1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

DW2 Gusht 2006

Temat qendrore të shtypit të sotëm gjerman janë takimi i MPJ të BE-së për Lindjen e Mesme, zhvillimet në Kubë pas largimit të përkohshëm të Fidel Kastros nga skena politike dhe gjendja në tregun e punës në Gjermani.

https://p.dw.com/p/Aroe
Kuba në pritje
Kuba në pritjeFotografi: AP

Duke komentuar takimin e MPJ të BE-së për Lindjen e Mesme "Kieler Nachrichten" shkruan:

"BE-ja mund të jetë në botë peshë e rëndë sa i përket ekonomisë, por politikisht është vetëm një liliput. Ministrat e jashtëm të BE-së derdhën shumë fjalë për të mos thënë asgjë, të paktën asgjë që do të kishte ndonjë farë lloj rëndësie për palët në konflikt në Lindjen e Mesme, Izraeli dhe lëvizja Hizbollah. BE-ja nuk ka pse të shqetësohet më për ndikimin e saj në Lindjen e Mesme, sepse ky ndikim po shkon drejt zeros. Llafet për një diplomaci të pavarur evropiane në Lindjen e Mesme s'janë vetëm se absurditete. BE-ja duhet ta pranojë këtë, në vend që të bëhet qesharake përpara botës."

Largimin e kujdesshëm të Fidel Kastros prej skenës politike kubane, gazetat gjermane e shohin si shpërndarje të pushtetit në duart e disa prej përfaqësuesve të Partisë Komuniste Kubane. "Këlner Stadt-Anzeiger" shkruan:

"Tetë prej dymbëdhjetë milionë kubanezëve nuk njohin kryetar tjetër shteti përveç Fildel Kastros. Për vite të tëra ata kanë jetuar në kushtet e një komunizmi tropikal që e quajnë thjeshtë fidelizëm. Kryetari i shtetit dhe karizma e tij luanin në këtë mes një rol më të madh se sa doktrinat politike. Si miqtë dhe armiqtë e Kastros janë të njejtit mendim se në këtë sistem ai është i pazëvendësueshëm. Emërimet dhe ndryshimet e fundit në radhët e Partisë Komuniste Kubane, tregojnë se post-fidelizimi nuk bazohet në një figurë udhëheqësi të vetëm, por në një zgjidhje institucionale në të cilën partia do të luajë rolin kryesor dhe pushteti do të shpërndahet në disa duar për të sigurar në këtë mënyrë mbijetesën e revolucionit. Gjithësesi popullsia kubane e privuar për vite të tëra ndoshta mund t'i detyrojë pushtetmbajtësit e rinj që vendi të hapet shumë më shpejt dhe në mënyrë radikale, nga sa dëshirojnë ata."

"Augsburger Zeitung" trajton gjendjen e opozitës kubaneze duke i rekomanduar Uashingtonit që të mos përzihet në këtë situatë:

"Opozitës kubane i mungojnë figurat drejtuese të kalibrit të Fidel Kastros si dhe perspektivat për ta mobilizuar popullin kundër regjimit. SHBA-të do të bënin mirë që në situatën aktuale të tregoheshin të përmbajtura. Sepse në rast se Uashingtoni do të përpiqej tani që të përzihej në zhvillimet në Kubë, kjo do t'i bënte kubanezët që me gjithë pakënaqësinë ndaj kushteve aktuale të bashkoheshin kundër amerikanëve."

Sipas njoftimeve të fundit të zyrës së punës në Gjermani regjistrohet një rënie e numrit të të papunëve. Megjithatë komentorët mendojnë se nuk ka vend për shumë entuziazëm.

"Kölnische Rundschau" shkruan:

"Në tregun e punës po vihet re një kthesë - brohoriti Zyra federale e punës duke paraqitur statistikat e fundit për gjendjen në tregun e punës në Gjermani. Por sado pozitive që të dëgjohen këto të dhëna nuk duhen lënë pa përmendur faktorët që kanë çuar në këtë zhvillim. Nga njëra anë janë pushimet verore. Kjo do të thotë se shumë të rinj që sapo kanë mbaruar shkollën nuk janë regjistruar ende nëpër zyrat e punës, si persona që kërkojnë punë. Nga ana tjetër gjatë verës ka shumë punëtorë sezonalë në bujqësi. Dhe së fundi në statistikat e korrikut nuk janë përfshirë personat që ishin punësuar përkohësisht për kampionatin botëror të futbollit. Të gjitha këto efekte lehtësuese për statistikat e korrikut do të rëndojnë ato të muajit gusht."

"Ostthüringer Zeitung" (Gera) tërheq vëmendjen se nëpër statistikat e të papunëve mungojnë edhe ata që nuk kanë më të drejtë të përfitojnë ndihmë për të papunët, por vetëm ndihma sociale:

"Po t'i shohësh me vëmendje statistikat e Zyrës federale të punës e kupton se ulja e numrit të të papunëve lidhet edhe me një numër të madh lëvizjesh dhe interpretimesh statistikore. Kështë edhe këtë vit prej këtyre listave do të hiqen rreth 170.000 vetë, të cilët nuk kanë më të drejtë të marrin ndihmë si të papunë, por vetëm, ndihma sociale. Një gjë e tillë bën që statistikat për numrin e të papunëve të dalin më të ulta, edhe pse në fakt këta njerëz nuk kanë gjetur punë. Po ashtu edhe 10.000 vendet e reja të punës që pritet të hapen këtë vit nuk mund të konsiderohen si bum në fushën e luftimit të papunësisë, po të nisemi prej mëse katë milionë të papunëve në vend."