1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

12 Korrik 2006

Atententati terrorist në Indi është në qendër të vëmendjes së shtypit të sotëm gjerman:

https://p.dw.com/p/Aroz
Pamje nga atentati në Bombei
Pamje nga atentati në BombeiFotografi: AP

"Südkurier" (Konstanz) shkruan:

"Trena të bërë copa-copa prej një aksioni të koordinuar. Kjo gjë të kujton sulmet e Madridit dhe të Londrës, ku atentatorët kishin gjithashtu synim që të godisnin sistemin nervos të një qyteti të madh modern dhe të vrsinin sa më tepër njerëz. Nënshkrimi i këtyre akteve është i qartë. Edhe gjurmët në Bombei të çojnë tek fanatikët e Al-Kaidës. Me këtë është e qartë që koncerni i terrorit vazhdon të veprojë globalisht. Në listën e tij nuk gjenden vetëm vendet perëndimore, por gjithnjë e më tepër vende të Botës së tretë. Si për shembull India e cila ka vite që është në ngrindje me fqinjin e saj mysliman, Pakistanin. Goditja në Bombei mund t'i japë konfliktit një kthesë të rrezikshme. Të nevojshme janë reagimet e matura."

"Reutlinger General-Anzeiger" shkruan:

"Ne evropianët nuk jemi thuajse aspak të ndërgjegjshëm se subkontineti indian është më tepër se kurrë një ndër zonat më turbulente të globit. Por shteti më i madh demokratik i botës nuk është vetëm një ndër vendet më dinamikë sa i përket zhvillimit ekonomik. Në gjysmën e dytë të këtij shekulli ai do të jetë edhe vendi me popullsinë më të madhe të botës. Që sot në botë nuk ka asnjë rajon të botës në të cilin ndesh kontradikta kaq të thella sociale, kulturore dhe fetare sa në Indi. Politikisht plagët e periudhës koloniale britanike nuk janë shëruar ende në të gjithë vendin. Konflikti indo-pakistanez për rajonin e Kashmirit të përbërë prej popullsie myslimane është një ndër vatrat më të rrezikshme të zjarrit në botë. Këtu gjenden edhe shkaqet për shumicën e sulmeve të viteve të fundit."

Vizita e presidentit amerikan në zonën elektorale të kancelares Angela Merkel në lindje të Gjermanisë shihet prej komentatorëve më tepër si një nevojë e Bushit për shkak të pakësimit të numrit të partnerëve në Evropë.

"Münchener Merkur" shkruan:

"Vizita e sotme e presidentit Bush, i cili nuk konsiderohet si njeri që i pëlqen të udhëtojë, në zonën elektorale të kancelares Angela Merkel, është një dëshmi favori që nuk mund të kapërcehet pa u vënë re. Kjo lidhet edhe me faktin se Bushi ka më tepër simpati kundrejt kanclares Merkel, sesa kundrejt paraardhësit të saj Shrëderit. Por para së gjithash vlerësimi për Gjermaninë ka të bëjë me faktin se numri i miqeve evropianë të presidentit amerikan është shkrirë si bora në diell."

"Thüringsche Landeszeitung" (Weimar):

"Me Bushin vjen në Gjermani dhe më pas në takimin e nivelit të lartë të G8-s një president i dobësuar. Kudo në Lindjen e Mesme janë ndezur flakët e konflikteve të vjetra, paqja në Irak nuk është vendosur dhe kritikat ndaj Bushit brenda vendit nuk kanë qenë kurrë më të forta se sot. Xhorxh Bushi ka nevojë për aleatët e tij evropianë më tepër se kurrë. Angela Merkel e di se në këtë mes ka një kartë të fortë në dorë, edhe pse nuk do ta luajë hapur atë."

Gazeta "Main-Post" (Würzburg) kërkon që politikanët gjermanë të jenë të qartë dhe të mos i kushtojnë rëndësi vetëm shout politik, si në rastin e vizitës së presidentit amerikan:

"Politika gjermane dihet që në të ardhmen t'i kushtojë më tepër vëmendje shprehjes së qartë dhe ta vlerësojë më tepër dialogun e hapur, sesa manifestimeve të shtrenjta politike si me rastin e vizitës së presidentit amerikan. Pamjet e bukura filmike dhe fotografitë nga kjo vizitë nuk do të bëjnë të harrohen ato nga lufta në Irak dhe nga kampi Guantanamo. Megjithatë, me shumë shpresë dhe njëkohësisht me shumë skepticizëm ne themi: Welcome, Mister President!"

Së fundi citojmë nga "Oldenburgische Volkszeitung" (Vechta) për aksionin e Bundeswehrit në Kongo:

"Misioni i Bundeswehrit në Kongo është i shtrenjtë dhe i rrezikshëm. Ka vite që ky vend gjigand por i drejtuar keq nuk po gjen qetësi prej së kaluarës së tij të përgjakshme. Njerëzit jetojnë në një varfëri ekstreme dhe me frikë prej luftrave të ardhshme civile. Qeveria provizore e përbërë prej njerëz të etur për pushtet dhe pasuri, të pajisur me ushtri private, nuk ia ka dalë mbanë të vendosë qetësinë, megjithë nënshkrimin e dy deklaratave për paqe. Një gjendje e tillë eksplozive në Kongo të bën shtrosh pyetjen se në ç'fuçi baruti po i dërgojmë ushtarët tanë? Megjithë mirëkuptimin për këtë mision dhe dëshirën e evropiane për të dhënë një shenjë, me 56 milionë euro që shpenzohen për këtë mision ushtarak, banorëve të Kongos mund t'u ndihmohej edhe në një mënyrë tjetër."