Horst Köhler është i vendosur dhe kjo nuk është një situatë momentane. Edhe kancelarja gjermane e ka kuptuar këtë gjë ndërkohë. Ai bëhet merak mbi të ardhmen e vendit. Presidenti e di se Gjermania nuk mund t´i zgjidhë të gjitha problemet e saj vetëm me rritjen ekonomike që po përjeton aktualisht. Strukturat sociale janë ato që forcojnë një shtet. Kjo është arsyeja përse ai kërkon tani që kryhen reforma të reja. Presidenti federal nuk është vetëm njeriu i parë i shtetit, por dhe kritikuesi më i thellë dhe konstruktiv i tij."

Gazeta RHEINISCHE POST nga Dyseldorfi shkruan:

"Kur kancelarja gjermane takohet pas dyersh të mbyllura me presidentin e vendit, ai i kërkon asaj që të kryejë më shumë reforma dhe jo të bllokohet sipas stilit të koalicionit të madh. Köhler ka të drejtë, por ai e ka më të lehtë gjithashtu: Numri 1 i shtetit nuk ka nevojë për votat e popullit. Madje kritikat e tij ndaj qeverisë vlerësohen shumë nga populli."

Dhe së fundi në gazetën MÄRKISCHE ODERZEITUNG nga Frankfurti lexojmë:

"Ndryshe nga paraardhësit e tij, presidenti Horst Köhler nuk iu përmbahet rregullave për të qënë patjetër diplomat dhe i rezervuar. Köhler, i cili nuk ka qënë ndonjëherë politikan, e shqetëson me qëllim politikën që kryhet nga Berlini, ndonëse në fakt nuk e ka mandatin për ta bërë një gjë të tillë. Me sjelljen e tij ai e ndryshon reputacionin se posti i tij ka vetëm një funksion reprezentativ."