1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

Esat Ahmeti9 Tetor 2004

Në qendër të vëmendjes në shtypin e sotëm gjerman janë zgjedhjet e djeshme presidenciale në Afganistan. Gjithashtu në gazetat gjermane njoftohet për lidhjen e Ballkanit në rrjetin e energjisë elektrike evropiane UCTE.

https://p.dw.com/p/AryF
Një vendvotim në Afganistan
Një vendvotim në AfganistanFotografi: AP

Qëndrojmë fillimisht në Afganistan. Lidhur me zgjedhjet e djeshme në Frankfurter Allgemeine Zeitung lexojmë:


"Edhe demokracia është gjë që mësohet dhe afganët në të ardhmen do të kenë shpesh rastin ta ushtrojnë atë. Të shtunën për herë të parë ata patën mundësinë që të zgjedhin burrështetasin e tyre, çka pas kaq shumë vitesh pushtimesh të huaja dhe një regjimi vrasëtar taleban duhet të mirret në konsideratë. Në këtë mënyrë banorët e vendit në Hindukush me të drejtë priten me gëzim këtë moment historik, para së gjithash gratë. Sulmet e panumërta dhe kërcënimet siç duket nuk arritën t`i pengojnë ato që të regjistrohen dhe të dalin tek kutitë e votimit.

Megjithatë prej fillimit ishte e qartë se procesi i votimit nuk do të jetë i lirë dhe korrekt, se disa prej prijësve të luftës do të vazhdonin me avazin e vjetër dhe në fund do të ngadhënjente presidenti kalimtar Hamid Karzai. Nga ana tjetër si do të mund të ishte ndryshe në një vend ku me ditë të tëra fletëvotimet u desh të shpërndahen me gomarë dhe në mijëra vendvotime arritën vetëm disa vëzhgues ndërkombëtar të zgjedhjeve. Andaj siç duket pengesat logjistike më tepër se ato politike provokuan disa prej kandidatëve që të bojkotojnë këto zgjedhje.

Pas luftës së Bosnjës u dëshmua më së miri se nuk janë vetëm zgjedhjet ato që shpiejnë drejt paqës. Dhe gjithashtu edhe në Irak ku së shpejti do të ketë zgjedhje do të dëshmohet se demokracia është një proces për të cilin nevojitet kohë e gjatë", lexojmë në Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Ndërkaq në gazetën Der Tagespiegel nën titullin "Jo bombat e raketat por boja që përdorej për të treguar se dikush ka votuar njëherë shpien zgjedhjet e Afganistanit në kaos" lexojmë:

"Prej fillimit mendohej se faktori i vetëm destabilizues i cili rrezikonte zgjedhjet afgane ishin talebanët. Por ndërkohë që rebelët nuk arritën të pengojnë dhe prishin zgjedhjet këtë e kërkuan vet organizatorët. Gjatë kohës sa afganët po votonin ende, 14 prej 18 kandidatëve deklaruan se rezultati i zgjedhjeve do të jetë i paregulltë dhe se ata nuk do të njohin qeverinë e re që do të dal nga këto zgjedhje.

"Nëse afganët posedojnë dy dokumente identifikimi, vetëm pse ata duan të votojnë dy herë atëherë ata janë të mirëseardhur, u shpreh me shaka presidenti i qeverisë kalimtare Hamid Karzai. Megjithatë, vazhdoi Karzai, ky fakt nuk guxon të na shqetësoj. Nëse dikush shkon të votoj, gishti i tij do të lyhet me bojë e cila nuk mund të shlyhet tre deri në katër ditë. Por në vendvotimet në tërë vendit u dëshmua diçka tjetër: mjaftonte të pështysh dhe të fërkosh pak në gisht për të zhdukur gjurmët e bojës. Kush kishte disa letërnjoftime mund të votonte disa herë.

Humbës në këtë mes guxojnë të jenë ata afganë që me shumë entuziazëm priten zgjedhjet e para në jetën e tyre dhe shpresuan në zgjedhje të lira e korrekte. Që në orët e hershme të mëngjesit para vendvotimeve ishin formuar rreshta të gjatë që prisnin në radhë për të hedhur votën e tyre. "Krenar dhe i lumtur" është njeriu që ka rastin të votoj, u shprehën njëzëri shumica e afganëve. Por vetëm pak minuta më vonë shumë prej tyre vërejtën se boja në gishtërinjët e tyre mund të fshihej shumë lehtë. Në këtë mënyrë është vënë në dyshim legjitimiteti i presidentit të ardhshëm ende pa u zgjedhur", nënvizon Der Tagespiegel.


Ndërrojmë temë dhe kalojmë në gazetën Kleine Zeitung e cila njofton se prej sot Ballkani do të lidhet në rrjetin evropian të energjisë elektrike UCTE i njohur ndryshe me emrin Bashkimi për koordinimin e prodhimit dhe shpërndarjes të energjisë elektrike. Në këtë mënyrë nga 450 milionë rritet edhe për 50 milionë të tjerë numri i njerëzve që do të furnizohen me energji nga rrjeti evropian UCTE. Punët përgatitore të cilat kanë filluar para një viti do të mundësojnë kyçjen në këtë rrjet të Shqipërisë, Bullgarisë, Maqedonisë, Greqisë, Rumanisë dhe Serbisë e Malit të zi. Lidhja e vendeve të rajonit ballkanik në këtë rrjet paraqitet të jetë shumë e vështirë për shkak se në kohën e kyçjes së përbashkët në të gjitha rrjetet duhet të jenë në barazpeshë frekuenca, tensioni dhe fuqia e rrymës. Megjithatë janë ndërrmarrë të gjitha masat që rreziqet të jenë sa më të vogla. Por nuk përjashtohet mundësia që në rajon nga sistemi përkohësisht të bie ndonjë termocentral. Kyçja e rajonit në këtë rrjet elektrik pritet të kryhet sot në ora 8.