1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

7 Korrik 2006

Temë qendore e shtypit të sotëm gjerman janë mosmarrëveshjet në radhët e koalicionit qeveritar në Berlin

https://p.dw.com/p/Arp4
Kancelarja dhe kancelari i fshehtë
Kancelarja dhe kancelari i fshehtëFotografi: AP

Përpara se t'i përkushtohemi kësaj teme një citat nga "Westfälischer Anzeiger" (Hamm) në përvjetorin e sulmeve terroriste të Londrës më 7 korrik 2007:

"Vetëm disa orë përpara përvjetorit të akteve të përgjakshme terroriste të Londrës në një kanal në rrugë gjenden dokumenta sekrete për planet e qeverisë kundër terrorit. Ky është gabimi më i fundit i një radhe të papërshkrueshme defektesh të shërbimit britanik për mbrojtjen ndaj terrorit gjatë këtyre 12 muajve të fundit. Duke filluar që nga vrasja e një braziliani të pafajshëm dy javë pas atentatit e deri tek zbastisjet në shtëpitë e dy vëllezërve myslimanë, që akuzoheshin se gjoja po prodhonin një bombë kimike, të gjitha këto lajme e kanë bërë këtë shërbim që të përmendet negativisht në kryeartikujt e gazetave."

Kalojmë tani në mosmarrëveshjet në radhët e koalicionit të madh në Gjermani dhe vështirësitë për arritjen e konsensit për reformat në vend. "Reutlinger General-Anzeiger" shkruan:

"Kush mendon se teatri politik është pjesë përbërëse e koalicioneve sikurse stuhitë në një natë të ngrohtë vere, ka vetëm në parim të drejtë. Ajo që po përjetojmë ne për momentin është shumë më tepër sesa folklori i zakonshëm politik. Në rast se një prej drejtuesve më të fortë të grupit parlamentar të socialdemokratëve e shpall Angela Merkelin si problemin kryesor të koalicionit, duke deklaruar se peshku qelbet gjithmonë nga koka, atëhere ky nuk është vetëm një sulm i drejtpërdrejtë ndaj autoritetit të kancelares. Edhe toni me të cilin thuhen fjalët flet për vete. Deklarata të tilla në radhët e koalicionit të mëparshëm mes socialdemokratëve dhe ekologjistëve nuk ka pasur as kur ekologjistët ishin nxirë nga inati prej deklaratave të lumtura të Shrëderit në Kinë, e cila akuzohet për shkelje masive të të drejtave të njeriut."

"Westdeutsche Allgemeine Zeitung" (Essen):

"Brenda radhëve të koalicionit është zhvilluar një gjendje asimetrike kërcënimi mes princëve të landeve. Ndërsa kryesia e socialdemokratëve ia ka dalë që me mjete të ndryshme t'i mbajë në një linjë edhe kryeministrat e landeve që qeverisen prej kësaj partie, Angela Merkel iu përkul pushtetit të kryeministrave të landeve të drejtuara prej CDU/CSU-së që tek reforma për sistemin shëndetsor që ajo vetë e kishte vënë si masë. Shtrohet pra pyetja, kush drejton në fakt? Mjeshtërinë e saj që t'i kalojë problemet duke shtegtuar Merkeli e dëshmoi në rrugën e saj drejt postit të kancelares. Ajo duket se planifikon ta përsërisë këtë taktikë, por tani rrezikon që t'i mundësojë kancelarit të fshehtë Edmud Stoiber rikthimin në sferën federale të politikës."

"Financial Times Deutschland" (Hamburg): "Koalicioni i madh gjendet para një vere të gjatë pakënaqësish. Kredia në radhët e elektoratit me sa duket ka marrë fund. Surprizat e këndshme të periudhës së njohjes reciproke brenda radhëve të qeverisë ia kanë lënë vendin acarimit madje agresivitetit. Koalicioni mes social-demokratëve dhe ekologjistëve vuan prej mospajtimit fundamental të dy drejtimeve dhe botkuptimeve politike të ndyrshme. Kjo vetëbllokadë nuk do të mund të kapërcehej prej figurave drejtuese të këtyre partive edhe sikur ato ta dëshironin vetë një gjë të tillë."

"Wetzlarer Neue Zeitung" shkruan:

"Koalicioni i madh erdhi në qeveri si koalicion mes partnerësh që ledhatoheshin me njeri-tjerin. Tani ai kërcënon të dështojë si koalicion inatçorësh. Një koalicion i dështuar prej sfidës së parë të madhe, reformës së sistemit shëndetsor. Një koalicion i dështuar prej vullnetit për të përfaqësuar bashkarisht kompromisin për të cilin kishin rënë një herë dakord."


Së fundi citojmë nga "Mitteldeutsche Zeitung" (Halle) rreth misionit të fundit të anijes kozmike Discoveri, në të cilën merr pjesë edhe një kozmonaut gjerman:

"Megjithë brohoritjet për suksesin e anijes kozmike Discoveri nuk të kalon dot pa e vënë re se pas katastrofës së anijes kozmike Columbia në vitin 2003, astronautika vazhdon të ketë probleme me anijet që dërgohen në hapsirë me ekip njerëzor. Kjo ka të bëjë në radhë të parë me dobësitë e raketave shuttles. Sistemi amerikan i këtyre raketave që çojnë ekuipazhet në stacionet kozmike është i vjetëruar. Sikurse edhe makinat e vjetra ka nevojë shpesh për riparime dhe për këtë këto rraketa janë të shtrenjta. Raketat e reja për transportimin e njerëzve apo të pajisjeve në stacionet kozmike do të vihen në përdorim në vitin 2014. Deri atëhere flota e raketave shuttle kapërdin pa fund para për riparim dhe mirëmbajtje. Këto para mungojnë për studimet dhe për realizimin e vizioneve të mëdha."