1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

DW10 Korrik 2006

Përfundimi i botërorit 2006 në Gjermani dhe mësimet që duhet të nxjerrë politika gjermane prej këtij aktiviteti janë në qendër të vëmendjes të shtypit të sotëm gjerman.

https://p.dw.com/p/Arp1
Fotografi: AP

Analizat përqendrohen si tek patriotizmi gjerman gjatë ditëve të këtij kampionati, një fenomen ky i ri për shoqërinë gjermane ashtu edhe tek optimizimi, guximi dhe spontaniteti që u vu re gjatë javëve të këtij kampionati. Komentatorët shpresojnë që ky entuziazëm dhe kjo eufori të vazhdojnë të jenë të pranishme në Gjermani, e cila gjendet para detyrash të rëndësishme për reformat që duhet të realizojë.

"Lausitzer Rundschau" (Cottbus):

"Gjatë katër javëve të fundit bota ishte vërtet mysafire tek miqtë. Vendi ynë është një mikpritës i shkëlqyeshëm. Një valë euforie në ngjyrat e flamurit gjerman, së cilës nuk mund t'i shpëtonte askush, u përhap në të gjithë vendit duke filluar nga Mynihu më 9 qershor. Sa keq që kjo mori fund. Le të urojmë që Gjermanisë dhe njerëzve të saj t'u mbetet diçka prej spontanitetit dhe dëshirës për të festuar, edhe pa ndeshjet e futbollit, që të mos jenë të ngrirë por çdo ditë të qeshur."

"Schwäbische Zeitung" (Leutkirch):

"Një botëror i organizuar në mënyrë perfekte dhe ndeshje të zhvilluara në stadiume të mbushura plot e përplot mori fund. Kësaj i shtohet edhe loja e ekipit gjerman, i cili me guximin dhe entuziazimin e tij na dha zemër që të largohemi prej modeleve klasike të sjelljes duke përgëzuar me flamurët jo vetëm ekipin por të gjithë vendin. Orgjia nën ngjyrat e flamurit gjerman nuk shkaktoi frikëra, por gëzim. Gjermania, vendi i skeptikëve, vendosi paqe me vetveten."

"Sächsische Zeitung" (Dresden):

"ky kampionat u tregoi të gjithëve se ç'mund të bëhet kur anashkalohen modelet e vjetra, kur thyhen korracat e rregullave të vjetëruar, kur i vë vetes qëllime të mëdha. 11-shja gjermane dha një shembull të mirë pasioni, fryme kolektivi, inovacioni dhe dëshire. Një vend i tërë e pranoi me mirënjohje këtë duke kapërcyer mbi hijen e vet. Të duket se ai mezi po e priste një rast të tillë. Ajo që duhet vlerësuar është që futbolli mund të nxisë tek populli më tepër ndjenjë respekti për veten, sesa është në gjendje ta bëjë këtë politika."

"Landeszeitung" (Lüneburg):

"Politika mund të mësojë prej futbolit, sepse futbollistët tanë po arrijnë standarde botërore falë dëshirës për reforma dhe metodave joklasike të punës së trainerit. Dikur në krye të vendeve të botës ishte i gjithë vendi. Ekipi i Klinsmanit nuk hezitoi, nuk u step. Gjatë ndeshjeve ata nuk iu përkushtuan të menduarit të gjatë, qëndrimit të rezervuar apo defensiv, nuk u morën me llafe por ishin gjithmonë në sulm pa pasur fare frikë. Dhe ç'është më e rëndësishmja ata luajtën si një njësi e bashkuar, duke pasur gjithmonë në qendër të vëmendjes qëllimin e tyre. Fakti që ekipi gjerman nuk ia arriti për fare pak qëllimit të tij "Kampion botëror 2006" e bën këtë aksion të gjermanëve edhe më simpatik. Zonja Merkel dhe ekipi i saj ishin shumë shpesh në tribunën e nderit dhe kanë marrë mësim konkret."

"Bremer Nachrichten" shkruan:

"Ndoshta prej këtij kampionati do të lindë ndonjë efekt përçues për më tepër vrull, më tepër energji dhe më tepër fantazi për t'u përveshur dhe për t'ua dalë mbanë të gjitha atyre problemeve që na prishën humorin përpara fillimit të kampionatit botëror 2006. Sepse, na duhet ta pranojmë që ndonjëhere vërtet i kemi parë me zili fqinjët tanë që e marrin jetën më kollaj se ne. Mjafton të hedhim një sy drejt vendeve në jug të Evropës, ku megjithë problemet e mëdha politike, ekonomike apo sociale askush nuk kalon në depresion apo kërkon të gjejë gjithmonë një gjë për t'u ankuar. Vështirësi ka dhe nuk duhet që t'i minimizojmë ato apo të themi se nuk ekzistojnë. Por mënyra që premton sukses për zgjidhjen e tyre është që t'i hysh punës për zgjidhjen e tyre me guxim, vetësiguri dhe optimizëm.