1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

S.H14 Nëntor 2006

Shtypi i sotëm gjerman fokusohet tek politika amerikane ndaj Izraelit dhe tek misionet e bundesverit gjerman në Irak dhe Afganistan.

https://p.dw.com/p/Arn0

Gazeta «Die Tagespost» shkruan mbi marrëdhëniet e SHBA-s me Izraelin:

"Bush ndodhet ende në pushtet. Vetoja e SHBA-s evitoi të dielën një rezolutë të Këshillit të Sigurimit sipas të cilës, komisioni i OKB-së do të zhvillonte një hetim në lidhje me sulmet e ushtrisë izraelite në Beit Hanun. Franca kish deklaruar se hartimi i propozimit ishte mëse i qartë. Por kjo veto legjitimon dhunën izraelite, kritikoi sekretari i përgjithshën i Ligës Arabe Amir Musa. Prandaj iniciativa e një force të tretë politike është mëse e domosdoshme. Kjo mund të vinte nga ana e evropianëve, ndoshta së bashku me Ligën Arabe. Përgjegjësi për politikën e jashtme të BE-së Javier Solana, është një personalitet i respektuar në Lindjen e Afërt, ashtu si ministri i jashtëm gjerman Frank Valter Steinmeier. Ata përfaqësojnë donatorët si për Izraelin ashtu edhe për palestinezët. Kjo shpjegon edhe sjelljen e tyre energjike. Përndryshe dhuna në Lindjen e Afërt mund eskalojë në një luftë të re."

Ndërkohë gazeta «Münchner Merkur» shkruan mbi angazhimin e Gjermanisë në Irak:

"Dihet se presioni ndaj BE-së, dhe sidomos ndaj Gjermanisë do të rritet, në mënyrë që Gjermania të angazhohet si nga ana financiare ashtu edhe nga ajo logjistike në Irak. Ishte e lehtë që t´i thonim "Jo" qeverisë amerikane, sa kohë që Bush ishte i vetmi person qe vendoste mbi politikën e vendit të tij. Por sa më shumë pushtet të fitojnë demokratët në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, aq më e vështirë do të jetë për Berlinin zyrtar që të thotë "jo me ne". Sidomos kur bëhet fjalë për daljen tepër të shtrenjtë nga lufta e përgjakshme në Irak. Përzjerja evropiane nga njëra anë e gëzimit mbi humbjen e presidentit Bush dhe nga ana tjetër e dështimit në luftën ndërkombëtare kundër terrorit, nuk do të zgjasë më shumë kur bëhet fjalë për fatin e Irakut dhe Afganistanit.

Ndërkohë gazeta «Mannheimer Morgen» shkruan:

"Nuk duhet shumë dhunti për të parë në të ardhmen kur bëhet fjalë për tezën se Gjermania nuk mund t´i shpëtojë dot më përgjegjësisë kundrejt Afganistanit. Sepse pas angazhimit shumë më të dobët amerikan në Irak, Perëndimi nuk mund t´ja lejojë vetes tërheqjen nga Afganistani. Por pikërisht kjo do të ishte konsekuenca e paevitueshme, në rast se NATO-ja e sidomos disa shtete të caktuara që janë aktualisht të angazhuara në Hindukush, nuk përpiqen seriozisht për ta shpëtuar vendin. Por kushti kryesor për këtë është fitorja e plotë ndaj Talibanit, e cila nuk arrihet me aksione gjysmëserioze. Prandaj presioni që po rritet ndaj Berlinit është mëse i kuptueshëm."

Gazeta «Westdeutsche Allgemeine Zeitung» shkruan:

"Sa më shumë që bundesveri kufizohet tek stabilizimi, rindërtimi dhe patrullat, aq më shumë rritet dyshimi në rradhët e BE-së dhe NATO-s se Gjermania do ta shpëtojë jetën e ushtarëve të saj dhe do të përmirësojë pozicionin e saj moral. Vrasjet dhe vdekjet t´i përjetojnë më mirë të tjerët, për të qenë të hapur. Por mes partnerëve që qëndrojnë të bashkuar në jetë a vdekje, nuk duhet të lindin dyshime të tilla. Ndoshta Gjermania do të humbasë pushtet ndaj strategjive të aleatëve, por ndoshta edhe në tezën se rindërtimi në rajonet e krizave nuk është gjithmonë një çështje prioritare."

Dhe së fundi në gazetën "Badische Zeitung» lexojmë:

"Duhet ta lavdërojmë qeverinë gjermane se nuk do t´i rrezikojë më kot ushtarët e saj në misionet jashtë shtetit, sidomos po të kemi parasysh faktin se rreziqet në veri po shtohen. Nga ana tjetër është gjithashtu fakt se aktualisht nuk ka ndonjë mision më të rrezikshëm për bundesverin gjerman diku tjetër. Por problemi është se për shembull kanadezët apo hollandezët ndërtojnë më mirë klinika dhe shkolla, sesa të ndjekin nga pas rebelët. Por gjermanëve nuk u mbetet asnjë alternativë tjetër. Fakt mbetet se NATO po përjeton një krizë të vështirë këto ditë."