1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

27 Korrik 2006

Në qendër të vëmendjes së shtypit të sotëm gjerman është konferenca e Romës për Lindjen e Mesme. Shumica e komentatorëve shohin në këtë konferencë një sukses, edhe pse nuk mungojnë edhe tonet kritike.

https://p.dw.com/p/Arok
Bomba izraelite në Liban
Bomba izraelite në LibanFotografi: AP

Të ndara janë qëndrimet e gazetave gjermane në lidhje me përgjegjësinë dhe fajin për acarimin e konfliktit në Lindjen e Mesme. Edhe pse në konferencën e Romës sundoi një mendim i ndryshëm, komentatorët gjermanë mendojnë se edhe Izrali është përgjegjës për përshkallëzimin e konfliktit.

"Frankfurter Neue Presse" shkruan:

"Edhe pa incidentin tragjik të së martës pasdite konferenca për Libanin nuk do t'i kishte kaluar caqet e një apeli për armëpushim. Por çështja vendimtare e kësaj kërkese abstrakte, pikërisht nëse armëpushimi do të shoqërohet me kushte apo jo, mbetet e pasqaruar. SHBA-të dhe Izraeli këmbëngulin që fillimisht duhet të lirohen ushtarët e kidnapuar dhe që Hizbollah të ndërpresë goditjet me predha. Vetëm pas kësaj, pra kur Izraeli të mos ketë më shkak për luftë, mund të kemi armëpushim. Në rast se do të kemi një armëpushim pa kushte, atëhere Izraeli nuk do të arrinte asgjë me ofensivën e vet në Libanin jugor, sepse do të gjendeshim përpara së njëjtës situatë, kur u mor vendimi për të filluar me sulmet ndaj Libanit."

Gazeta "Allgemeine Zeitung" që botohet në Mainz shkruan:

"Në rast se në një konferencë flitet për të prekurit dhe jo me të prekurit, atëhere shtrohet pyetja se ç'kuptim ka ky aktivitet. Takimi i Romës ishte një konferencë e tillë, megjithatë ajo nuk ishte e kotë, sepse shumica e përfaqësuesve të rëndësishëm të bashkësisë ndërkombëtare hoqën dorë prej heshtjes dhe e bënë të qartë përgjegjësinë që kanë në këtë kontekst. Kjo mund të thuhet sidomos për vendet arabe. Kërkesa e qartë për çarmatosjen e milicëve të lëvizjes Hizbollah dhe kërkesa ndaj Libanit si vend që duhet të mbajë përgjegjësi për rendin në jug täë vendit bën të qartë se cilët janë agresorët në këtë konflikt të përgjakshëm."

"Die Tagespost" (Würzburg) mendon se përgjegjësi për konfliktin mban edhe Izraeli:

"Gjatë tri viteve të kaluara gjatë goditjeve terroriste arabe gjetën vdekjen tre mijë izraelitë. Në rast se do të shikohej në përpjestim me popullsinë e vendit dhe do të bëhej një krahasim me Gjermaninë, një gjë e tillë do të thoshte se në Gjermani do të kishin humbur jetën 45.000 qytetarë. Një tmerr i tillë nuk mund t'i urohet asnjë populli, por për izraelitët një gjë e tillë është shndërruar në realitet. Po të hedhim një vështrim nga e kaluara, shikojmë se me ushtarë mund të fitohen luftra, por jo të vendoset paqja. Për këtë përshkallëzimi i fundit i dhunës në Lindjen e Mesme është mjaft shqetësues. Për këtë shkak duhet të na lejohet t'i kritikojmë aktorët dhe në këtë mes edhe Izraelin, pavarësisht prej respektit të plotë për të drejtën e ekzistencës së shtetit të Izraelit dhe të popullit hebre."

Një mendim të ngjashëm shpreh edhe gazeta "Kieler Nachrichten", e cila edhe e kritikon qëndrimin e vakët të konferencë së Romës:

"Kur do të fillojmë ta konsiderojmë Izraelin si anëtar të bashkësisë së shteteve tona dhe ta trajtojmë atë si shtetet e tjera, pra me të njëjtat të drejta por edhe detyrime? Përse konferenca e Romës nuk shtroi pyetjen, nëse goditjet masive të Izraelit ndaj territorit të Libanit janë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare publike. Në vend të kësaj nga Roma dëgjuam disa apele të vakta drejtuar palëve në konflikt që të ndërpresin veprimet luftarake. Konferenca e Romës nuk ishte gjë tjetër vetëm se një "show" politik."


Gazeta "Süddeutsche Zeitung" (Mynih) mendon se Izraeli është i detyruar të hyjë në bisedime dhe t'u bëjë lëshime fqinjëve arabë:

"Në Lindjen e Mesme nuk merr dot një gjë, pa dhënë një gjë tjetër. Për këtë Izraeli do të detyrohet që të hyjë në bisedime për paqe me palestinezët, në vend që të izolohet prej tyre. Po ashtu Izraelit do t'i duhet të hyjë sërish në bisedime me Sirinë për Lartësitë e Golanit. Izraeli nuk i do këto, por në rast se qeveria e Jeruzalemit i hyn një rruge të tillë dhe palestinezët janë dakord, atëhere ka shance për më tepër siguri. Një gjë e tillë do të ishte në të mirë si të Izraelit edhe të Libanit.