1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

26 Tetor 2004

Shpallja e dorëheqjes nga kryeministri i landit të Baden - Vyrttembergut, Ervin Tojfel, prognoza e rritjes ekonomike të Gjermanisë e qeverisë gjermane dhe votimi për tërheqjen nga Gaza në parlamentin izraelit tërheqin këtë të martë vëmendjen e komentatorëve të gazetave të përditshme gjermane

https://p.dw.com/p/Ary3

Gazeta e Berlinit, DIE WELT shkruan për dorëheqjen e Tojfelit:

"Ai nuk veproi në castin, kur ishte ende zot i vendimeve të veta. Kryeministri i Baden-Vyrttembergut, Ervin Tojfel e shpall tërheqjen nga politika në një cast kur atë nuk e detyron puna qeverisëse, por ama dega e landit të partisë së tij e përfshirë nga flakët...Një krizë e tillë kërkon një votim të bazë së partisë, dhe jo vetëm një votim në fraksion. Sfiduesi Gynter Otinger duhet të përballet me bazën e partisë - dhe me kundërkandidaten e tij, Anete Shavan. Përndryshe ai do të mbajë me veten njollën, se hipi në pushtet pasi vrau mbretin."


Ndërsa LEIPZIGER VOLKSZEITUNG dënon incidentin pas të cilit Tojfeli shpalli dorëheqjen: një ministër shteti i qeverisë së tij qëlloi me shuplakë një deputet të Parlamentit Federal, Bundestagut:

"Ministri i shtetit qëllon me shuplakë deputetin e Bundestagut", ky është një titull si "Një qen kafshoi një burrë". Bota i hedh sytë menjëherë nga provinca dhe mendon: kjo nuk është e mundur! Por meqenëse në Shtutgart po zhvillohet dëbimi i Tojfelit, mund të pritet më e keqja. Ministri i shtetit paketoi valixhet, kurse Tojfeli do ta bëjë këtë punë vitin e ardhshëm. Ajo që mbetet është përshtypja e keqe që rëndon mbi CDU-në dhe Federatën: grindje dhe baltë kudo ku hedh sytë."

STUTTGARTER ZEITUNG mendon:

"Dorëheqja e Ervin Tojfelit nuk do të hyjë në listën e shkurtër të ndarjeve të mira nga postet më të larta të shtetit. Ai nuk do të jetë në gjendje të kryejë jë nga ushtrimet më të vështira të demokracisë, dorëheqjen me elegancë. Ai vetë prishi atë që do të kishte merituar dhe për të cilën gjithë bota do ta kishte uruar."

Prognozën e rritjes ekonomike për Gjermaninë të qeverisë federale për vitin 2005 e komenton FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG:

"Në katër prej gjashtë viteve të shkuara në pushtet, qeveria gjermane dhe partitë e koalicionit e kanë vlerësuar gjithmonë shumë pozitivisht rritjen ekonomike - dhe janë habitur pastak në fund të vitit që kanë marrë pak para nga taksat. Dënimin për këtë sjellje të gabuar e heq taksapaguesi, në formën e një borxhi më të lartë shtetëror. Me prognozën e rritjes prej 1,7%, qeveria gjermane ndodhet sërish në nivelin e sipërm të prognozave aktuale. Kjo është lojë e rrezikshme. Edhe këtu ka nevojë për më shumë realizëm."

Gazeta MÄRKISCHE ALLGEMEINE që del Potsdam plotëson:

"Për diskutime akademike mund të jetë tërheqëse të presësh se kush fiton të drejtën në fund. Në janar, ministri i ekonomisë dhe punës Klement parashikoi një rritje ekonomike prej 1,5-2%, duke nxjerrë nga kjo një ulje të papunësisë nën kuotën e katër milionëve, në "verën e vonë". Nëntë muaj më vonë, pa punë ishin edhe një cerek milioni njerëz të tjerë. Kjo tregon se kohët, kur cdo rritje ekonomike ishte e automatikisht e barabartë me shtimin e vendeve të punës kanë kaluar. Për këtë Klementi duhet të gjejë një përgjigje- në vend që të spekullojë për të dhjeta përqindjesh rritjeje ekonomike."

Me votimin e planit të kryeministrit izraelit për tërheqje nga Rripi i Gazës merret GENERAL ANZEIGER e Bonnit:

"Po ta humbasë Sharoni votimin për tërheqje nga Rripi i Gazës, atëherë ai mund t'i shkarkojë ministrat e pabindur ose të shpallë zgjedhje të reja. Në rast të një fitoreje, ai duhet të presë protestën më të ashpër të partnerëve të tij nacionalistë të koalicionit qeveritar, gjë që do të conte sërish në zgjedhje të reja. Vec kësaj, Sharoni do të bënte mirë të përgatitej të zëvendesohet nga rivali i tij i betuar, Beniamin Netanjahu me ndihmën e fraksionit të Likudëve, përballë të cilëve Sharoni të duket si pëllumb paqeje. Sido që të venë punët- Lindja e Afërme përjeton orë me rëndësi për fatin e saj."