1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

5 Gusht 2006
https://p.dw.com/p/Arob
Ndërsa qytetarëve u nxirren nga xhepi gjithmonë e më tepër para, pushtetarët i flakin ato nga dritaret
Ndërsa qytetarëve u nxirren nga xhepi gjithmonë e më tepër para, pushtetarët i flakin ato nga dritaret

Deklarata e kryeministrit izraelit Ehud Olmert se ushtarët gjermanë janë të mirëpritur në kuadrin e një trupe ndërkombëtare në Lindjen e Mesme gjen vend të gjërë në shtypin e sotëm gjerman.

"Badische Zeitung" (Freiburg) shkruan:

"Pikërisht sepse Gjermania nuk do të mund t'i bëjë bisht dëshirës së Olmertit, të gjithë shpresojnë se nuk do të shkojë puna deri aty. Për një mision të tillë në Lindjen e Mesme për momentin nuk ka asnjë lloj baze. As OKB-ja nuk ka marrë vendim për mandatit përkatës dhe as kërkesat e Izraelit dhe të Hizbollahut i përgjigjen njëra-tjetrës. Se kur mund të vendoset armëpushimi nuk mund të parashikohet. Dhe veteëm pasi të jetë përcaktuar qartë lloji dhe vëllimi i aksionit ushtarak do të mund të gjykohet nëse Gjermania mund ta marrë përsipër një përgjegjësi të tillë. Gjithsesi për një mision drejt qiellit a botës së përtejme nuk duhet të niset njeri, madje as për një mik."

Gazeta "Reutlinger General-Anzeiger" është edhe më kategorike:

"A duhet që ushtarët gjermanë të përfshihen në këtë kazan shtrigash? Përgjigjia është Jo, jo dhe edhe një herë jo! Arsyet për të mos marrë pjesë në një mision të mundshëm në atë zonë janë të vetëkuptueshme dhe nuk ka pse t'i kërkojmë në historinë gjermane. Të gjithë duhet të vrasin mendjen, se përse presidenti amerikan Bush e përjashtoi mundësinë e pjesëmarrjes aktive të ushtarëve amerikanë në një aksion të tillë. Nga ana tjetër Këshilli i Sigurimit nuk ka marrë vendim përkatës dhe së fundi diplomacia nuk ka qenë ndonjëherë e dëmshme, kur ka qenë puna për zgjidhjen e konflikteve."

Gazeta "Schwäbische Zeitung" trajton problemin e përfshirjes së shteteve problematike si Siria apo Irani në përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit dhe vendosjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Libanit:

"Natyrisht që çdo demokrat është kundër që të zhvillojë tratativa dhe bisedime me pushtetmbajtës të tillë si ata të Sirisë, që përdorin torturën ndaj përfaqësueve të opozitës, apo të Iranit për të cilët holokausti është një gënjeshtër. Megjithatë këto rezerva duhen lënë mënjëanë, kur është fjala për vendosjen e armëpushimit. Ky mund të arrihet vetëm në rast se vazhdojnë bisedimet. Pozitiv për një rol ndërmjetësues të Gjermanisë është faktë që Angela Merkel ia doli shumë shpejt që t'i normalizonte raportet me SHBA-të. Amerikanët nuk janë për momentin tepër të aftë që të shërbejnë si sekserë për paqen, por nga ana tjetër vetë ata kanë ndikim ndaj Izraelit."

Temë tjetër që preokupon shtypin e sotëm gjerman janë reformat e qeverisë në sektorin e sigurimeve shëndetsore për financimin e së cilave do të ketë rritje të taksave.

"Neue Osnabrücker Zeitung" shkruan:

"Gjithnjë e më shumë po forcohet përshtypja se ndryshimet në sektorin e sigurimeve shëndetsore janë bërë me shumë ngut dhe pa u peshuar mirë. Për anëtarët e koalicionit qeveritar duket se kishte më tepër rëndësi që të arrinin sa më shpejt në një emërues të përbashkët, sesa të ndërmerrnin një reformë me themel, e cila kërkon kohën e vet. Për këtë nuk ka kuptim që qeveria lëshon tirada të tëra kundër kritikave të shoqërive të sigurimit. Qytearët nuk kanë dëshirë të dëgjojnë diskutime dhe sokëllima fjalësh, por kanë nevojë për përfundime të bindshme, objektive dhe të qëndrueshme. Për këtë partitë në pushtet nuk duhet të kenë frikë që të bëjnë edhe ndryshime të mëdha në kompromisin që kanë arritur."

"Fuldarer Zeitung" kritikon politikanët të cilët nuk mendojnë gjatë, sepse paratë e taksave nuk i nxjerrin nga xhepi i tyre:

"Në Gjermani po gëlon një mungesë kolektive përgjegjësie. Politikanët e të gjitha ngjyrave duan të na bindin, se nuk ka rrugë tjetër përveç asaj të rritjes së taksave. Ndërsa qytetarëve u nxirren nga xhepi gjithmonë e më tepër para të fituara me mund e përpjekje, pushtetarët i flakin ato nga dritaret. Kursime? Përse vallë? Se mos janë paratë e tyre."