1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

5 Qershor 2006

Nisur prej mosmarrëveshjeve që ka në radhët e parterëve të koalicionit qeveritar në Gjermani për thellimin e reformave gazetat gjermane shkruajnë:

https://p.dw.com/p/Arpb

Gazeta "Thüringische Landeszeitung" që botohet në Weimar shkruan:

"Koalicioni i madh ka arritur në një pikë kyçe. Ai ose do t'ia dalë që të realizojë ndryshimet e domosdoshme për vendin, ose xhelozitë dhe intrigat do të zmadhohen aq tepër sa i mundshëm do të jetë vetëm emëruesi më i vogël i përbashkët. Në një rast të tillë koalicioni mes demokristianëve dhe socialdemokratëve e ka humbur shancin që i dhanë zgjedhësit dhe duhet të shpërbëhet në vend që t'i prezantojë vendit një shfaqe torturuese."

"Bild am Sonntag" (Hamburg) trajton angazhimin e Bundeswehrit në Kongo:

"Ndonjëherë populli është më i zgjuar se përfaqësuesit e tij në parlament. Kështu sipas një ankete të zhvilluar prej televizionit publim gjerman 59% e gjermanë e konsiderojnë të gabuar vendimin e koalicionit të madh të mbështetur edhe prej ekologjistëve për dërgimin e ushtarëve gjermanë në Kongo. Vetëm 37% e të anketuarve ishin pro këtij veprimi. Fillimisht kundër një hapi të tillë ishte edhe vetë Ministri i Mbrojtjes, Franz Josef Jung. Por më pas ky iu përul vullnetit të kancelares Merkel, e cila i kishte premtuar presidentit frances dërgimin e një kontigjenti gjerman në Kongo. Por arti i politikës përfshin edhe të thënit JO. Madje për jo-në ka arsye më bindëse se sa për të dhënë urdhërin për t'i nisur ushtarët për në Kongo, ku 17.000 ushtarë helmetkaltër të OKB-së kanë më tepër se gjashtë vjet që përpiqen të vendosin paqen. 440 deputetët që votuan pro dërgimit të ushtarëve gjermanë në Afrikë e morën shumë me të lehtë."

"Münchener Merkur" (Mynih) e përqëndron vëmendjen në njoftimet për krimet e ushtarëve amerikanë në Irak:

"Njoftimet e fundit shokuese për masakrat e ushtarëve amerikanë në Irak do t'i mbështesin shumë irakianë në urrejtjen dhe qëndrimin e tyre ndaj SHBA-ve dhe do t'u japin krahë organizatave terroriste. Jashtë vendit masakra në Haditha mund të çojë në ortek të papritur regimesh, sidomos në SHBA. Njoftimet për masakrat mund të bëjnë që edhe ajo pjesë e shoqërisë amerikane që e mbështet ende moralisht misionin në Irak të heqë dorë prej këtij qëndirimi. Sidomos në rast se del e vërtetë që të vetëquajturit çlirimtarë në vend që të përhapin demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Irak janë shndërruar nën presionin e konfliktit në vrasës."

"Westdeutsche Allgemeine Zeitung" (Essen) trajton shitjen e biletave për botërorin 2006:

"Në ndeshjen mes Ekuadorit dhe Kosta-Rikës në stadium do të mbeten vende bosh edhe pse nuk mungon numri i tifozëve që do të deshin me qejf të shihnin një ndeshje të botërorit 2006. Por FIFA donte që të ishte e sigurt për të ardhurat nga shitjet e biletave dhe për këtë biletat u shitën në formë pakete për t'u vënë në dispozicion të njerëzve me emër apo firmave. Këto ama kanë interes vetëm për ndeshjet e rëndësishme, kurse tifozi i zakonshëm e ndjen veten të tradhëtuar."

Së fundi citojmë nga gazeta "Berliner Morgenpost" e cila nisur prej festës së rrëshajave trajton çështjen e besimit fetar në radhët e gjermanëve.

"Më tepër se gjysma e gjermanëve nuk e di se ç'festë fetare përfaqësojnë rrëshajat. Thuajse një ndër gjashtë gjermanë i ngatërrojnë rrëshajët me ditën e ngjalljes së Jezu Krishtit. Njerëzit që jetojnë në mijëvjeçarin e tretë nuk e dinë më se sipas biblës gjatë ditëve të rrëshajave zoti u dërgoi nxënësve të tij shpirtin e shenjtë në mënyrë që këta të përhapnin ungjillin. Një fakt i tillë nuk të çudit. Sot mësimi i fesë së krishterë është shndërruar në shumë shkolla në pjesë të lëndës edukim social. Kishat vetë nuk kanë mundur t'i bëjnë rezistencë vetëshsekularizimit. Të krishterët sot e kanë si dikur për detyrë që të mbajnë qëndrim kur dikujt i cënohet dinjiteti, kur njerëzit maten vetëm sipas mundësive të tyre për t'i shërbyer dikujt, kur ksenofobia i bën njerëzit t'ua mbyllin dyert të huajve. Kisha jeton prej dëshmive."