1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

12 Gusht 2004

Temat e shtypit të sotëm gjerman janë debati mbi reformat e tregut të punës, procesi gjyqësor kundër marokanit Mounir el Motasadek si edhe pasojat e pajtimit të Gjermanisë me Libinë.

https://p.dw.com/p/Arz0
Qeveria gjermane ndodhet në krizë
Qeveria gjermane ndodhet në krizëFotografi: AP

Temë qëndrore e analistëve të shtypit të sotëm në Gjermani janë sigurisht protestat kundër reformave të tregut të punës. Kështu gazeta Frankfurter Rundschau shkruan:

"Demonstrata që ditën e hënë kundër reformës së ashtuquajtur Hartz IV, situatë e ndërlikuar brenda rradhëve të partisë social demokrate dhe trishtim tek frakcioni qeveritar. Kancelari gjerman Gerhard Schröder dhe shefi i partisë social demokrate Franz Münteferring duhet të veprojnë dhe të frenojnë së bashku me të gjelbërit. Por një ndalim i tillë do të lërë pasoja të thella në kabinet. Ministri i financave Hans Eichel dhe ministri i ekonomisë Wolfgang Klement do të kenë probleme nëse nuk do të mund ta mbyllin dot deri në janar vrimën e krijuar në buxhetin për ndihmën financiare për të papunët. Eichel nuk mund të thotë sërisht "kaq para kemi" dhe Klement nuk mund të thotë "nuk kemi mënyrë tjetër".

Ndërkohë gazeta Die Welt shkruan në mënyrë edhe më kritike kundër qeverisë:

"Sapo u kthye nga pushimet verore, kancelari i thirri në kabinetin e tij ministrin e financave dhe atë të ekonomisë për të gjetur bashkarisht një zgjidhje se si qeveria do të mund ti japë fund histerisë në vend. Por madje edhe ky hap është histerik. Shumë ekspertë ja hedhin fajin zyrës federale të shtypit për kaosin e krijuar në Gjermani. Dhe është e vërtetë se kjo zyrë nuk mund të bëjë punë të mirë nëse e fillon kampanjën informative kur në Gjermanië Lindore e hëna është kthyer me kohë në një ditë protestash dhe demonstrantësh."

Ndryshojmë temë. Gazeta Süddeutsche Zeitung i pëkushton vëmendje procesit kundër marokanit Motasadek, i cili akuzohet të jetë një nga përgjegjësit e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001:

"Gjatë muajve të kaluar ministri i brendshëm gjerman Otto Schily, ministrja e drejtësisë Brigitte Zypries dhe prokurori i përgjithshëm Kay Nehm u përpoqën së bashku që ti bindnin amerikanët se Bin Al Shib duhet të dalë përpara gjyqit gjerman. Ky ishte një hap shumë prekës, politikisht krejtësisht legjitim por tepër naiv. Kur një person i tillë ndodhet në duart e CIA-s, atëherë duhet ditur se ai nuk do të dalë më kurrë prej këtyre duarve, madje as për drejtësinë amerikane apo për një ligj të posacëm të senatit. Këto janë rregullat e biznesit të shërbimit sekret."

Gazeta Financial Times Deutschland nga Hamburgu shprehet e habitur me qeverinë amerikane:

"Si shpjegohet që amerikanët kërkojnë seriozisht që të ndërhyjnë në strategjinë e mbrojtjes në procesin e Hamburgut? Zyrat amerikane sapo bënë të ditur në mënyrë tepër arrogante se nuk do ti vënë në dispozicion dëshmitarët që ndodhen në SHBA-s dhe që mund të shprehen kundër marokanit Munir al Motasadek gjatë procesit kundër tij në Gjermani. Më pas ata dërgojnë me faks - mënyrë kjo jo aq diskrete - informacione dhe dokumente sekrete qe i çorientojnë gjykatësit. Por pikërisht kur bëhet fjalë për daljen përpara gjyqit të terroristit Motasadek, amerikanët nuk e lejojnë këtë gjë. Atëherë ata s´ka pse habiten kur në fund do të merret një vendim që ndoshta nuk do tu pëlqejë".


Dhe së fundi tema e tretë e rëndësishme e shtypit të sotëm gjerman
është vizita e kancelarit gjerman në Libi, me rastin e arritjes së kompromisit për dëmshpërblimin e viktimave të diskotekës së Berlinit "La Belle". Gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung shkruan:

"Vizita e Schröderit në Libi në vjeshtë duhet ti bëjë të qartë qeverisë libiane se vetëm marrdhëniet ekonomike mes dy vendeve nuk janë të mjaftueshme për të forcuar iniciativën e re për Lindjen e Afërt dhe të Mesme. Libia do të mund t´ja arrijë qëllimit të saj për tu bërë pjesë e politikës së detit Mesdhe të BE, vetëm nëse Gadafi do të respektojë të drejtat e njeriut. Dhe ai mund ta fillojë këtë duke bërë disa amnesti për të burgosur politikë."

Ndërkohë gazeta Berliner Zeitung koncentrohet tek interesat e vendit afrikano verior:

"Kërkesat e Libisë për tu pajtuar me Evropën janë legjitime. Ish presidenti Ronal Reagen e dha asokohe urdhërin për sulm si reagim ndaj atentatit në diskotekën "La Belle". Por kjo s´do të thotë se amerikanët kishin të drejtë të hakmerreshin. Bombardimet ishin një akt po aq kriminal sa edhe vetë atentati në diskotekë. Sigurisht që as që mund të pritet që SHBA-s ti paguajnë Libisë një dëmshpërblim për bombaridmet që kryen aty. Por fatura ende e papaguar i jep të drejtën Libisë të na kujtojë se ajo nuk ishte e vetmja që e anashkaloi drejtësinë."