1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

22 Prill 2005

Tre janë temat kryesore të cilat sot trajtohen në shtypin gjerman: Debati në Bundestag për përgjegjësinë historike të Turqisë për masakrat e kryera ndaj armenëve, debati për kushtetutën evropiane si dhe afera e vizave në ministrinë e jashtme.

https://p.dw.com/p/Arvq
Ludger Volmer para Komisionit hetimor parlamentar
Ludger Volmer para Komisionit hetimor parlamentarFotografi: AP

Bundestagu gjerman sipas të gjitha gjasave do të kërkoj nga Turqia që të pranoj fajin dhe të marrë përsipër përgjegjësinë historike për masakrën e kryer ndaj të krishterëve armen në Perandorinë Osmane para 90 vjetësh. Kjo u bë e qartë në debatin e parë të zhvilluar dje për këtë çështje në Bundestagun gjerman. Kërkesa e parashtruar nga partitë opozitare e cila do të shqyrtohet më tej në komisionet përkatëse është përshëndetur nga të gjitha grupimet parlamentare dhe është komentuar pozitivisht. Lidhur me këtë në «General-Anzeiger» ecila botohet në Bonn lexojmë:

"Me 4 maj kancelari gjerman Gerhard Schrëder do të ketë mundësinë që në Ankara të përfaqësoj mendimin e Bundestagut gjerman për dëbimin dhe masakrat ndaj armenëve para 90 vitesh. Përndryshe si në rastin e embargos së armëve ndaj Kinës Shrëder do të dilte mbi parlamentin e vendit. Nga vet fakti që Shrëder angazhohet për antarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian, ai do të duhej t`i ndihmonte turqit që të përmbyllin këtë kapitull të tmerrshëm të historisë së tyre. Kush minimizon apo justifikon krimet ndaj njerëzimit nuk ka vend në Bashkimin Evropian. Andaj edhe parlamenti polak, bile më qartë sesa bundestagu gjerman ka damkosur gjenocidin. Të dy herave politikanët turq reaguan aq ashpër në vend se përfundimisht të mirren me të kaluarën, siç jep shembull vet Gjermania", lexojmë ndër të tjera në «General-Anzeiger».


«Süddeutsche Zeitung» e Mynihut lidhur me kushtetutën e Bashkimit Evropian shkruan:

"Në Gjermani për kushtetutën evropiane duhet të vendos vetëm parlamenti dhe atë për shkaqe kujdesi: Qytetarëve nuk u besohet që të vendosin kur është fjala për çështje të tilla të mëdha. Dhe për shkak se në Gjermani vetëm parlamenti duhet të vendos për kushtetutën e Bashkimit Evropian, tani është Gjykata e lartë kushtetuese që duhet të vendos se a mund të bëhet një gjë e tillë. Megjithatë ankesat e dorëzuara pranë kësaj gjykate nga deputeti i Unionit Kristian-Social Peter Gauveiler për çdo rast mund të hidhen poshtë nga gjykatësit me truqe. Por ata nuk do të duhej të bëjnë një gjë të tillë. Koha e truqeve ka kaluar", nënvizon në numrin e saj të sotëm gazeta «Süddeutsche Zeitung».


Kalojmë në një temë tjetër që ishte shumë aktuale gjatë javëve të fundit në Gjermani: Afera e vizave në Ministrinë e Jashtme gjermane. Ish-minsitri i shtetit ne Ministrinë e Jashtme, Ludger Volmer me akuza të ashpra kundër opozites ka filluar dje paraqitjen para komisionit hetues të Bundestagut për çështjen e aferës së vizave në disa ambasada gjermane të vendeve të Lindjes. Në paraqitjen e tij të përcjellur drejtpërdrejt në televizion, Volmer akuzoi partitë e Unionit për fushatë thirrje-vrasje. Ai hodhi poshtë akuzat, se liberalizimi i vizave ka mundësuar ardhjen edhe të kriminelëve nga Lindja në Gjermani. Lidhur me këtë «Frankfurter Allgemeine Zeitung» komenton:

"...Volmer ishte i vendosur në vitin 1999 për një reformë të humanitetit dhe ndryshimin e praktikës së dhënjes së vizave... Volmer pat inicuar një qarkore të re për dhënjen e vizave pa bërë krahasimin me qarkoret e atëhershme në fuqi për përparësitë dhe mangësitë. Edhe pse sipas deklaratës së tij ai ishte i vetmi që kishte vën re ndikimin që mund të kishte dhe parë me dyshim pasuesin - në rast dyshimi për lirinë e udhëtimit - qarkorja është nënshkruar nga të gjithë përgjegjësitë deri tek vet ministri", nënvizon «Frankfurter Allgemeine Zeitung».

Ndërkaq «Die Welt» e cila botohet në Berlin thekson:

"Dëshmia e Volmerit radhitet në prezantimet e pasalduara të disa zyrtarëve të lartë të ministrisë së jashtme, e cila bie në amnezi të pjesshme sapo të të bëhet fjalë për detajet e politikës së vizave. Pikërisht kjo bën gjithnjë e më me turp ministrin e jashtëm gjerman Joshka Fisher. Kjo për faktin se ai të hënën para komisionit hetimor, në paraqitjen televizive duhet të sqaroj përse ka lejuar ndryshimin e politikës së vizave përkundër kundërshtimeve të shumta dhe përse ka toleruar të metat të paktën tre vjet me radhë në vend se t`i mënjanoj ato. Tash e tutje ai nuk mund të hedh përgjegjësinë për këtë çështje tek zyrtarët e lartë apo ministrat e shtetit pasi që ata ose nuk mund të kujtohen më apo vetëm kanë qenë në kët ent pa qenë pjesmarrës në marrjen e vendimeve", shkruan «Die Welt».

Ndërkaq «Mitteldeutsche Zeitung» për këtë çështje thekson:

"Gjendja është e qartë. Ajo nuk ka ndryshuar shumë pas dëshmisë së djeshme të ish-minsitrit të shtetit Ludger Volmer. Koalicioni kuq e gjelbër përmes dy-tre qarkoreve në vitet 1999 dhe 2000 ka liberalizuar politikën e vizave. Volmer deklaroi se formulimi - në rast dyshimi për lirinë e udhëtimit - ka qenë i nënpunësve. Në këtë rast faji në ministrinë e jashtme ose hidhet me qëllim sa andej këndej ose shtëpia e Fisherit është një kotec pulash. Andaj mund të presim me kurreshtje se çfarë varianti do të ofroj i zoti i shtëpisë ditën e hënë para komisionit hetimor parlamentar", nënvizon «Mitteldeutsche Zeitung».