1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

24 Qershor 2006

Temë qendrore në të përditshmet e sotme gjermane është kontrolli nga amerikanët i financave të qytetarëve joamerikanë, gjendja aktuale në Gjermani si dhe Kampionati Botëror i Futbollit 2006.

https://p.dw.com/p/ArpH
John Snow, Sekretari amerikan i shtetit për çështjen e financave
John Snow, Sekretari amerikan i shtetit për çështjen e financaveFotografi: AP

Fillimisht në «Frankfurter Rundschau» lidhur me vëzhgimin e financave nga pala amerikane lexojmë:

"Në të vërtetë lajmi nuk ishte aq i papritur: qeveria amerikane, në kuadër të luftës kundër terrorizmit, ka kontrolluar edhe të dhënat bankare gjithandej në botë. Pas sulmeve përgjuese në rrjetin e telefonisë ndërkombëtare programi i fshehtë i zbuluar tani e bën edhe njëherë të qartë, se sa shumë prek të dhënat e mbrojtura dhe sferën private të joqytetetarëve amerikan sistemi i krijuar nga qeveria e Bushit për mbrojtje nga terrori. Ka arsye për zbulimin e burimeve financiare për terroristët. Ndoshta Uashingtoni kësaj radhe ka vepruar në të vërtetë në mënyrë selektive dhe nuk ka aktivizuar pastruesin e të dhënave, siç thekson ministri amerikani financave Xhon Snov. Por fatkeqësisht nuk bën që e tëra të mirret ashtu si thuhet në Uashington sidomos kur bëhet fjalë për programe të fshehta në zonat juridike të papërcaktuara ligjërisht. Ndërrojmë temë.

Gazetat gjermane sot po ashtu një hapësirë të madhe i kushtojnë gjendjes aktuale në Gjermani. Lidhur me këtë në «Mitteldeutsche Zeitung» thuhet:

"Tek dobësitë e stilit qeverisës të Angela Merkelit bën pjesë edhe fakti që ajo ka caktuar diagnozën por bën shumë pak terapi. Ajo përmend problemet por kur bëhet fjalë për rrugët që do të shpienin drejt zgjidhjes së tyre, tërhiqet pas. Ajo lejon ministrat e saj të flasin pa kontroll. Presioni i problemeve rritet shumë më shpejt sesa përpjekjet për reforma. Në vitin 2007 do të shtohen problemet edhe më shumë - me më pak lulëzim ekonomik dhe më tepër tensione brenda koalicionit qeverisës. Atëherë do të jetë edhe më e vështirë hapja e dritares për reformat", nënvizon «Mitteldeutsche Zeitung».

Pa u shkëputur shumë nga politika kalojmë në sport, në kampionatin botëror të futbollit 2006 i icli kësaj radhe po mbahet në Gjermani. Kështu nga «Schwarzwälder Bote» e cila botohet në Oberndorf shkëpusim:

"Vendi ndodhet në ethe dhe aktualisht, çfarë fati i madh për politikën, nuk di tjetër përveçse një teme: Kampionati Botëror i Futbollit në Gjermani. Nëse kombëtarja gjermane sot arrin të mposht kombëtaren suedeze në Mynih, padyshim që pritjet për të arritur në finale do të jenë të pakufishme. Megjithatë kujdes!. Nëse ndodh e kundërta atëherë nuk do të mbetet shumë nga entuziasmi dhe solidariteti i ditëve të shkuara. Klinsman dhe djelmoshat e tij do të ishin dështakët e kombit", thuhet ndër të tjera në «Schwarzwälder Bote».

«Eßlinger Zeitung» për debatin mbi nacionalizmin i cili është ndezur gjatë këtij kampionati botëror, shkruan: "Atmosfera në stadiumet dhe në sheshet e qyteteve është e ngrohtë, simpatike dhe aspak agresive - me përjashtim të disa huliganëve të rrallë. Një krenari e tillë kombëtare është për tu nderuar. Nëse është e vërtetë ajo çfarë thuhet 'se gjatë këtyre javëve bota është mysafire tek miqtë', atëherë përfitojmë edhe ne. Krenaria e vetkuptueshme kombëtare e njerëzve nga vendet tjera na mëson që të sillemi më të shpenguar dhe më lirshëm me përqafimin e kombit tonë", nënvizon «Eßlinger Zeitung».

Ndërkaq «Badische Zeitung» e Frajburgut në numrin e saj të sotëm i kushton vëmendje sigurisë në Kampionatin Botëror të Futbollit 2006:

"Policia përgatitet që të ballafaqohet edhe me ithtarë problematik të futbollit. Megjithatë rrjedha e deritanishme e Kampionatit Botëror jep shkak për qetësi dhe gjakftohësi. Kyçja e policëve të huaj ishte një veprim i mençur taktik. Edhe pse aty këtu kishte gjela ngucakeq ata nuk arritën të dominojnë në atmosferën e përgjithshme të kampionatit", lexojmë ndër të tjera në artikullin e botuar sot në «Badische Zeitung».